FORCA për bashkim të faktorit Shqiptar kunder pushtetit aktual

September 5, 2010   | Shtypi / Mediji

Në mbledhjen e Këshillit qendror të mbajtur me 03.09.2010, pas vendimit të nxjerrë, Forca del me këtë deklaratë që e përcjellim:

Të nderuar qytetarë,

Forca e Re Demokratike, si partia shqiptare më e fuqishme në Komunën e Ulqinit ka ftuar në një tryezë të rrumbullakët të gjitha partitë shqiptare opozitare në përpjekje për t’u futur në zgjedhje të reja me një bashkim të faktorit shqiptar kundër pushtetit aktual. Ne kemi parashikuar një darkë pune me përfaqësuesit e këtyre partive të dielën.

Rezultatet e zgjedhjeve të kaluara e treguan qartë që qytetarët e Ulqinit kanë votuar për t’i thënë ndal qeverisjes së deritanishme. Duke patur parasysh kushtet ekstreme ku është katandisur komuna e Ulqinit nevojitet që të gjithë ne të angazhohemi për ta rimëkëmbur komunën dhe për t’i dhënë një të ardhme më të mirë fëmijëve tonë. Fatkeqësisht përçarja e partive ka bërë që shumë vota opozitare të shkojnë dëm e mos të përkthehen në mandate të anëtarëve të kuvendit komunal.

Gjithashtu kjo përçarje e madhe ka ngjallur skepticizëm të thellë tek qytetarët tanë dhe ka bërë që një pjesë e mirë e tyre të mos dalin fare në zgjedhje. Duhet vënë gjithashtu në dukje, se Forca e ndërmerr këtë iniciativë edhe në shenjë mirënjohje e konsiderate për kërkesat e vazhdueshme të diasporës sonë e cila nuk ka rreshtur së bëruri thirrje për bashkim. Përpos kësaj, sistemi zgjedhor parashikon ndarjen e mandateve nëpërmjet formulës d’Hondt prandaj ne jemi të bindur se nëpërmjet një koalicioni të gjerë do të sigurohen më shumë mandate për ta rrëzuar qeverisjen e deritanishme.

Prandaj ne ftojmë partitë e ndryshme opozitare shqiptare që të marrin të gjitha pjesë në këtë takim dhe të sillen në mënyrë sa më konstruktive dhe të përgjegjshme për të mirën e qytetarëve. Gjithashtu ne i bëjmë thirrje qytetarëve të Ulqinit dhe mbarë diasporës, që të ushtrojë presion ndaj përfaqësuesve e tyre të ndryshëm politik, në mënyrë që liderët e partive shqiptare të lënë mënjanë ndasitë, mosmarrëveshjet  apo grindjet personale e të bashkëpunojnë për një të ardhme më të mirë të popullit tonë.



Sherbimi per Informim i Forces
YouTube Preview Image

15