Klubi i karatesë Ulqini Seminari – Vera 2010

July 11, 2010   | Sporti / Sport

Klubi i karatesë Ulqini Seminari - Vera 2010.3_picnikPërfundoi pjesa e parë e seminarit të XV të Klubit të karatesë “Ulqini” – “Vera 2010”

SEMINARI “VERA 2010”

Klubi i karatesë “Ulqini” edhe kësaj vere gjatë muajit qershor organizoi seminarin “Vera 2010” për anëtarët e klubit. Tashmë ky seminar u bë tradicional, pasi që këtë vit shënoi 15 vjetorin e mbajtjes së tij. Seminari është i ndarë në dy pjesë, pjesa e parë përfundoi me sukses, kurse pjesa e dytë do të mbahet në muajin gusht.
Në këtë seminar morën pjesë mbi tetëdhjetë anëtarë të klubit të grupmoshave të ndryshme. Seminarin e udhëhoqën mjeshtri, mësuesi i mirënjohur i karatesë Gjergj Daboviqi, trajnerët Naim Duraku, Kujtim Sukaliqi dhe kryetrajneri i klubit Ruzhdi Rama. Karateistët kanë qenë të ndarë në grupe sipas gjeneratave dhe brezave dhe çdo trajner ka stërvitur një grup.
Me këtë nuk përfundojnë stërvitjet, sepse së shpejti do të fillojmë me përgatitje për gara me garues tanë, të cilat do të mbahen në plazh dhe në sallë të klubit. Këto përgatitje do të jenë të ndara në disa pjesë: taktikë, teknikë, kata, kondicion, forcë dhe psiho-trajning. Gjatë këtyre stërvitjeve klubit tonë do t’i bashkangjiten edhe disa klube të tjerë që do të jenë në Ulqin për pushime e përgatitje, e të cilët kanë shprehur dëshirën të stërvitemi së bashku.
Sezoni i dytë i garave do të fillojë në shtator, kur na presin shumë gara të nivelit të lartë, në të cilat planifikojmë të marrim pjesë. Njëra prej tyre është “Istanbull Open 2010”, ku marrin pjesë garuesit më të mirë të botës. Ftesa u bë klubit tonë drejtpërdrejt nga organizatori i garës dhe Federata e Karatesë të Turqisë. Shpresojmë që do të marrim pjesë, natyrisht nëse do të kemi përkrahje financiare.
Udhëheqësia e KK “Ulqini” falënderon pronarin e plazhit “Tropicana” Sul Bajramin, i cili na ndihmoi në realizimin e këtij seminari në plazhin e tij “Tropicana”, duke na përkrahur financiarisht dhe moralisht. Falënderojmë edhe të gjithë punëtorët e këtij plazhi, si dhe prindërit e anëtarëve tanë, të cilët kanë kontribuar për një pjesë të shpenzimeve.


UDHËHEQËSIA E KLUBIT TË KARATESË “ULQINI”


YouTube Preview Image