Ulqin, mbyllet Panairi i Librit

August 8, 2010   | Kulturë / Kultura

I hapur më 28 korrik, në një ceremoni ku ishin të pranishëm të tre ministrat e Kulturës, të Malit të Zi, Kosovës dhe Shqipërisë, panairi ka shënuar pjesëmarrjen e shumë botuesve.
Dje është shënuar dita e fundit e edicionit të dhjetë të Panairit të Librit në Ulqin. I hapur më 28 korrik, në një ceremoni ku ishin të pranishëm të tre ministrat e Kulturës, të Malit të Zi, Kosovës dhe Shqipërisë, panairi ka shënuar pjesëmarrjen e shumë botuesve, por edhe të vizitorëve. Të paktën 20 mijë tituj librash, nga të cilët mbi 500 tituj të rinj, janë ekspozuar në stendat e panairit. Veç botuesve nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, marrin pjesë edhe botues nga Mali i Zi, Bosnja e pakicat e tjera kombëtare të kësaj republike. Letërsi artistike, autorë shqiptarë e të huaj, histori, botime enciklopedike, guida turistike e harta të çdo lloji, letërsi për fëmijë, fjalorë e metoda për mësimin e shqipes dhe të gjuhëve të huaja, libra utilitarë për profesione të ndryshme, albume e katalogë gjithfarësh etj., janë librat që u ekspozuan para lexuesve ulqinakë e pushuesve të huaj. I organizuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, nën kujdesin e veçantë të Komunës së Ulqinit dhe kryetarit të saj Gëzim Hajdinaga, panairi konsiderohet nga shumë botues pjesëmarrës si një aktivitet që ka ardhur në rritje nga viti në vit. Çdo vit, panairi ka pasur të ftuarit e tij specialë. Për këtë vit i ftuar ka qenë botuesi dhe publicisti Besnik Mustafaj. Ndryshe çdo mbrëmje iu kushtohej ekskluzivisht autorëve që me kontributin e tyre kanë botuar veprimtari akademike.

BOTA SOT
YouTube Preview Image