Mediat shqip në Mal të Zi në prag të shuarjes, politikanët heshtin

June 25, 2010   | Kulturë / Kultura

koha-javorePodgoricë, 25 qershor – Përmirësimi dhe zgjerimi i mediave të shkruara dhe elektronike në gjuhën shqipe në Malin e Zi, përherë ka qenë çështje interesimi i partive politike nacionale shqiptare në aktivitet gjatë fushatave parazgjedhore, por që më pastaj sikur është harruar ky interesim.

Mund të thuhet se asnjëra nga katër  partitë parlamentare shqiptare nuk interesohet më për gjendjen e mjerueshme të mediave publike gjë që flet edhe për mosinteresimin e shtetit ndaj të cilit shqiptarët i kryejnë të gjitha obligimet e tyre qytetare.

Ali Salaj, kryeredaktor i gazetës “Koha javore”, e vetme shqip që financohet nga buxheti shtetëror, thotë se politikanët shqiptarë interesohen vetëm kur u është hequr ndonjë shkronjë nga komunikatat e tyre të gjata për opinionin, por jo edhe të na përkrahin, të kërkojnë nga Parlamenti dhe Qeveria fonde për gazetën e vetme në gjuhën shqipe në këtë shtet.

“Para katër vitesh është miratuar Ligji i ri mbi informimin. Në komisionin gjegjës, kanë qene anëtarë edhe dy deputetë shqiptarë, edhe nuk kanë kërkuar definimin me ligj se, nëse gazeta “Pobjeda”, në kuadër të së cilës ndodhemi, privatizohet, gazeta shqipe “Koha javore” të përkrahet nga buxheti shtetëror”, thotë për KosovaLive Salaj.

Ai shpreh dyshimin se do të ketë interesuar për ta blerë ketë javore me një tirazh tepër të vogël. Shqiptarëve në Malin e Zi sot u duhet një gazetë javore për të ruajtur identitetin e tyre gjuhësor, kulturor e kombëtar. Mirëpo, shton Salaj, politikanët shqiptarë nuk shqetësohen për këtë.

Karshi tij, Haxhi Shabani, kryetar i Art Club-it e gazetar në Programin shqip në Televizionin e Malit të Zi /TVMZ/ thekson se deri tash në këtë shtëpi informative është emetuar emisioni mikst “Mozaiku 60” në gjuhën shqipe.

“Tash ai është zvogëluar në 40 minuta dhe duhet të përkthehet çdo fjalë e materialeve që emetohet. Unë mendoj se ky është një rast shumë diskriminues për ne shqiptarët, sepse kërkesat ishin për një kanal të posaçëm për pakicat, por në vend se të realizohej ky projekt, shqiptarëve u shkurtohen edhe hapësirat që kishin në TVMZ”, vë në pah Shabani.

Sipas tij, këtu kemi të bëjmë me cënimin e të drejtave të shqiptarëve për t’u informuar në gjuhën e tyre amtare. Këtë çështje politikanët tonë shqiptarë sikur nuk e vërejnë fare. Shqiptarët në Malin e Zi, thekson Shabani, në këto rrethana ndjekin mediat tjera elektronike dhe të shkruara.

“Mendoj se shteti i Malit të Zi që pretendon integrimet evropiane dhe euroatlantike, duke diskriminuar kështu shqiptarët, nuk mund të thotë se është shembull i shoqërisë multikulturore dhe multietnike”, shprehet Shabani.

Ai e thekson edhe një fakt tjetër: mediat malazeze, sidomos ato të shkruarat, plotësisht anashkalojnë ngjarjet dhe veprimtaritë nacionale të shqiptarëve. Gazetarët shqiptarë nuk i mbron askush sikur të bënin përpjekje të merreshin me tema hulumtuese, edhe ka mjaft në viset etnike shqiptare në Malin e Zi. Për fat të keq, potencon Shabani, gazetarët shqiptarë në Malin e Zi nuk e kanë as shoqatën e tyre.

“Unë jam anëtar i Shoqatës së gazetarëve profesionistë të Malit të Zi. Anëtarësinë e paguaj rregullisht, por edhe pse janë në dijeni me pozitën e vështirë të gazetës ‘Koha javore’, asnjëherë as në telefon nuk më kanë kontaktuar, e lëre më të shkruajnë apo të reagojnë publikisht”, shton Ali Salaj.

Radio–Ulqini që nga themelimi i tij para afro tri dekadash, përherë ka qenë i kontrolluar nga partitë dhe zyrtarët e pushtetit lokal. Dy vjet më parë është miratuar vendimi për themelimin e Radio-Televizionit të Ulqinit /RTUL/, por ish- kryeredaktori i këtij mediumi lokal, Shaban Peraj, thotë se me muaj të tërë nuk kanë marrë pagat. Sipas tij ende nuk ka nis të funskionojë RTUL, sepse ka vetëm një bord drejtues, anëtarët e të cilit janë militantë të partive politike, nuk kanë asnjë lidhje me media.

“Ulqinit i duhet televizioni, por si medium profesionist e jo partiak”, shprehet Peraj, i cili, derisa Lidhja Demokratike në Mal të Zi ushtronte pushtetin vendor, disa mandate ka qenë kryeredaktor i Radio-Ulqinit.

Dritan Abazi nga Televizioni komercial Teuta shprehet se ky medium u ka kërkuar politikanëve shqiptarë që të gjejnë mënyrën për të përkrahur atë materialisht, që programet e TV Teutës të ndiqen edhe në Amerikë, ku jeton një numër i konsiderueshëm i bashkëkombësve tanë, por politika shqiptare në Ulqin nuk është përgjigjur.

Gazetarët shqiptarë në Ulqin thonë se shuarja edhe e mediave ekzistuese, do të jetë një “impuls” më shumë për asimilimin e popullatës shqiptare. Politika dhe politikanët duhet ta kenë parasysh këtë rrezik. Sepse, pa media nuk mund të ushtrohet pushteti lokal as në Ulqin, as në Tuz, as të ruhet e kultivohet identiteti nacional, gjuhësor e kulturor.

KOHA NET

5