U përurua libri i Prof. Dr. Ruzhdi Ushakut – Ulqini

September 13, 2010   | Intervista / Intervju, Kulturë / Kultura

U përurua libri i Prof. Dr. Ruzhdi Ushakut “ulqini në përmasa kërkimi dhe frymëzimi”

Gërshetim i fiksionit dhe realitetit historik

“Ky libër e tregon Ushakun një dijetar sinkretik dhe mjeshtër sinkronik e diakronik, krahësimtar, filolog race, i dashuruar me arkeologjinë, kronikat, mitologjinë ilire, antikitetin, mesjetën, koreografinë, muzikën, skulpturën, grafikën, folklorin, për të prerë, skalitur, një profil të përveçëm të një antropologjie kulturore të Ulqinit historik”, tha studiuesi dr. Moikom Zeqo.

Në Galerinë “Art” të Qendrës së Kulturës në Ulqin të hënën u bë përurimi i librit të prof. dr. Ruzhdi Ushakut “Ulqini në përmasa kërkimi dhe frymëzimi”. Ky libër u vlerësua lart nga studiuesit dr. Moikom Zeqo dhe dr. Sabina Osmanoviqi. Dr. Moikom Zeqo e cilësoi prof. dr. Ruzhdi Ushakun “dijetarin më të shquar të dalë nga Ulqini që nga origjinat e deri më sot”. Duke folur për librin “Ulqini në përmasa kërkimi dhe frymëzimi”, Zeqo tha se “ky është një libër potencial me një cikël bërthamash subjektore, me mundësi shumëfishimesh të pambarimta, që janë grishje të brendshme, frymëzime të thella, dlirësuese, me estetika të ndërlikuara njohjeje shpirtërore, plot ripërtëritje të pashmangshme, ndërdisiplinore, polifonike.” Ai tha po ashtu se “ky libër e tregon Ushakun një dijetar sinkretik dhe mjeshtër sinkronik e diakronik, krahësimtar, filolog race, i dashuruar me arkeologjinë, kronikat, mitologjinë ilire, antikitetin, mesjetën, koreografinë, muzikën, skulpturën, grafikën, folklorin, për të prerë, skalitur, një profil të përveçëm të një antropologjie kulturore të Ulqinit historik.” Studiuesja dr. Sabina Osmanoviq theksoi se “në këtë libër del në pah shpirti krijues i autorit duke ndarë me lexuesin ndjesitë dhe përjetimet gjatë kërkimeve të mundimshme shumëvjeçare shkencore.” Për të ky libër është një gërshetim i fiksionit dhe ralitetit historik, mitikës dhe fakteve shkencore. “Duke u shërbyer me disiplinën e onomastikës dhe asociacioneve gjuhësore, profesor Ushaku ndërmerr zbërthimin gjenealogjik të emërtimeve duke zgjedhur kështu një mënyrë origjinale për të shuar kureshtjen e tij prej shkencëtari”, tha ajo. Osmanoviq theksoi se Ushaku “me misionin orfeik, u jep zë monumenteve, dialogon me Hije dhe i gjallëron legjendat.” Sipas saj „te ky autor ndjehet synimi për të ngritur teza të reja, këndvështrime dhe qëndrime objektive kundrejt teorive ekzistuese shkencore që e bën këtë libër të ketë natyrë hulumtuese, në anën tjetër literaturës shkencore autori i jep konfiguracion frymëzues letrar falë formës eseistike që mundëson rindërtim emocional të ngjarjeve dhe të dhënave historike.“ Autori i librit prof. dr. Ruzhdi Ushaku i falënderoj të gjithë ata që e kanë ndihmuar për publikimin e këtij libri, qoftë materialisht apo në forma të tjera e që sipas tij kanë bërë që ky libër, siç tha ai, “të dalë tani e jo pas dy apo tri vjetësh”. Ushaku tha se “ka qenë shumë vështirë të arrij deri te kjo ditë që të dalë në dritë ky libër.” Ai “zbuloi” se rruga e realizimit të këtij libri ka filluar pas vitit 1991, me kërkime dhe frymëzime të kohë pas kohshme, për t’u finalizuar në vitin 2008. Libri “Ulqini në përmasa kërkimi dhe frymëzimi” përbëhet nga dy pjesë: në pjesën e parë apo hyrjen e titulluar “Mbi të kaluarën e Ulqinit”, autori flet për historinë e këtij qyteti, ngjarjet dhe personalitetet që kanë shënuar jetën e tij që prej lindjes e pothuajse deri në ditët e sotme. Pjesën qendrore të librit e përbëjnë njëzet esetë e ndara në dy pjesë: Pjesa e parë “Gjuha” e monumenteve” përfshin dhjetë ese ashtu si dhe pjesa e dytë “Reflekse gjuhësore – historike”. Prof. dr. Ruzhdi Ushaku ka botuar deri tani librat: “Kërkime filologjike”, “Hipoteticne recenice sa SI u savremenom francuskom jeziku knjizevnih tekstova”, “Paralele të ligjërimit poetik”, “Ulqini në gjurmët e shekujve”, “Hulumtime etnolinguistike”, “Veprimtaria shkencore e prof. dr. Ruzhdi Ushakut” (hartuar sipas koncepteve të prof. dr. Jup Kastratit, nga materialet arkivore të prof. dr. Ruzhdi Ushakut), “Ndihmesa onomatologjike nga hapësira iliro – arbërore” dhe monografinë “Ulqini nga dritaret e kohës” (në bashkautorësi me prof. Jusuf Lika). Libri “ULQINI në përmasa kërkimi dhe frymëzimi” është libri i nëntë i tij. Përurimi i librit u organizua nga Fondacioni “Lika” në bashkëpunim me Qendrën e Kulturës Ulqin.

Ushaku, jo vetëm studiues

Përpos si studiues, prof. Dr. Ruzhdi Ushaku u prezantua në këtë mbrëmje edhe si krijues muzikor. Krahas leximit të fragmenteve nga esetë „Te themelet e Olciniumit“ dhe „Vijnë vaporet…“ nga Rita Lulgjuraj, vajza e tij Adelina luajti në piano ndër të tjera një pjesë të komponuar nga prof. Dr. Ruzhdi Ushaku, ndërsa Grupi i burrave „Kalimera“ interpretoi një këngë të realizuar sipas tekstit të tij.

i.k.
Koha Javore
Fotografijat nga Ismet Karamanaga Facebook


YouTube Preview Image