KUMTESE – Ligje sikurse në kohën e monizmit

August 8, 2010   | Shoqëria / Društvo

Miratimi i ndryshimeve në disa ligje nga fusha e arsimit që ditë më parë u vendosë nga shumica aktuale parlamentare në parlamentin e Malit të Zi, dëshmon se në praktikë pushteti vazhdon me formulen e centralizimit ndërsa decentralzimi i tij sipa standartëve evropiane mbetet vetëm dëshirë. Edhe pse deputet të subjekteve të ndryshme politike e ate kryesisht nga partitë opozitare kishin paraqitur amendamente të ndryshme që ishin në favor të decentralizimit dhe të autonomisë së shkollave, çdo gjë ishte e kotë sepse shumica parlamentare vendosi sipas rekomandimeve qeveritare. Kundër këtyre propozim ligjeve nga 49 deputet që votuan ishin vetëm tre deputetë nga subjektet nacionale shqiptare (Forca, LDMZ, Perspektiva) duke mbrojtur parimet e decentralizimit dhe barazisë nacionale në një mjedis multinacional siç është Mali i Zi.

Nuk ka dilemë se pasojat nga miratimi i ligjeve të tilla do të jenë shumëdimensionale, që do të verehën në praktikë në gjashtë muajt e ardhshëm sa është edhe afati i zbatimit praktik të tyre ligjeve. Kështu parashihet që brenda tre muajve duhet të formohen këshillat e reja të shkollave, ku shumica e tyre do të jetë nga përfaqësuesit e Ministrisë së arsimit. Madje ata duhet të veprojnë sipas udhëzimeve nga ana e Ministrisë së arsimit, nga del se nuk mund të veprojnë sipas ndërgjegjës së tyre, por janë të varur nga subjekti që i ka deleguar. Nëse deri më tash Këshilli i shkollës ka pasur ingerenca për të zgjedhur drejtorin e shkollës e ate e ka verifikuar ministri, tash e tutje këshilli për ketë çështje është vetëm dekor, se kjo e drejtë është ekskluzive vetëm e ministrit. Një veprim i tillë arbitrar dëshmon centralizimin absolut të pushtetit, duke anashkaluar në tërësi kolektivin e shkollës, këshillin e prindërve dhe përfundimisht këshillin e shkollës. Dhe në saje të një ligji të tillë ministri mund të zgjedh çdo kend për drejtor të shkollës që i plotëson kushtet ligjore edhe pse ai individ mund të jetë i papërshtatshëm për kolektivin e shkollës. Ne raste të tilla nuk ka dilemë së referencat kryesore do të jenë jo përgatitja profesionale, por përshtatshmëria dhe sidomos përkatësia partiake, që është identike si në kohën e monizmit.

Po ashtu në saje të këtij ligji do të formohet edhe Këshilli Nacional i Arsimit(Nacionalni Savjet za obrazovanje) si subjekti më i lartë arsimor në nivel të shtetit i cili në përbërjen e vetë do të ketë edhe përfaqësues të popujve pakicë. Por, zgjedhja e tyre paraqet defektin e këtij ligji, sepse ka qenë e nevojshme që ata të emërohen përmes Këshillave Nacionale të popujve përkatës që veprojnë në Mal të Zi e jo sipas shijes së pushtetit. Një veprim i tillë nënçmon Këshillat nacionale kur kemi të bëjmë me çështjen e përfaqësimit autentik e po ashtu edhe Ligjin për liritë dhe të drejtave të pakicave(Zakon o manjinskim pravima i slobodama). Në rastin konkret ne shqiptarët kërkojmë që të jemi të përfaqësuar me kuadra profesionale të propozuar nga Këshilli Nacional i Shqiptarëve e jo nga përfaqësuesit e ndryshëm nga strukturat qeveritare në Mal të Zi.

Pra, kemi të bëjmë me veprime arbitrare të pushtetit, duke miratuar ligje jo demokratike nga fusha e arsimit, që është në kundërshtim flagrant më të drejtat e qytetare, nacionale dhe me standartët demokratike evropiane.

Forca e re Demokratike
Shërbimi për informim