Ruzhdi Ushaku ofron çelësin për zgjidhjen e shumë enigmave

August 24, 2010   | Kulturë / Kultura

Çelës për zgjidhjen e enigmave

(Ruzhdi Ushaku, “ULQINI në përmasa kërkimi dhe frymëzimi, Fondacioni “Lika”, Ulqin, 2010)

Edhe pse esetë nuk kanë karakter përjashtimisht shkencor, imagjinata dhe përjetimet e autorit gërshetohen me faktet dhe të dhënat shkencore.
Në to autori ofron çelësin për zgjidhjen e shumë enigmave që edhe sot ekzistojnë mbi çështje dhe dukuri, që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë lidhen me Ulqinin.
Pas librit “Ulqini në gjurmët e shekujve” dhe monografisë “Ulqini nga dritaret e kohës”, prof. dr. Ruzhdi Ushaku i dhuron librin e tretë Ulqinit – qytetit të tij të lindjes, me titullin “ULQINI në përmasa kërkimi dhe frymëzimi”.
Libri përbëhet nga dy pjesë: pjesa e parë apo hyrja e titulluar “Mbi të kaluarën e Ulqinit” përbën një zgjerim dhe plotësim në krahasim me librin “Ulqini në gjurmët e shekujve”, të botuar në vitin 1991.
Në të autori flet për historinë e këtij qyteti, ngjarjet dhe personalitetet që kanë shënuar jetën e tij që prej lindjes e pothuajse deri në ditët e sotme. Pjesën qendrore të librit e përbëjnë njëzet esetë e ndara dy pjesë: Pjesa e parë “Gjuha” e monumenteve” përfshin dhjetë ese ashtu si dhe pjesa e dytë “Reflekse gjuhësore – historike”. Edhe pse esetë nuk kanë karakter përjashtimisht shkencor, imagjinata dhe përjetimet e autorit gërshetohen me faktet dhe të dhënat shkencore.
Në to autori ofron çelësin për zgjidhjen e shumë enigmave që edhe sot ekzistojnë mbi çështje dhe dukuri, që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë lidhen me Ulqinin.
Prof. dr. Ruzhdi Ushaku, tani në pension, ka punuar si profesor në Universitetin e Prishtinës, ku ndër të tjera ka qenë kryetar i Departamentit të Romanistikës dhe kryetar i Këshillit Mësimor Shkencor të këtij universiteti. Në vitin 2006 ai është pranuar anëtar-akademik aktiv në Akademinë Evropiane të Arteve me seli në Leuze të Belgjikës.
Ai ka mbajtur ligjërata në disa universitete të huaja, përfshirë Universitetin e Sorbonës, si dhe ka përgatitur kandidatë për master dhe doktor në disa qendra universitare. Përveç librave “Ulqini në gjurmët e shekujve” dhe monografisë “Ulqini nga dritaret e kohës” (në bashkautorësi me prof. Jusuf Lika), prof. dr. Ruzhdi Ushaku ka botuar edhe librat “Kërkimet filologjike”, “Hipoteticne recenice sa SI u savremenom francuskom jeziku knjizevnih tekstova”, “Paralele të ligjërimit poetik”, “Hulumtime etnolinguistike”, “Veprimtaria shkencore e prof. dr. Ruzhdi Ushakut” (hartuar sipas koncepteve të Prof. dr. Jup Kastratit, nga materialet arkivore të prof. dr. Ruzhdi Ushakut) dhe “Ndihmesa onomatologjike nga hapësira iliro – arbërore”.
Libri “ULQINI në përmasa kërkimi dhe frymëzimi” është libri i nëntë i prof. dr. Ruzhdi Ushakut. Përpos veprave të përmendura, ai ka botuar rreth 100 punime – studime të veçanta shkencore edhe në gjuhë të huaja, si dhe paraqiti shumë rezultate shkencore, kumtesa, referime, me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar brenda vendit dhe në botën e jashtme.

I. Kallaba
Koha Javore

3