Sezoni më i suksesshëm në dy dekadat e fundit në Ulqin – Video

September 13, 2010   | Turizmi / Turizam

Komuna e Ulqinit dhe Organizata Turistike e Ulqinit e vlerësojnë shumë të suksesshëm sezonin e sivjetshëm turistik në Ulqin
Ulqin – Komuna e Ulqinit dhe Organizata Turistike e Ulqinit e vlerësojnë të suksesshëm sezonin e sivjetshëm turistik në Ulqin. “Është konstatim i përgjithshëm, jo vetëm i yni si pushtet vendor, por edhe i përfaqësuesve të hoteleve, plazheve, biznesit, i vetë mysafirëve, por dhe i njohësve të situatave turistike që sezoni i këtij viti ka qenë shumë i suksesshëm dhe mjaft nga ata, atë e cilësojnë si sezoni më i suksesshëm në dy dekadat e fundit”, ka thënë të martën kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, në konferencën e përbashkët për shtyp me drejtorin e Organizatës Turistike të Ulqinit, Ali Rexha, dhe sekretarin për Ekonomi, Vaso Radoviq. Hajdinaga ka potencuar si fakt pozitiv rritjen e numrit të turistëve të huaj. “Ajo që dua të veçoj dhe që na gëzon të gjithëve është numri gjithnjë e në rritje i turistëve të huaj të cilët kanë preferuar për pushime në këtë kohë të krizës universale Ulqinin si destinacion të tyrin”, ka thënë ai. Kryetari i Komunës së Ulqinit ka falënderuar elektrodistribucionin, NKP Ulqini, Shtëpinë e Shëndetit në Ulqin, Shërbimin e Zjarrfikësve, policinë dhe drejtuesit e tyre që kanë kontribuar në mbarëvajtjen dhe suksesin e këtij sezoni. Edhe drejtori i Organizatës Turistike të Ulqinit, Ali Rexha, e ka cilësuar sezonin e sivjetshëm turistik si një ndër sezonet më të suksesshme të viteve të fundit. Ai e ka mbështetur pohimin e tij në statistikën zyrtare për tetë muajt e këtij viti. “Numri i përgjithshëm i mysafirëve është 100 512, të cilët kanë realizuar 684 412 fjetje. Prej tyre të vendit 75 692, kurse të huajt 608 720. Sipas këtyre të dhënave në Ulqin kemi pasur një rritje prej 10 për qind në krahasim me vitin e kaluar e që është 3 për qind më e madhe se mesatarja e përgjithshme në tërë Malin e Zi deri tani”, ka thënë Rexha. Sipas drejtorit të Organizatës Turistike të Ulqinit, struktura e mysafirëve tregon se është ruajtur tregu tradicional nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria të cilët përbëjnë 71.4 për qind të mysafirëve si dhe nga Mali i Zi me 12 për qind. “Njëkohësisht kemi kthyer mysafirë nga rajonet e afërta – Bosnja, Serbia, nga Evropa Lindore e Qendrore – Çekia, Sllovakia, Polonia, Hungaria, Rumania, Rusia. Shihet edhe rritja e numrit të mysafirëve dikur shumë prezentë e të mirëseardhur nga Gjermania dhe vendeve të tjera të Evropës Perëndimore me një përqindje prej 16.6 për qind”, ka thënë Rexha. Sekretari për ekonomi i Komunës së Ulqinit, Vaso Radoviq, e ka cilësuar sezonin e sivjetshëm turistik të suksesshëm jo vetëm sa i përket numrit të turistëve dhe fjetjeve, por edhe efekteve financiare. “Rezultati i këtij sezoni turistik nuk ka qenë i rastësishëm, por është fryt i aktiviteteve të planifikuara dhe të realizuara mirë në përgatitjen e sezonit turistik të cilat kanë filluar që në shtator të vitit të kaluar”, ka thënë ai. Radoviq ka nënvizuar bashkëpunimin e mirë me inspeksionet kompetente shtetërore, sidomos me Inspeksionin Turistik shtetëror.

i.k.
Koha Javore
YouTube Preview Image