Rozana Radi: Ndalohet nga policia gjatë koncertit në Velipojë

August 26, 2010   | Lajmet / Vijesti

Vera është sezoni i pushimeve për shumicën, por ai i punës për këngëtaret shqiptare. Është koha kur pjesën më të madhe këngëtarët e kalojnë në makinë për të shkuar nga një plazh në tjetrin, sipas axhendës së koncerteve. Nuk bën përjashtim në këtë pikë as këngëtarja Rozana Radi, e cila këtë verë ka pasur një bum koncertesh nga jugu në veri të vendit.
Por, përveç lodhjes së rrugës, performancave në orët e vona të mbrëmjes dhe gëzimit që mund të të falë ndonjë orë plazhi gjatë orareve të lira, mund të ndodhin edhe të papritura të pakëndshme. Një e tillë i ka ndodhur mbrëmjen e së premtes, që lamë pas këngëtares Radi. Ndërsa ka qenë duke performuar në një prej lokaleve në Velipojë, policia ia ka behur aty dhe ka kërkuar nga këngëtarja të ndalë koncertin e saj. Lajmi në “Bluetooth”, erdhi po atë mbrëmje vonë nga një telefonatë misterioze, që thoshte se “është arrestuar Rozana Radi. Policët e kanë marrë në rajon!” Befasuese! Por, nga ana tjetër fakti që telefonata vinte me numër të fshehtë, edhe dyshimet tona si një kurth për këngëteren nuk munguan. Më tej një plazhist aty, (i njohuri ynë) na konfirmon ngjarjen. Sigurisht jo me këto nota tragjike, por ajo çfarë kishte ndodhur nuk ishte as më shumë as më pak, por respektimi i orarit 12:00 të natës, kur edhe ndalohet muzika në lokalet e natës.
Ngjarja
Ndërsa këngëtarja kishte nisur performancën e saj në skenë, ka mbërritur policia, e cila pa kontaktuar me ndonjë menaxher apo pronarin e lokalit ka shkuar direkt në skenë dhe i ka kërkuar këngëtares të ndalojë muzikën për shkak të urdhrit që është dhënë nga ministria e Mjedisit për t’u ulur muzika pas mesnatës. Këngëtarja fillimisht ka hezituar të ndërpresë këngën dhe ka shkëmbyer edhe disa fjalë me policët por debati nuk ka vazhduar gjatë pasi këngëtarja dhe gjithë të tjerët janë “dorëzuar” para uniformave blu. Menjëherë pas këtij konfirmimi kontaktuam me këngëtaren, e cila pranoi se çfarë kishte ndodhur e mandej sqaroi se “nuk është se pati ndonjë debat mes meje dhe policisë. Ata bënë detyrën e tyre ashtu siç dhe është lajmëruar që në orën 12 të natës mbyllet muzika, por mënyra ndoshta që përdorën mund të evitohej. E kam fjalën këtu për faktin që hipën në skenë. Gjithsesi, unë i respektoj ligjet e këtij vendi dhe nga ana ime nuk pati ndonjë hezitim për të ndaluar muzikën apo edhe ndonjë acarim siç mund të ketë komentuar ndonjë. Ajo që më erdhi keq ishte fakti se kishte shumë njerëz që kishin ardhur në koncert për të më parë dhe unë kisha kënduar vetëm tre këngë deri në atë çast. Për këtë më erdhi keq, për publikun vetëm!”
Sfidon “Eltia 5″
Nga ana tjetër kjo ngjarje e pakëndshme ndodhi vetëm në një javë distancë nga një sukses i vërtetë i këngëtares. Në një prej mbrëmjeve që Rozana Radi këndonte në Velipojë, i pranishëm në një tjetër pub ka qenë edhe grupi i mirënjohur “Elita 5″. Atmosfera në pub-in në të cilin këndonte Rozana siç edhe duket në foto ishte mëse e nxehtë ndërsa numëroheshin rreth 2200 të pranishëm. Pasi ka mbaruar performancën e saj, këngëtarja është afruar me miqtë e saj për të kërcyer pranë publikut, ndërsa sadisfaksioni ka qenë mëse i kuptueshëm. Por, çfarë ndodhte me grupin “Elita 5″, jo shumë larg këtij pub-i. Fotot e siguruara nga “Bluetooth” ishin impresionuese. Grupi që ka një karrierë të gjatë muzikore dhe ka jo pak hite, nuk ka mundur të mbledhë rreth vetes më shumë se 200 veta, të cilët siç edhe duken në foto janë çuar në këmbë pranë skenës ku interpretonin artistët. Siç duket të rinjtë e mbledhur në Velipojë atë natë kanë preferuar më shumë të ndjekin Rozana Radin, sesa grupin “Elita 5″.

Ilda Lumani
Bluetooth

YouTube Preview Image