Ulqin: Ofrojnë vendosje në objekte legale

July 7, 2010   | Lajmet / Vijesti

Ulqin_Ofrojnë vendosje në objekte legaleUlqin, 7 korrik – Turistët që arrijnë në Ulqin për të pushuar edhe sivjet po ballafaqohen me dukurinë e ofrimin individual të vendosjes dhe akomodimit, gjë që e karakterizon tërë bregdetin malazias, por në Ulqin i kalon caqet e një mirëpritjeje të turistëve, mbase për shkak se këtu oferta bëjnë edhe dilerët mashtrues.
Numrin e dilerëve të tillë sivjet e kanë shtuar edhe disa dilerë, të cilët ag e terr ndjekin çdo makinë që vjen nga Shkodra apo Tivari, e të mos flasim për invadimin e tyre në Stacionin e Autobusëve. Këta dilerë nuk janë ulqinakë, por e kanë gjetur një mënyrë të përfitimit për t’i mashtruar turistët, duke i vendosur nëpër vila të ndërtuesve ilegal nga Novi Pazari, Rozhaja e Berana.
“Këtu e kanë fajin inspeksioni komunal dhe policia që nuk ndërmarrin masa ndaj këtyre njerëzve, të cilët komprometojnë mikpritjen e Ulqinit dhe shqetësojnë mysafirët tanë. Shumica e tyre janë ardhacakë nga vendet e rajonit, të cilët tentojnë, por edhe arrijnë të mashtrojnë turistët, duke i vendosur nëpër vilat e ndërtuesve ilegal nga Novi Pazari, Rozhaja e Berana, ku detyrimisht shfaqen pakënaqësi të ndryshme”, shprehet ulqinaku Idriz Bajrami për KosovaLive.Velika plaza ulcinj_montenegro
Arsim Behluli, i cili tash dy dekada e gjysmë jeton në Austri, thotë se vazhdimisht vjen në Ulqin, meqë plazhet janë të pastra, çmimet e përballueshme, ka siguri dhe jetë të pasur nate për të gjitha grupmoshat. Ai thotë se me familje në orët e mbrëmjes shkojnë të dëgjojnë herë këngëtaren Gjyste Vulaj, herë Medën apo Merita Halilin.
“Por, këta dilerët janë bërë më të bezdisshëm sesa mushkonjat. Njeri prej tyre, madje, më ofroi edhe mua që të angazhohem në këtë punë “sepse mund të fitohet mirë”. Mësova se ai dhe sigurisht edhe shumë si ai nuk janë nga Ulqini dhe veprojnë të papenguar nga organet përkatëse në dëm të turizmit të këtushëm”, thotë Arsimi.
Pa dyshim se kjo gjendje është pasojë edhe e faktit se Organizata Komunale Turistike në Ulqin nuk ka arritur të hapë sportelet e veta nëpër pikat kryesore të lagjeve turistike, si në Pinjesh, Shtoj, Gjerana dhe Kërruç për të pasur nën kontroll të plotë të gjitha rrjedhat e sezonit turistik, i cili ka startuar mirë.
Startin e mirë të sezonit turistik e konfirmon edhe Isat Dragovoja, shef i shitjes në ndërmarrjen turistike hoteliere “Riviera e Ulqinit”, i cili thotë se vizita i ka tejkaluar parashikimet dhe është më e mirë se sa vitin e kaluar.

KOHA NET

YouTube Preview Image