Libër me vlera të shumta

August 21, 2010   | Kulturë / Kultura
Gjekë Gjonaj

Gjekë Gjonaj

I bindur se lexuesve të sotëm, sidomos atyre të brezit të ri, shpesh u mungojnë dija e njohja mirëfilli gjeografike dhe historike për trevat shqiptare jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë, Gjekë Gjonaj, për një grimë bëhet gjeograf e topograf duke dhënë me saktësi shtrirjen dhe përbërjen e secilës krahinë të Malësisë.Po zgjedhim, si shembull, pikërisht hyrjen e përshkrimit për Hotin:
“Nga bregu i liqenit të Shkodrës përgjatë kufirit malazezo-shqiptar deri mbi kanionin piktoresk të lumit Cem në veri shtrihet Hoti. Për ata që nuk e njohin këtë pjesë të Malësisë së Madhe (Malësisë së Mbishkodrës) dua të theksoj se kjo krahinë s’ka të bëjë vetëm me një fshat. Në kuptim më të gjerë është trevë që përfshin nëntë fshatra: Traboini i Moçëm (ndryshe quhet edhe Traboini i Sipërm ose Rranxa e Rrasës), Bardhaj, Nabomi, Helmica, Skorraqi, Spija ( që të gjitha përbëjnë Traboinin), pastaj Drumja e Poshtme, Drumja e Epërme – Bozhaj dhe Ploça, si dhe katundet fushore: Vuksanlekaj, Dreshaj, Nënhelm dhe Sukruq”. Po ashtu, kur merr të përshkruajë Grudën, thotë: “Mëngjesi i kësaj dite pranvere, fundmarsi, na zuri poshtë malit të bukur të Sukës së Grudës ( 1212m), në Luginën e Cemit, pas Deçiqit legjendar (649m) aty ku shtrihen si një valle fshatrat kodrinorë-malorë: Llofka, Cemi i Llofkës, Prifti, Pikala, katunde këto që me një emër quhen Rranxa e Sukës, pastaj Selishti, Cemi i Selishtit, Kësheva dhe Gurreci. Pjesa malore e Grudës kufizohet në veri me Trieshin dhe Kojën, në jug me Hotin, kurse në jugperëndim ndodhen fshatrat e saj fushorë: Dinosha, Mileshi, Rranxa e Vulajve, Haxhaj, Passhkalla, Rrogathi, Shipshaniku Dushiqi, Kodra e Budanit, Vrana, Vranja dhe Lekajt”. Ndërkaq, kur tregon për aspektet historike, Gjeka si të thuash “luan në fushën e vet” dhe njohjen e tij të thellë të historisë e përdor për të dhënë pamjen e plotë e për ta ndjellë lexuesin për një lexim jo vetëm të këndshëm, tërheqës e shumë të pëlqyeshëm, por edhe mësimdhënës e të prekshëm. Ja, edhe një shembull tjetër për këtë cilësi të shkruari: “Hoti ka nxjerrë nga gjiri i tij burra për besë e trima për pushkë. Hotjanët i kanë dhënë zë kombit shqiptar nëpër shekuj, i kanë dhënë heronj, dëshmorë, komandantë e ushtarë trima. Djemtë e Hotit kanë flijuar jetën e tyre në altarin e kombit, duke mos kursyer asgjë për të ardhmen më të mirë të popullit të vet, madje duke mos e kursyer jetën e vet dhe të familjarëve të tyre. Numri i burrave, trimave, njerëzve të penës dhe të armës nga Hoti është i madh. Ndihmesa e secilit prej tyre për Malësinë dhe çështjen kombëtare në përgjithësi është e madhe dhe e paharruar për të gjithë brezat. Dhe s’ka se të mos përmenden e të mos kujtohen përgjithmonë heroi i Traboinit, Dedë Gjo’ Luli, prijësi legjendar i Kryengritjes së Malësisë së vitit 1911, i cili nuk bëri kurrë asnjë lëshim në kurriz të të drejtave të malësorëve dhe shqiptarëve, Nora e Këlmendit, Çun Mula, Mul Deli Bajraktari, Gjelosh Luli e shumë trima të tjerë të lirisë”. Krejt sythat e krerët e këtij libri, në pjesën e tyre më të madhe, janë reportazhe të folura në emisione radio-televizive ose artikuj të botuar më parë në organe të shtypit dhe, për këtë arsye, ata kanë edhe tipologjinë e parashtrimit të atillë ku, sikundër e kërkon një gazetari objektive dhe e ndershme, autori flet kryesisht nëpërmjet ligjeratave të drejta ose parafrazimit të asaj që shprehin, pohojnë ose dëshirojnë njerëzit që ai takon dhe pyet e interviston në shtegtimet e veta në Malësinë e Madhe, përtej kufijve të Shqipërisë, por me të njëjtat vlera, doke e zakone të përbashkëta. Janë të ndarë me kufi shtetesh, por janë të njëjtë e të bashkuar me bujarinë, mikpritjen, trimërinë shekullore dhe me zotësinë për ta përballuar jetesën edhe në aso kushtesh të vështira të klimës e të mungesave të shumta me të cilat ndeshen edhe sot e gjithë ditën.Dhe, pikërisht për të mos e harruar të vjetrën krenare, ndërsa duhet t’i shkojnë mbrapa jetës së re, ashtu si e ka prurë koha e sotme, Gjekë Gjonaj, në krye të gati secilit krye a syth libri, sjell edhe vlerësime e citime të personaliteteve të shquara letrare, shkencore e atdhetare për Malësinë e virtytet e malësorëve shqiptarë. Kështu, kreun e titulluar “Gruda, trevë e krenarisë kombëtare”, e fillon me një citat të Atë Anton Harapit, që thotë: “ N’atë pak kohë qi ndeja famullitar në Grud pash urtin e atyne banorëve në pleqni, e u binda; u provova burrnin , sa herë u rashë për besë e falje, i gjeçë trima të qitun e burra të ndershëm, të zotët me vra edhe me fjalë, ma se nji herë më ra me i prekë në bujari, e pash se kishin pse m’u mbajtë fisnikë: për besë e fe, për bukë e për mik, për nder të vetit e të bajrakut, s’ bajshin mallë vehten as gjallnimin e vet. Madhnija shpirtnore e tyne, njimend mbulue me atë mënyrë jete gati si të vrashtë e trashamane, por vërtet kapej ndër ideale të larta”. Edhe kreun e dytë, kushtuar Krajës,titulluar “Kraja, trevë e Ilirisë, po përballon rebeshet e kohës” e nis po me një thënie vlerësuese: “… Kraja ishte një nga trevat e ilirëve të lashtë, për çka dëshmon fakti se në këtë trevë kufitare interesante të gjeografisë etnike shqiptare, te liqeni i Shkodrës, është gjetur një sëpatë ilire e tipit dalmato-alban. Dëshmi për vazhdimësinë iliro shqiptare të kësaj treve e cila gjatë historisë ishte e lidhur ngusht shpirtërisht e ekonomikisht me Shkodrën, Tivarin dhe Ulqinin, janë edhe veshja kombëtare e shestaneshës dhe e grave tjera krajane, të cilat me asnjë detaj nuk dallohet nga veshja e bustit të gruas të zbuluar afër Beratit që përkon me shekullin III-II para erës së re, pastaj kultet e ilirëve të lashtë, – kulti i diellit dhe kulti i gjarpërit, të pranishëm edhe sot ndër krajanë…” ( Prof. dr. Hajrullah Koliqi) Pjesën me titull “Festa e Verës në Ostros”, gjithashtu, e nis me një vlerësim të një artisti të shquar shkodran, që pohon: “Kjo për mua është një festë shumë e ëmbël, një festë violinë, një festë melodioze, është një festë që duhet nderuar e respektuar.” (Paulin Preka, Artist i Merituar) Shpesh sythat e librit fillojnë me ndonjë pyetje,si : Çfarë i mban të fortë këta njerëz në këto male ? Pse janë lënë anash banorët e Braticës Poshtë ? ose me nëntituj prekës e,madje, kushtrimues për situatën , si: Koja legjendare po zbrazet; Korita, një parajsë ku të çlodhet trupi dhe shpirti; Tufat e zvogëluara dhe çobaneshat e harruara; Malësia e Rozhajës, zvogëlohet numri i shqiptarëve; Fshati Jasenicë i harruar nga shteti; Mali i Brisë, fshati ku largohen familjet malësore dhe vendosen familjet malazeze; Bratica, ikje nga identiteti, ku tregon se banorët e Braticës, edhe pse të kombësisë shqiptare, me dëshirën e tyre injoruan gjuhën e shtëpisë, gjuhën e të parëve të tyre dhe pranuan të shkollohen në gjuhën sllave. Me tituj të tillë, me citimet e përzgjedhura me kujdes, si edhe me përgjithësime e karakterizime të goditura prej vetë autorit, që në hyrje të krerëve, sythave a pjesëve të librit, lexuesi merr edhe ideimin e nevojshëm të kahut emocional që e përshkon lëndën e sjellë në libër. P.sh. në pjesën “Gurza e vetmuar, pa asnjë njeri”, para se të na zbulojë një të situatë të prekshme, të shkaktuar nga shpërngulja e banorëve dhe shkretimi i një vendbanimi dikur me vlera e i përmendur, autori na thotë shkurt e qartë: “Shtëpitë (kullat), ku me qindra vjet është ruajtur nderi, besa dhe burrëria janë bërë gërmadhë. Ato tani i ka kapluar heshtja. Çdo murishtë e këtij fshati pothuajse fsheh në vete një plagë të madhe, një dhembje që nuk mund të shprehin dhembjen e mërgimit.” Pjesa e titulluar “Gucia, një krahinë shqiptare ku ende ruhet trashëgimia historike dhe kulturore” nis, gjithashtu, me një shkurtore vlerësuese që na ndjell e tërheq për të ditur më shumë: “Në të kaluarën, jo shumë të kahershme, kjo krahinë shqiptare pranë Bjeshkëve të Nemuna ka qenë qendër e njohur tregtare. Këtu punonin rreth 200 dyqane tregtarësh dhe zejtarësh. Lulëzonin artizanatet dhe tregtia. Prodhimet bujqësore nga Gucia mbërrinin në të gjitha qytetet e Malit të Zi. Gucia dikur ishte stacion i karvaneve për në Stamboll, Selanik, Shkodër, Shkup, Podgoricë e gjetkë. Ishte udhëkryqi ku kalonin shumë perandorë, tregtarë, kontrabandistë, qeraxhi e të tjerë. Qyteza e Gucisë, sipas studiuesit të kësaj ane, Elmaz B. Plava, në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 1878, përbëhej nga 400 shtëpi, të gjitha shqiptare, ku banonin rreth 4500 frymë”. Pjesa kushtuar një treve interesante e dikur me famë titullohet “Vuthjanët shembull i përkushtimit kombëtar” dhe me shkurtoren vlerësuese që vijon: “Banorët e fshatit Vuthaj, edhe pse janë shpërngulur në krahina të tjera shqiptare, si në Pejë me rrethinë, Rugovë, Prishtinë, Rozhajë, Shkodër, Krujë, Tiranë, Durrës, Fier, Elbasan, Vlorë, Peshter sikurse edhe në shumë shtete të tjera evropiane dhe në Amerikë, asnjëherë nuk e kanë harruar vendlindjen e tyre, traditën, doket, zakonet, kulturën dhe trashëgiminë e tyre të pasur”. Kreun e pestë: Ulqini, autori ua ka kushtuar zbulimeve e shpallimeve për katundet malore të një treve të hershme, të përmendur, por edhe jo aq të hulumtuar në vlerat arkeologjike, muzeale dhe turistike të saj. Kështu, në sythin “ Kllezna – fshat me histori të lashtë” lexuesit ia ndjell ineresimin shkurtorja vijuese: “Bashkëbiseduesi ynë Gjergj Noc Filipaj, ( 88 vjeç), të cilin vendasit e quajnë plaku i katundit, në shtëpinë e tij familjare në Kllezën shprehet se ky fshat në dokumentat arkivore dhe në histori ka tre emra, Kalezina, Kelezena dhe Kllezna. Ai pohon se dikur moti ky vendbanim i vogël është quajtur Bria dhe shton se sot e kësaj dite përdoren emërtimet ( toponimet) Mali i Brisë, Fusha e Brisë, Liqeni i Brisë, Mulliri i Brisë, Kroni i Brisë etj.” Autori është i vëmëndshëm dhe përcjell me emocion e me nderimin e duhur të gjitha bëmat e figurat e shquara të trevave që viziton.Kështu, ndër të tjera, në pjesën kushtuar Ulqinit e rrethinave të tij, nuk mund të mos ndalej edhe te vlerat e përkthimit të Biblës Integrale në shqipen standarde prej dom Simon Filipajt. “Në Shëngjergj për herë të parë u përkthye në shqip “Bibla” nga dom Simon Filipaj, i cili në famullinë e këtushme ka shërbyer plot 33 vite. Se sa e vështirë ka qenë kjo punë, për të cilën ka punuar afro 25 vite, pa dritë elektrike, nën dritëhijen e kandilit e të qiriut, duke u “ kacafytur” me fjalë, fjali, frazeologji, porosi tejet të vështira biblike” më së miri e kuptojmë nga dëshmia e tij: “ Punoja shpeshherë natë e ditë, kuptohet, me të gjitha punët tjera meshtarake dhe mendoja kështu: Dy herë që përkthyer “Bibla” në gjuhën shqipe, por për fat të keq tonin nuk u botua. Kush e di kur dhe so do të botohet ? Koha jonë ishte shumë e vështirë, aq sa s’ishim ntë sigurtë as për jetën tone, e jo më për shkrimet tona ! Isah në zone kufitare Shqipëri-Mali i Zi. Kisha mjaft kërcënime, rreziqe. Në tavolinën e punës, mes shumë librave, fjalorëve, biblave, gjithmonë e mbaja edhe testamentin tim. Aty ndër të tjera i shkrova edhe këto fjalë: “ Nëse më gjeni të vdekur / të vrarë/, dijeni se vratsraët janë afër / roja kufitare/. Zoti i faltë!… “ Gjithsa bëra, e bëra për dashuri ndaj Fjalës së Hyjit dhe për dashuri ndaj kombit. Punova pa pritur shpërblime. Netët dhe ditët të kaluara në karrige të fortë, në dhomë të ftohtë dimrit dhe të nxehtë verës- që nuk qenë të pakta- nuk kërkojnë tjetër, përpos ta lexoni me atë dashuri me të cilën u përkthye…, “ shkruante Filipaj. Gjekë Gjonaj është ende i ri në moshë, porse shkrimet, emisonet radiofonike, artikujt në organe të shumta të shtypit shqiptar e malazias, pastaj librat e tij të këtyre dhjetë vjetve të fundit, e kanë bërë atë jo vetëm të njohur, por edhe një penë të autoritetshme e me peshë në gazetarinë dhe në botën e letrave shqipe.Librat e tij janë vlerësuar nga gazetarë e studjues të mirënjohur si prof. as. dr. Romeo Gurakuqi, i cili ka shkruar parathënien e librit “Prekë Cali, Piramidë e kufijve të Shqipërisë”, prof. dr.Hamit Boriçi, i cili shpreh vlerësime të larta në parathënien e librit “Njëmendësi shqiptare” dhe prof.dr. Hysni Hoxha për librin”Gjurmëve të kohës”. Për vlerat e monografisë kushtuar Prek Calit kam shkruar një recension bukur të gjatë dhe, me rastin e botimit të librit të katërt të Gjekë Gjonajt, shpreh bindjen se lexuesit, ashtu si në librat e mëparshëm të tij, edhe në “Shqipet e maleve”, do të gjejnë shkrime të ndjera, emocione të besueshme, mbresa të njomura me dashurinë e një biri të denjtë të Maleve tona, i cili, jo vetëm lajmon e pasqyron çfarë ndodh sot në trevat shqiptare në Mal të Zi, por edhe synon që shkrimtaria e tij të jetë sadopak në ndihmë të mbrojtjes së gjuhës shqipe e të traditave shqiptare në ato anë. Lexojeni këtë libër të Gjekë Gjonajt, ju siguroj se do të përfitoni shumë dhe do t’ju lind dëshira t’i vizitoni edhe ju Malësinë, Krajën, Ulqinin etj., duke gjetur atje edhe sot e gjithë ditën bujarinë tradicionale shqiptare, mikpritjen e pakundshoqe, fjalën e ëmbël e këngët epike, natyrisht dhe dëshirën ende të zjarrtë të shqiptarëve për të mbetur edhe më tej shqiptarë.

Prof.dr. Gjovalin Shkurtaj
Koha Javore

1