Forca e re demokratike kundër ndryshimeve në ligjet që rregullojnë fushën e arsimit të miratuara nga parlamenti i Malit të Zi

August 21, 2010   | Shtypi / Mediji

Ndryshimet me pasoja shumëdimensionale
Ndryshimet e miratuara nga Parlamenti i Malit të Zi në disa ligje që kanë të bëjnë me fushën e arsimit do të kenë pasoja shumëdimensionale, vlerësojnë në Forcën e Re Demokratike. Ndryshimet u miratuan ditë më parë nga shumica parlamentare, ndërsa kundër këtyre ndryshimeve, ndër të tjerë, kanë votuar edhe deputetët e tre subjekteve nacionale Genci Nimanbegu nga Forca, Mehmet Bardhi nga koalicioni LD në MZ – Alternativa Shqiptare dhe Amir Hollaj nga koalicioni “Perspektiva”. Forca e Re Demokratike vlerëson se miratimi i këtyre ndryshimeve dëshmon se në praktikë pushteti vazhdon me formulën e centralizimit, ndërsa decentralizimi i tij sipas standarteve evropiane mbetet vetëm dëshirë. “Kemi të bëjmë me veprime arbitrare të pushtetit duke miratuar ligje jodemokratike nga fusha e arsimit, që është në kundërshtim flagrant më të drejtat qytetare, nacionale dhe me standartet demokratike evropiane”, thuhet në kumtesën për opinion të kësaj partie. Sipas Forcës, pasojat do të verehen në praktikë në gjashtë muajt e ardhshëm sa është edhe afati i zbatimit praktik të tyre ligjeve. Me ndryshimet e miratuara parashikohet që brenda tre muajve të formohen këshillat e reja të shkollave, ku shumica e anëtarëve të tyre do të përbëhet nga përfaqësues të zgjedhur nga Ministria e Arsimit. “Madje ata duhet të veprojnë sipas udhëzimeve nga ana e Ministrisë së Arsimit, nga del se nuk mund të veprojnë sipas ndërgjegjes së tyre, por janë të varur nga subjekti që i ka deleguar. Nëse deri më tash Këshilli i shkollës ka pasur ingerenca për të zgjedhur drejtorin e shkollës, zgjedhjen e të cilit e ka verifikuar ministri, tash e tutje këshilli për këtë çështje është vetëm dekor, sepse kjo është e drejtë ekskluzive vetëm e ministrit”, thuhet në kumtesën për opinion të Forcës. Kjo parti e cilëson këtë si “një veprim arbitrar që dëshmon centralizimin absolut të pushtetit” sepse anashkalon në tërësi kolektivin e shkollës, këshillin e prindërve dhe përfundimisht këshillin e shkollës. “Në saje të një ligji të tillë, ministri mund të zgjedhë çdokënd për drejtor të shkollës që i plotëson kushtet ligjore edhe pse ai individ mund të jetë i papërshtatshëm për kolektivin e shkollës. Në raste të tilla nuk ka dilemë se referencat kryesore do të jenë jo përgatitja profesionale, por përshtatshmëria dhe sidomos përkatësia partiake, që është identike si në kohën e monizmit”, thuhet në kumtesë. Ligji parashikon po ashtu formimin e Këshillit Nacional për Arsim, si subjekti më i lartë arsimor në nivel të shtetit, në përbërjen e të cilëve do të ketë edhe përfaqësues të popujve pakicë. Por zgjedhja e anëtarëve të këtij këshilli, sipas Forcës së Re Demokratike, përbën defektin e këtij ligji. “Ka qenë e nevojshme që ata të emërohen përmes Këshillave Nacionale të popujve përkatës që veprojnë në Mal të Zi e jo sipas shijes së pushtetit. Një veprim i tillë nënçmon Këshillat nacionale kur kemi të bëjmë me çështjen e përfaqësimit autentik e po ashtu edhe Ligjin për Liritë dhe të Drejtat e Pakicave”, thuhet në kumtesën për opinion. Forca e Re Demokratike ka paralajmëruar se do të kërkojë që shqiptarët të jenë të përfaqësuar në këtë këshill me kuadro profesionistë të propozuar nga Këshilli Nacional i Shqiptarëve e jo nga përfaqësuesit e ndryshëm nga strukturat qeveritare në Mal të Zi.

(Kohapress)