Socialistët kërkojnë partnerë për të udhëhequr në Ulqin

July 15, 2010   | Politika

Luigj Lubo Shkrela_nuk kemi lidhur kuroreUlqin, 15 korrik – Partia Demokratike e Socialistëve (PDS) e kryeministrit Milo Djukanovic, e cila së bashku me Unionin Demokratik të Shqiptarëve (UDSH), ka siguruar 14 mandate, për herë të parë pas zgjedhjeve lokale të 23 majit ka deklaruar se është e hapur për partnerë për të themeluar qeverisjen e re në Ulqin.

Për të bërë shumicën PDS-së i nevojiten edhe 3 këshilltarë, por nuk arrin t’ i gjejë dot, raporton KosovaLive.
Shefi i socialistëve të Ulqinit, Luigj Shkreli, deputet i PDS në Kuvendin e Malit të Zi, shprehet i gatshëm për të mirën e përgjithshme të qytetarëve të Ulqinit, të negociojë me të gjitha opsionet që të konsolidohet shumica, madje edhe me Forcën e Re Demokratike, e cila ka të siguruara 11 mandate.
“Me Unionin Demokratik të Shqiptarëve kemi koalicionin parazgjedhor ‘Për Ulqinin evropian’, por me UDSH nuk kemi lidhur kurorë”, thotë Shkreli.

Ai akuzon Partinë Socialdemokratike, e cila për të vazhduar bashkëqeverisjen paraprake kërkon edhe postin e kryetarit të Parlamentit të Ulqinit. Por, kryesocialisti i Ulqinit, Shkreli është kategorik, ky funksion i takon PDS, sepse ishte marrëveshje parazgjedhore me UDSH.
“Faktikisht, PSD po e mban peng qeverisjen e re të Ulqinit, por ne jemi të hapur sepse me askend nuk kemi lidhur kurorë”, thotë ai.

PDS nuk i përjashton as zgjedhjet e reja komunale, meqë as pas 50 ditëve që na ndajnë nga 23 maji, partitë e ish-koalicionit “Për Ulqinin evropian” nuk kanë arritur që të firmosin marrëveshjen e bashkëqeverisjes.
Forca e Re Demokratike zëshëm kërkon nga subjektet politike që kanë siguruar pjesëmarrje në parlament, të angazhohen për të nxjerrë Ulqinin nga një anarki e paparë e pushtetit aktual.

KOHA NET