LD në MZ shënon 20 vjetorin e themelimit – Video

September 11, 2010   | Ngjarjet - Events

Ditën e sotme para njëzet vitesh, u themelua LD në MZ, partia e parë nacionale shqiptare në Mal të Zi.

Me jetësimin e sistemit shumëpartiak në këto hapësira, qytetarët shqiptar, duke vlerësuar nevojën e vetëorganizimit politik themeluan subjektin e parë nacional, duke kontribuar në këtë mënyrë në realizimin e shumpartiaksisë pas periudhës moniste gjysmëshekullore në këtë rajon.

Themelimi i partisë së parë nacionale shqiptare, u mirëprit nga qytetarët e këtij etniteti në këto hapësira, të bindur se në këtë mënyrë do të afirmojnë dhe realizojnë vlerat dhe interesat e veta nacionale.

Këtë e dëshmoi më së miri përkrahja e dhënë në zgjedhjet e para parlamentare, të mbajtura të njëjtin vit pasi që LD në MZ duke fituar përkrahje të konsiderueshme fitoi numër maksimal të mandateve në përbërjen e parë shumëpartiake në parlamentin e atëhershëm të Malit të Zi.

Edhe pse në atë kohë kishte filluar shpërbërja e ish Jugosllavisë, LD vazhdoi veprimtarinë e vet politike në kontinuitet , si mbrojtës i denjë i vlerave dhe interesave të popullatës shqiptare në këto hapësira, duke mos u kursyer të ngrisë zërin në zgjidhjen dhe definimin e çështjes shqiptare , me theks të veçantë në përmirësimin e statusit të banorëve shqiptar në Mal të Zi.

Falë angazhimit të këtillë të pakursyer, LD në MZ, së shpejti u bë subjekt i respektuar politik , jo vetëm në skenën politike në Mal të Zi, por edhe në skenën ndërkombëtare, në veçanti në hapësirat tjera shqiptare në rajon.

Edhe krahas vështirësive të shumta në rrugën e veprimtarisë së vet politike, LD në MZ i mbijetoi të gjitha sfidat e kohës, duke vazhduar veprimtarinë parlamentare në nivelin shtetëror, por edhe në kuvendet lokale , në komunat në të cilat jetojnë qytetarë shqiptar.

LD në MZ , në kuadër të veprimtarisë së vet , është e organizuar në degë dhe nëndegë, duke vepruar kështu në të gjitha komunat dhe trevat ku jetojnë banorë shqiptarë.

Andaj, në këtë përvjetor të rëndësishëm , jo vetëm për këtë subjekt politik, por edhe për qytetarët shqiptar në Mal të Zi, i përgëzojmë të gjithë anëtarët, simpatizuesit dhe udhëheqësin e kësaj partie në veprimtarinë e deritashme politike , në veçanti në ruajtjen e vazhdimësisë dhe angazhimin maksimal në jetësimin e pikësynimeve programore të këtij subjekti partiak.

RTCG


YouTube Preview Image

5