Ulqinaku Ervin Lati vetëvritet, hidhet nga kati 10 në Tiran

July 3, 2010   | Shtypi / Mediji

Ulqinaku Ervin Lati vetëvritet, hidhet nga kati 10 në TiranTiranë -Vetëvritet studenti i filozofisë, duke u hedhur nga kati i dhjetë i pallatit ku banonte. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 16.30 në rrugën “Don Bosko”, në kompleksin e pallateve të “Arabit”, pranë qendrës profesionale “Don Bosko”. Viktima është identifikuar nga policia me emrin Ervin Lati, 33 vjeç, nga Ulqini i Malit të Zi.
Nga të dhënat e policisë mësohet se viktima banonte i vetëm në një apartament në rrugën “Don Bosko” dhe ishte student në vitin e tretë në degën e filozofisë, në Fakultetin e Shkencave Sociale në Tiranë.
Ai sapo kishte mbaruar sezonin e provimeve dhe gjatë ditëve kishte planifikuar që të largohej në vendlindjen e tij, në Ulqin, ku edhe i jeton familja. Pas vetëvrasjes së studentit në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë së kryeqytetit për të nisur hetimet për shkaqet e ngjarjes.
Nga burimet e policisë mësohet se po hetohet nëse studenti nga Ulqini, mund të ketë pësuar gjendje depresive nga mos marrja e ndonjë provimi. Ndërkohë policia po heton edhe në pistën e ndonjë problemi tjetër, që mund ta ketë detyruar Latin që t’i japë fund jetës duke u vetëhedhur nga kati i dhjetë i pallatit ku banonte.
Oficerët e policisë kanë marrë në pyetje banorët e pallatit ku jetonte me qera studenti, të cilët kanë dëshmuar për rrethanat e ngjarjes. Trupi i pa jetë i 33- vjeçarit është dërguar në morg, ku do të kryhet edhe ekspertiza mjeko-ligjore, për të përcaktuar shkaqet e vdekjes së studentit.

SHEKULLI

8