Si do të duket skena e ardhshme politike në Ulqin?!

August 30, 2010   | Intervista / Intervju

E panjohura krijon frikë
Reagim ndaj vlerësimeve në konferencën për shtyp të Forcës së Re Demokratike lidhur me zgjedhjet e reja lokale në Ulqin, të numrit të fundit të “Kohës javore” me titull “Forca e sigurt në fitore”.

Po të përjashtojmë në reagim konstatimin se Forca e përshëndet vendimin e Presidentit të Malit të Zi për të dalë në zgjedhje i cili si konstatim është një dyftyrësi, por jo vetëm e këtij subjekti, por edhe e të gjitha subjekteve të tjera… ngase shkuarja në zgjedhje është një praktikë e re dhe e panjohur, kurse e panjohura vetvetiu është e frikshme, pra edhe për Forcën, shtojmë që për momentin do të ishim ndalur pak më gjatë për të zbërthyer konstatimin se “Forca edhe më herët ka konstatuar që rruga më e mirë për zgjidhjen e situatës politike në Ulqin është kthimi i mandatit të votuesve”. Mbase me këtë konstatim Forca sikur e fsheh dështimin e saj që edhe ajo të krijonte koalicion duke e ditur që në zgjedhjet e kaluara garuan 9 lista dhe tjetër duket sikur nuk dëshiron të pranojë që skena politike e Ulqinit është e mangët dhe e gjymtë dhe se koalicioni nuk u arrit nga asnjë grupim pikërisht si rezultat i aftësive të kufizuara të tyre programore po edhe thjesht të interesave personale të aktorëve të skenës politike. Ajo që bie në sy mendojmë që zgjedhjet e parakohshme nuk janë zgjidhje e problemit, por janë vetë problemi qoftë për Forcën e Re demokratike si dhe për grupimet e tjera të cilat si duket kanë krizë të identitetit programor, andaj edhe ky subjekt ishte pjesë e krizës dhe gjeneratore e krizës pasi nuk mundi të siguronte partnerë të sigurt për ushtrimin e koalicionit në nivelin lokal. Si rezultat i ngjashmërisë programore dhe interesave personale dhe suitave, grupimi i partive të opozitës nuk mundi të sigurojë koalicion ndoshta si rezultat edhe i vet; mangësive të Forcës e cila në vend që t’i kultivonte dhe ndihmonte partnerët e grupimit të vet politik të cilët edhe e sollën në pushtet në legjislacionin e kaluar në Ulqin ajo për çudi i përpiu aleatët e mundshëm LD, BDSH e Perspektivë duke përgjysmuar elektoratin e tyre e kjo bën që ata të ndjehen të fyer e të poshtëruar nga ambiciet megalomane të këtij grupimi politik i cili në koncept është më tepër një subjekt monist duke përngjarë në një lëvizje qytetare shqiptare të viteve të 90 – ta. Duket që ajo në esencë mu si Lidhja Demokratike shpik armiq politikë për t’i hapur rrugë një despotizmi partiak, shkel ngjashëm statutin dhe programin e vet duke mos mbajtur rregullisht kuvende zgjedhore. Shtojmë që qëndron e vërteta që s’thuhet e cila bën që grupimet LD – BDSH – Perspektivë të ndihen më tepër të rrezikuara nga vetë fuqia e Forcës sesa nga fuqia e Koalicionit “Për Ulqinin evropian” dhe nga Partia e Prosperitetit Demokratik. Si duket, këto kahe të zhvillimit dhe evoluimit të elektoratit pro Forcës dhe kundër subjekteve të lartpërmendura në fakt është një “e mirë politike” për Forcën e që në esencë është “e keqe”. Shprehur me gjuhën hyjnore do kishim thënë se aktualisht po ngjet ajo që thuhet, “ka do gjëra që ju mendoni se janë mirë për ju e ato janë keq për ju e ka do gjëra që ju mendoni se janë keq për ju e ata janë mirë për ju”. Thënë më shkurt, Forca manipulon me votuesit e saj duke i motivuar gjoja me rritjen e numrit të votuesve e që në fakt kemi të bëjmë me një hajni të votave të anëtarëve të bllokut të vet politik. Edhe sikur të ndodhte ajo që i thonë “çka do të ishte po të ishte….” që Forca të fitojë pushtetin e duke e ditur që pushteti edhe për një vit do të jetë i ndarë, pra do t’i takonte koalicionit “Për Ulqinin evropian”, atëherë 50 % i pushtetit që do të fitojë Forca, do të ishte tepër i ngushtë për subjektet e këtij grupimi dhe pakënaqësisë politike të subjekteve me aftësi të kufizuara do t’i shtohej edhe sulmi i koalicionit qeverisës DPS – UDSH po edhe pakënaqësia ta quajmë e “burokracisë urbane” e grumbulluar në partinë Socilademokrate e cila e prishi kurorëzimin idilik me koalicionin “Për Ulqinin evropian”. Pa dyshim që kjo do të prodhonte nervozizëm dhe shpartallim të idilës partiake e cila më parë shquante koalicionin “Për Ulqinin evropian”. Këtë konstatim e nxjerrim mbi bazën e hesapeve urbane të PSD–së e cila ka paralajmëruar që do t’i bashkëngjitet grupimit të Forcës së Re Demokratike. Sa për konstatimin që “Ai (Cungu) u shpreh i sigurt se qytetarët e Komunës së Ulqinit besojnë në mënyrë masive te programi – kuadrot … e Forcës” shpjegojmë se tash u kuptua nga të gjithë që programi i Forcës, sidomos ai që ka të bëjë me turizmin dhe ai i bujqësisë (Agropro) ka dëshmuar që është i pazbatueshëm sepse shtimi i kapaciteteve hoteliere turistike në Ulqin si dhe grumbullimi apo shitja e prodhimeve bujqësore në një vend të tretë nuk janë punë të pushtetit lokal, por të pushtetit qendror. Dëshirojmë të mendojmë që kjo është një “floskulë” e shpikur nga vetë Forca të cilës edhe ata vetë nuk i besojnë ngase jemi duke folur për zgjedhje lokale e jo për zgjedhje parlamentare. Ka zëra ndër qytetarë të cilët pohojnë se ndihen të mashtruar, sepse “Agropro” si shoqatë që udhëhiqet direkt nga z. Cungu nuk siguroi grumbullim të prodhimeve bujqësore me çmim të volitshëm siç ishte premtuar, por mjetet e gjetura nga subvencionet e ndryshme u përdorën për të blerë shalqinj në Shqipëri. Ndërsa për ata të cilët janë mirë të informuar cekim se programi bujqësor i ofruar qytetarëve të Anës së Malit ishte thjeshtë një kompilim kompjuterik i hartuar brenda një ore. Qarjet në zgjedhjet që shkuan se gjoja ishin të parregullta dhe me mjaft veprime të dyshimta gjithsesi nuk qëndrojnë sepse Forca në çdo vendvotim kishte anëtarët e vet dhe të gjithë në mënyrë të rregullt i nënshkruan procesverbalet. Kurse grupimit qytetar Perspektiva i cili dyshonte për parregullsi iu mundësua hapja e kutive dhe çdo gjë rezultoi e pastër. Tjetër, gjithashtu nuk qëndron as pohimi kur ajo thotë: “Forca paska parë hapjen e vendeve fiktive të punës” vetëm për të hequr votat, investime sipërfaqësore elektorale… shpërndarje të çimentos, hekurit e zallit, shantazhe me largim nga puna, konstatojmë që në këtë aspekt Forca nuk ndryshoi aspak në metodë të manipulimit dhe mashtrimit të votuesve sepse edhe ajo bëri të njëjtën gjë, shpërndau zall, çimento dhe hekur, madje shpërndau edhe zarfe me të holla si dikur partia në pushtet në zgjedhjet e mëhershme parlamentare. Me këtë ajo nuk dalloi fare nga partia në pushtet çka nuk është e mirë të blejë votat mu si pozita! Mendojmë që sikur të ngjiste një dyluftim i ri i qeseve të biznesit të Forcës dhe i qeseve buxhetore komunale e republikane atëherë padyshim që më keq do të kalonte biznesi i Forcës. Dhe së fundmi, në konferencën e saj për shtyp me thirrjen që i bëri komunitetit ndërkombëtar të pranishëm në Mal të Zi dhe mediave malazeze e shoqërisë civile që “me kujdes të përcjellin zgjedhjet” te njohësi i këtyre rrethanave krijon ndjenjën që ky grupim politik i ka frikë zgjedhjet dhe me këtë konstatim zbulon thembrën e vet të Akilit, pra dobësinë e saj sepse sipas Ligjit në fuqi mbi organizimin e partive politike në Mal të Zi, në fuqi, subjektit, kahmoti i ka pushuar mandati i organizimit politik. Që të jemi më të qartë, nëse subjekti nuk arrin të mbajë kuvendin e vet zgjedhor deri më 25 shtator të këtij viti, e humbë të drejtën e daljes në zgjedhje. Nga ana tjetër, sikur ta mbante kuvendin zgjedhor të vetin nuk përjashtohet mundësia e çekuilibrimeve të brendshme të klaneve duke iu përsëritur kështu historia e Lidhjes Demokratike e zgjedhjeve të fundit e cila guxoi e shkoi në kuvend zgjedhor në prag të zgjedhjeve e që rezultoi më pas me shpartallimin total të sajin duke fituar vetëm një gjysmë mandati. Kujtojmë, që, ky subjekt, LD, në zgjedhjet e para 20 viteve në Ulqin fitoi 22 mandate. Sido që të jetë e panjohura krijon huti dhe frikë. Thonë se frika i bashkon njerëzit dhe një gjë mbase është e qartë në zgjedhjet e ardhshme, numri i partive që do të garojnë në zgjedhje nuk do të jetë më tepër i lartë. Kurse partitë e vogla dhe grupimi qytetar e humbën shansin për të mbijetuar në mozaikun e ardhshëm pluralist të Ulqinit.

(autori ishte kryetar i Kuvendit Komunal të Ulqinit)

Muhamet Nika
Koha Javore

5