OJQ “Hapi i gjelbër”shfaq filmin dokumentar “Ulqini jemi ne” – “Mi smo Ulcinj”

August 16, 2010   | Shoqëria / Društvo

Mesazhe për ruajtjen e vlerave të Ulqinit
Filmi dokumentar “Ulqini jemi ne” si dhe ekspozita me karakter promovues kulturor – ekologjik paraqesin dy pamje të ndryshme të këtij qyteti: nga njëra anë peizazhin e tij të bukur natyror që ia ka dhuruar Zoti, të ndërthurur me trashëgiminë kulturore të krijuar ndër vite, ndërsa nga ana tjetër pamjet e krijuara nga pakujdesia e popullsisë ndaj natyrës
Me moton “E dua qytetin tim”, të shtunën në Qendrën e Kulturës në Ulqin, OJQ “Hapi i gjelbër” organizoi veprimtarinë kulturore ku u shfaq filmi dokumentar “Ulqini jemi ne” dhe u hap ekspozita e fotografive me pamje nga Ulqini. Filmi dokumentar si dhe ekspozita me karakter promovues kulturor – ekologjik paraqesin dy pamje të ndryshme të këtij qyteti: nga njëra anë peizazhin e tij të bukur natyror që ia ka dhuruar Zoti të ndërthurur me trashëgiminë kulturore të krijuar ndër vite, ndërsa nga ana tjetër pamjet e krijuara nga pakujdesia e popullsisë ndaj natyrës. Mr. Dritan Abazoviq, duke folur për filmin dokumentar dhe fotografitë e ekspozuara tha se mesazhi “E dua qytetin tim” na është drejtuar të gjithë neve. Ai u shpreh se dashuria ndaj qytetit duhet të ekzistojë në formën e sakrificës. “Nuk mund të keni dashuri pa sakrificë. Ne duhet të gjithë të sakrifikojmë dhe të jemi të gatshëm të bëjmë diçka për qytetin tonë. Ulqini nuk do t’i ndërrojë këto pamje derisa ne të mos jemi më të gatshëm të bëjmë diçka për qytetin tonë”, theksoi Abazoviq. Kryetari i OJQ “Hapi i gjelbërt”, Xhelal Hoxha, tha në fjalën përshëndetëse se mendon që me këtë film do të ndikojnë tek organet kompetente në ruajtjen e këtyre vlerave. Njëra nga aktivistet e këtij projekti, Zenepe Lika, bëri thirrje për zgjim. “Nuk është akoma vonë që të zgjohemi që ta shpëtojmë, të krenohemi me qytetin tonë dhe kulturën sepse e kemi. Ajo është aty, por vetëm duhet që ne të kujdesemi dhe ta ruajmë”, tha ajo. Në realizimin e këtij projekti kanë marrë pjesë Zenepe Lika, Arijana Kurmemi, Anton Lulgjuraj, Gazmend Çitaku, Xhelal Hoxha, Zharko Miroviq, Driton Malohoxhiq dhe Azra Kurmemi -Vukoviq. Sipas tyre, filmi “Ulqini jemi ne” është një film amator që nuk pretendon të fitojë ndonjë “Oscar”, por mundohet të tërheqë vëmendjen për vlerat të cilat i ka Ulqini e të cilat po i humbasim çdo ditë. Ndërsa ekspozita përbëhet nga 47 fotografi të realizuara nga Zenepe Lika, Gazmend Çitaku dhe Anton Lulgjuraj, të cilat kanë për qëllim të tërheqin vëmendjen për problemet ekologjike në komunën e Ulqinit.

i. k.
Koha Javore