Panairi i librit në Ulqin – nga 28 korrik deri më 4 gusht

July 17, 2010   | Kulturë / Kultura

Presidenti Topi dhe Presidenti Vujanoviç përurojnë hapjen e Panairit IX të Librit, Ulqin 2009TIRANE-Mbi 60 botues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnje- Hercegovina do të marrin pjesë në Panairin tradicional të Librit “Ulqini 2010”, që do të zhvillohet në Ulqin (Mali i Zi) nga 28 korrik- 4 gusht, të organizuar nga Bashkia e këtij qyteti dhe Shoqata e Botuesve Shqiptarë.

Mbështetur këtë vit nga Komuna e Ulqinit, nën kujdesin e kryetarit të saj, Gëzim Hajdinaga, panairi i sivjetshëm është i pari që çel veprimtaritë me librin në stinën verore, për t’i hapur rrugë më pas gjatë muajit gusht edhe panaireve të librit në qytetet e Jugut të Shqipërisë, si Vlora e Saranda. Veç librave nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, do të ekspozohen libra e do të marrin pjesë botues edhe nga Mali i Zi, Bosnja e pakicat e tjera kombëtare të kësaj republike. Në Panairin e librit në Ulqin parashikohet të ekspozohen dhe të ofrohen për shitje mbi 6.000 tituj librash, nga të cilat mbi 500 janë tituj të rinj. Letërsi artistike, autorë shqiptarë e të huaj, histori, botime enciklopedike, guida turistike e harta të çdo lloji, letërsi për fëmijë, fjalorë e metoda për mësimin e shqipes dhe të gjuhëve të huaja, libra utilitarë për zanate e profesione të ndryshme, albume e katalogë gjithfarësh etj, do të jenë librat e rinj që do të paraqiten para lexuesve ulqinakë e pushuesve të huaj.
Sikurse çdo vit, Panairi i librit në Ulqin edhe në këtë edicion të 10-të do të ketë të ftuar të veçantë, personalitete nga fusha e kulturës, akademike, administrata shtetërore dhe politika. Këtë vit, të ftuar të veçantë dhe në qendër të vëmendjes së publikut bashkë me veprën e tyre do të jetë shkrimtari Besnik Mustafaj nga Shqipëria dhe një shkrimtar i njohur nga Mali i Zi. Mbrëmja e ditës së dytë dhe të tretë të panairit do t’u kushtohet ekskluzivisht autorëve që me kontributin e tyre kanë botuar veprimtari akademike, për të cilët do të flasin gjerësisht studiuesit Piro Misha, akademiku Josif Papagjoni dhe botuesja Irena Toçi etj. Panairi i sivjetshëm është i pari që çel veprimtaritë me librin në stinën verore, për t’i hapur rrugë më pas gjatë muajit gusht disa panaireve të tillë në qytetet e Jugut në Vlorë e Sarandë. Në vitet e kaluara shiritin e inaugurimit të kësaj veprimtarie e kanë prerë personalitete të tilla si Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Ismail Kadare, Fatos Arapi, Fatos Kongoli, Ali Podrimja, Jevren Brkoviq, Luan Starova, Zuvdi Hoxhiq, Sreten Asanoviq,, ministrat e Kulturës të Shqipërisë e të Malit të Zi, akademikë e parlamentarë të të dy vendeve.

(d.b/GSH/BalkanWeb)
YouTube Preview Image