Oferta për Kosovën, prioritet i Ulqinit

July 5, 2010   | Lajmet / Vijesti

Ulqin, korrik – Përveç vendeve për turistë në hotelet që janë në dorën e shtetit, Ulqini sivjet ofron vende për turistë nëpër hotele më të vogla, të ndërtuara së voni. Këto hotele kryesisht kanë dhjetëra shtretër me kushte të përshtatshme dhe me hapësira më të vogla nëpër dhoma. Edhe ushqimi nëpër to është më pak tradicional, ndërsa çmimet janë të ndryshueshme.
Para fillimit të sezonit të turizmit në Ulqin, pushuesit kanë mundur që nëpër hotele të qëndrojnë gjatë një dite me 25 deri në 33 euro pagesë. Pas datës 5 korrik, nga kur edhe fillon zyrtarisht sezoni i pushimeve në këtë qytet, e deri në fund të muajit gusht, çmimet për qëndrime në hotele do të aspirojnë ngritjen. Një person do të mund të pushojë, të hajë mëngjes dhe darkë në njërin nga hotelet private apo të shtetit me mesatarisht 35 euro pagesë. Ky çmim mund të jetë më i favorshëm, varësisht nga largësia me plazhin.
Nëpër banesa private, çmimet për shtretër sillen nga 5 deri në 12 euro, varësisht nga afërsia e lokacionit të banimit me plazhin dhe kushtet që ofron objekti.
Isat Dragovoja_ulqinIsa Dragovoja, menaxher i shitjes në organizatën e turizmit “Riviera e Ulqinit”, që bart në vete tri hotele, thotë se tanimë kanë në dispozicion mbi 1.000 shtretër nëpër disa hotele, si dhe rreth 600 shtretër në fshatin Ada në Bunë.
“Dikur kishim mbi 4 mijë shtretër, por nga procesi i privatizimit numri i shtretërve ka rënë”, thekson Dragovoja.
Ai ka thënë se ka qenë vështirë që të jenë konkurrentë me çmime, mirëpo për shkak të krizës ekonomike çmimet nuk kanë ndryshuar tashmë tre vjet.
“Çmimet sillen prej 24-31 euro gjatë muajit korrik për gjysmë pansion, ndërsa për muajin gusht çmimet sillen 27-36 euro. Mëngjesi dhe darka janë tavolinë suedeze”, thekson ai.
Paketa turistike në sektorin privat jashtë sezonit do të jetë 42 euro për 7 ditë, ndërsa gjatë sezonit nga 1 korriku deri me 31 gusht, çmimi do të jetë më i lartë nga 70 deri në 77 euro. Ndërsa, akomodimi në hotele jashtë sezonit do të jetë me një çmim prej 72 deri në 154 euro, ndërsa gjatë sezonit nga 155 deri në 280 euro, ofertë kjo e cila përfshin hotelet e kategorisë 2 deri në 4 yje.
“Gjatë sezonit turistik mysafirët tanë janë diku 50 për qind nga Kosova. Krahasuar me vitet e kaluara kemi rritje të numrit të mysafirëve”, ka thënë Dragovoja.

Plazhet e Ulqinit kryesisht i mbushin turistët nga Kosova. Ulqinakët shpresojnë që këtë verë kosovarët t’u lënë në xhep nga pushimet para të mira, pasi që ndihet një krizë e thellë në mungesë të turizmit. Edhe moti me shi dhe vranësira ka bërë të vetën, duke ndikuar që sezoni i turizmit në Ulqin të nisë më dobët, për shkak të temperaturave më të ulëta.
“Shpresojmë që kosovarët do ta zgjedhin Ulqinin edhe sivjet për të pushuar. Ulqini ka formuar edhe organizatën e vet turistike, në kuadër të së cilës është dhe oferta për Kosovën. Aktualisht është një numër i mirë i turistëve që kanë zgjedhur Ulqinin për t’i kaluar pushimet verore”, ka thënë kreu i Ulqinit, Gëzim Hajdinaga.
HTP Ulcinjska Rivijera


Ai ka theksuar se autostrada Morinë-Durrës do të ndikojë pozitivisht dhe vetëm sa do ta rrisë numrin e turistëve.
Këtë mendim e përforcon edhe Ali Rexha, drejtor i turizmit në Komunën e Ulqinit
Ai përmend edhe pastërtinë si njërin nga faktorët e ngritjes së cilësisë së pushimeve.
“Shumica e plazheve të Ulqinit janë të standardeve ndërkombëtare. Shumica prej tyre janë të pajisura me flamuj të kaltër, që do të thotë posedojnë standarde të larta. Gjithashtu plazhet e Ulqinit ofrojnë shumë, për pak të holla”, ka shtuar ai.
Ai është ankuar se deri në ditët e para të muajit korrik nuk është vërejtur fluks i njëjtë të turisteve sikurse viteve tjera, porse numri i turistëve sa vinte e shtohej dita-ditës. Ndryshe, Ulqini disponon me 120 mijë shtretër në tërësi.

KOHA NET
YouTube Preview Image

1