Pse dështoi formimi i shumicës parlamentare në kuvendin e komunës së Ulqinit

August 24, 2010   | Lajmet / Vijesti, Politika

Ambiciet joreale, mbrojtja e parimeve apo keqqeverisja

Për kryetarin e Këshillit Komunal të PDS-së në Ulqin, Luigj Shkrela, shkak për mosarritjen e formimit të shumicës parlamentare janë kërkesat dhe ambiciet joreale të PSD-së, për kryetarin e Këshillit komunal të PSD-së në Ulqin, Selim Resulbegoviq, kjo parti që në fillim është udhëhequr nga parimet për interesin e përgjithshëm të Ulqinit, ndërsa kryetari i Forcës së Re Demokratike thotë se kjo parti që prej përfundimit të zgjedhjeve lokale ka konsideruar se rruga më e mirë për zgjidhjen e situatës politike në Ulqin është kthimi i mandateve të këshilltarëve votuesve. Për herë të parë në historinë e pluralizmit në Mal të Zi, qytetarët e Ulqinit do të shkojnë për të votuar në zgjedhjet e përsëritura lokale për shkak të dështimit të formimit të shumicës parlamentare në Kuvendin e kësaj komune. Këtë nuk e kishin parashikuar as skeptikët më të mëdhenj pas zgjedhjeve të 23 majit dhe rezultateve të këtyre zgjedhjeve, aq më tepër që anëtarët e koalicionit të tanishëm qeverisës kishin aritur të fitonin 18 këshilltarë, një më tepër seç kishin pasur në përbërjen e kaluar të kuvendit. Megjithatë, se diçka nuk shkon u vërejt që natën e parë, pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve, kur ndërsa para selisë së UDSH-së festonin anëtarët dhe simpatizantët e UDSH-së, PDS-së dhe PPD-së, askush nga PSD-ja nuk mori pjesë në këtë festë. Edhe pse një nga liderët e UDSH-së i entuziazmuar kishte llogaritur 15 (në fillim mendohej se koalicioni “Për Ulqinin Evropian” kishte fituar 15 këshilltarë) + 2 (këshilltarë të PPD-së) + 2 (këshilltarë të PSD-së), matematika e tij kishte dalë e gabuar. Arritja e koalicionit paszgjedhor ndërmjet Koalicionit “Për Ulqinit Evropian” dhe PSD-së në fillim të bisedimeve mendohej se lidhej me suksesin e bisedimeve ndërmjet PDS-së dhe PSD-së në Podgoricë. Por pas arritjes së koalicionit në Podgoricë, arritja e koalicionit në Ulqin mendohej se do të ishte çështje ditësh. Edhe pas konstituimit të Kuvendit të ri të Komunës së Ulqinit, bisedimet për formimin e shumicës parlamentare në Kuvendin e Komunës së Ulqinit vazhduan me të njëjtin intensitet. PSD me dy këshilltarët e fituar përbënte çelësin e formimit të shumicës parlamentare. Kjo parti derisa zhvillonte bisedime me Koalicionin “Për Ulqinin Evropian”, i cili më parë kishte fituar mbështetjen e PPD-së për formimin e shumicës parlamentare, kishte fituar ofertë për krijimin e koalicionit edhe nga blloku tjetër i udhëhequr nga Forca e Re Demokratike. Përkundër kushteve të ofruara nga ky bllok, PSD kishte bërë të ditur se nuk do të formonte shumicën me këtë bllok. Ndërkohë Koalicioni “Për Ulqinin Evropian” kishte hyrë në bisedime edhe me Lëvizjen Qytetare “Perpektiva” për arritjen e shumicës parlamentare. Edhe pse afrohej skadimi i afatit ligjor për formimin e shumicës parlamentare dhe përkundër deklaratave zyrtare që paralajmëronin mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, shumë pak njerëz besonin në këtë zgjidhje. Të mësuar me të kaluarën që kur nuk mund të zgjidhen problemet nga të vegjëlit ndërhyjnë më të mëdhenjtë, shumë kishin pritur që zgjidhja do të ofrohet e gatshme nga Podgorica. E megjithatë kjo nuk ndodhi. Të hënën Presidenti i Malit të Zi e zgjodhi përfundimisht këtë enigmë. Ai mori vendimin që qytetarët e Ulqinit t’i drejtohen sërish kutive të votimit, po të njëjtën ditë kur do të votohet edhe në Gollubovc. Por pse dështoi arritja e formimit të shumicës parlamentare në Kuvendin e Komunës së Ulqinit? Për kryetarin e Këshillit Komunal të PDS-së në Ulqin, Luigj Shkrela, shkak për këtë janë kërkesat dhe ambiciet joreale të PSD-së, për kryetarin e Këshillit komunal të PSD-së në Ulqin, Selim Resulbegoviq, kjo parti që në fillim është udhëhequr nga parimet për interesin e përgjithshëm të Ulqinit, ndërsa kryetari i Forcës së Re Demokratike thotë se kjo parti që prej përfundimit të zgjedhjeve lokale ka konsideruar se rruga më e mirë për zgjidhjen e situatës politike në Ulqin është kthimi i mandateve të këshilltarëve votuesve. Kryetari i Këshillit Komunal të PDS-së në Ulqin, Luigj Shkrela, thotë se Koalicioni “Për Ulqinin Evropian” ka qenë i qartë dhe transparent në bisedimet që ka pasur pas zgjedhjeve duke qenë në dijeni se ka pasur bisedime dhe lojëra prapa skene të cilat nuk kanë arritur tek opinioni. “Ne kemi qenë korrekt dhe konkret në obligimet tona ndaj qytetarëve dhe zgjedhësve tanë në të gjitha aktivitetet parazgjedhore dhe e vetmja kërkesë në të gjitha bisedimet ka qenë që të mos lejojmë që PDS të nënçmohet dhe të heqë dorë nga ajo çfarë ka qenë premtim i zgjedhësve dhe qytetarëve të Ulqinit”, thotë Shkrela. Sipas tij, po të kishte pasur sens politik PSD dhe Lëvizja Qytetare “Perspektiva”, qytetarët e Ulqinit nuk do të kishin nevojë për zgjedhje të parakohshme. Për Partinë Socialdemokrare zgjedhjet e parakohshme janë një gjë normale që ndodh në shtetet demokratike. Kryetari i Këshillit Komunal të PSD-së në Ulqin, Selim Resulbrgoviq, thotë se kjo parti megjithatë ka treguar vullnet që të mos vijë deri te kjo. Ai i hedh poshtë dhe i cilëson të pabazuara kritikat e PDS-së ndaj kësaj partie. “Të gjitha propozimet tona kanë pasur një qëllim – që bashkëpunimi në koalicion duhet të jetë i ri dhe në themele të reja dhe me një mirëkuptim dhe respektim ndërmjet subjekteve politike të këtij koalicioni”, thotë kryetari i Këshillit komunal të PSD-së në Ulqin. Kryetari i Forcës së Re Demokratike, Nazif Cungu, dështimin e arritjes së shumicës parlamentare e sheh te pakënaqësia e krijuar ndaj ushtrimit të pushtetit nga ana e UDSH-së. “UDSH ka që dy mandate kryetarin e komunës dhe për tetë vjet nuk kanë arritur të aprovojnë asnjë plan detaj urbanistik që përbën bazën për zhvillimin ekonomik”, thotë ai. Cungu i sheh zgjedhjet e parakohshme si rrugën më të mirë për zgjidhjen e krizës politike. “Forca edhe më heret ka konstatuar se rruga më e mirë për zgjidhjen e situatës politike në Ulqin është kthimi i mandatit votuesve. Prandaj e përshëndesim vendimin e fundit për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në Komunën e Ulqinit”, thotë ai. Për kryetarin e Këshillit komunal të PSD-së në Ulqin, Selim Resulbegoviq, zgjedhjet e reja mund të jenë shans i madh që të formohet një shumicë parlamentare më stabile seç ka qenë kohëve të fundit. “Shpresoj se koalicioni i ri do të punojë shumë më mirë në interes të të gjithë qytetarëve të komunës së Ulqinit e sidomos për zhvillimin e këtij qyteti i cili dy dekadat e kaluara është në stagnim”, thotë ai. Ndërkaq kryetari i PDS-së në Ulqin, Luigj Shkrela thotë se kjo parti pret nga zgjedhjet e reja zgjidhjen e krizës politike. “Nga zgjedhjet e parakohshme pres sqarim të skenës politike në Ulqin, largimin e mjegullës dhe heqjen dorë nga ideja që nëse varet gjithçka prej meje atëherë unë veten do ta vlerësoj më shumë seç më kanë vlerësuar të tjerët”, thotë ai. Optimistë për rezultatet e zgjedhjeve të reja Pas dështimit të formimit të shumicës parlamentare nuk dihet se cili do të jetë reagimi i votuesve pasi që brenda një periudhe të shkurtër do të votojnë sërish. Për kryetarin e Forcës së Re Demokratike, Nazif Cungu, zgjedhjet e reja nuk do të jenë problem për përkrahësit e kësaj force politike. “Votuesit dhe simpatizuesit e Forcës nuk janë të lodhur nga votimet dhe numri i përkrahësve tanë është duke u rritur pasi që ne jemi e vetmja parti që ka dalë me program zgjedhor për periudhën katërvjeçare. Mendoj se realizimi i këtij programi është motivi kryesor që do t’i nxisë qytetarët të votojnë Forcën”, thotë ai. Edhe kryetari i Këshillit komunal të PDS-së në Ulqin, Luigj Shkrela, nuk ka frikë nga ballafaqimi i sërishëm me qytetarët e Ulqinit. “Jemi të sigurt se sinqeriteti i deritashëm dhe korrektësia në bisedime me të gjithë partnerët do të vlerësohet kësaj radhe më shumë se kurrë nga qytetarët e komunës së Ulqinit. Kërkoj nga qytetarët mirëkuptim dhe njëherit ju drejtohem që të na përkrahin në zgjidhjen e krizës politike në komunën e Ulqinit”, thotë ai. Optimist për rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme shprehet edhe kryetari i Këshillit komunal të PSD-së, Selim Resulbegoviq. “Më së paku presim të arrijmë të njëjtat rezultate që kemi pasur më 23 maj, por tani me një entuziazëm të ri i cili bazohet në mendimin e shumë qytetarëve duke na mbështetur në atë çfarë kemi bërë para zgjedhjeve dhe atë çfarë kemi bërë pas zgjedhjeve”, thotë ai. Deri tani asnjë nga subjektet politike nuk kanë bërë të ditur modelin e pjesëmarrjes në zgjedhjet e reja lokale. Në opinion që disa kohë është paralajmëruar se në rast të mosarritjes së koalicionit qeverisës, PDS do të dalë e vetme në zgjedhjet e reja lokale. Kreu i PDS-së në Ulqin, Luigj Shkrela, nuk e pohon një gjë të tillë, duke thënë se “si gjithmonë deri tani vendimi për daljen në zgjedhjet lokale do të merret nga organet partiake në nivel komunal në koordinim me organet qendrore”. Megjithatë në mënyrë indirekte ai e lë të hapur një mundësi të tillë. “Mosarritja e shumicës parlamentare dhe mosaftësia e formimit të shumicës parlamentare pas zgjedhjeve të 23 majit, dashur pa dashur çon kah analizat e themelta që do të jenë bazë e zgjedhjes së modelit parazgjedhor i cili PDS-në do ta bëjë subjektin më të fortë ashtu siç edhe i takon”, thotë ai. Ndërkaq edhe Forca e Re Demokratike dhe Partia Socialdemokrate nuk dihet nëse do të marrin pjesë si subjekte të veçanta apo në koalicion me partitë e tjera në zgjedhjet e reja. Por ato kanë lënë hapësirë për bashkëpunime të mundshme me subjektet e tjera. “Nuk kemi vendosur akoma. Ka mundësi dhe jemi të hapur për koalicion me partitë e tjera shqiptare”, thotë Cungu. Ndërkaq Selim Resulbegoviq thotë se tani për tani shanset më të mëdha janë që të dalin vetëm në zgjedhje. “Por koha do ta tregojë. Nuk përjashtohet mundësia për ndonjë koalicion parazgjedhor”, thotë ai.  

I. Kallaba
Koha Javore
YouTube Preview Image