Kaltrina Selimi: Bej kenge per publikun, jo per konkurrence

July 16, 2010   | Lajmet / Vijesti

Kaltrina Selimi.2Do të vijë sot në “Bluetooth” me sharmin dhe elegancën që gjithmonë e kanë shoqëruar, një nga zërat më të veçantë të skenës kosovare…Të gjithë e njohin si këngëtaren e hiteve, pasi ajo qëllon gjithmonë në shenjë me këngët që sjell për publikun shqiptar. Këngëtarja e suksesshme nga Kosova, Kaltrina Selimi rrëfen sot arsyet e mungesës së saj gjatë kësaj kohe në tregun muzikor…Por jo vetëm kaq, pritet që së shpejti ajo t’i gëzojë të gjitha fansat e saj me këngën më të re, së cilës ka në plan t’i realizojë edhe një videoklip…Në aspektin privat, Kaltrina është lumturisht e fejuar me Dritonin, por megjithatë martesa nuk bën pjesë në planet e saj afatshkurtra. Lexoni në vijim të kësaj interviste detajet më të reja nga jeta e këngëtares Kaltrina Selimi.
Së fundmi është ndjerë mungesa juaj me klipe në televizionet shqiptare. Pse kjo mungesë?
Kjo mungesë është ndjerë pasi unë qëndrova për dy muaj në Londër, plus kësaj më mori shumë kohë dhe përzgjedhja e këngës.
A keni realizuar ndonjë këngë gjatë kësaj kohe?
Po, kënga këto ditë sapo ka përfunduar dhe është punuar nga kompozitori Florent Boshnjaku dhe tekstshkruesi Mit’hat Sadiku.
Vera është një stinë ku prodhohen shumë klipe. Sa i trembet konkurrencës Kaltrina?
Është e vërtetë që konkurrenca është shumë e madhe, por unë gjithmonë kam punuar në mënyrën time dhe jam munduar gjithmonë të bëj më të mirën e kjo, jo për shkak të konkurrencës, por që publikut tim t’i ofroj diçka të mirë, diçka cilësore.
Cilat janë rivalet e tua në muzikë?
Shumë sinqerisht askënd s’e konsideroj rivale dhe me të gjitha koleget e mia kam marrëdhënie shumë të mira dhe mendoj se secila nga ne e ka publikun e vet dhe nuk ka arsye ta konsiderojmë njëra-tjetrën rivale.
Kë nga koleget konsideroni mike?
Me të gjitha kam raporte shumë të mira, por kuptohet se me disa jam më e lidhur.
Cilat janë planet tuaja më të afërta për sa i përket muzikës?
Jam në bisedime me disa produksione për një videoklip të ri dhe besoj që shumë shpejt do e realizoj.
Jetuat në Londër për një kohë të gjatë, cila ishte arsyeja?
Unë vazhdoj të jetoj në Prishtinë, ndërsa në Londër kam qenë thjesht si vizitore, edhe pse kësaj radhe më gjatë se zakonisht.
Në mediat shqiptare është përfolur gjatë lidhja juaj me Dritonin. Tashmë ju jeni fejuar. A keni bërë plane për martesë?
Në realitet jam fejuar me Dritonin dhe kjo ka ndodhur në shtator të vitit të kaluar dhe asnjëherë nuk kam fshehur asgjë nga lidhja ime. Patjetër që do të ketë martesë, por nuk bën pjesë në planet tona afatshkurtra.
E keni përfytyruar veten me fustan të bardhë?
Besoj që jo vetëm unë, por çdo vajzë e paramendon veten me fustan të bardhë. Siç e kuptuat, unë mezi po pres ta vesh sepse këtë dëshirë e kam pasur gjithmonë.
Cili është mashkulli ideal sipas jush?
Njeri perfekt nuk ka, por Dritoni ka shumë veti që mua më pëlqejnë dhe lirisht mund të them se e kam gjetur mashkullin e zemrës ashtu siç e kam dashur.
Për sa i përket karrierës suaj muzikore, sa ka ndikuar ai në të?
Më jep shumë forcë për të vazhduar më tej, kur dihet se muzika është një profesion që të jep shumë stres, pasi kërkon shumë punë dhe angazhim… Pastaj, ne që i takojmë këtij profesioni kemi shumë pak jetë private, por gjithsesi Dritoni më ka mbështetur dhe mirëkuptuar pa masë.
A ju sugjeron ai ndonjëherë për këngët dhe klipet?
Edhe pse nuk i përket botës së artit, ka një shije të mirë për muzikën dhe me kënaqësi i pranoj sugjerimet e tij.
I dëgjoni mendimet e tij, apo bëni atë çfarë ju pëlqeni?
Kuptohet që unë dhe im vëlla ia kemi marrë dorën tashmë kësaj pune, por gjithsesi i marr parasysh edhe mendimet e tij.
Për ç’arsye do të hiqnit dorë nga muzika?
Vetëm për shkak të familjes, nëse është nevoja.
Keni bërë plane për pushime gjatë kësaj vere?
Po, besoj që do shkoj për pushime në shtator, por ende nuk kam vendosur se ku.
Si ju pëlqen ta kaloni kohën e lirë?
Padyshim duke qëndruar më shumë me familjen.

Bluetooth

YouTube Preview Image