Autostrada e afroi Kosovën edhe me Ulqinin

September 14, 2010   | Ekonomia / Ekonomija

Ulqin, 14 shtator – Falë Autostradës Durrës-Kukës, sivjet Shqipëria dhe Kosova janë më pranë Ulqinit dhe sipas autoriteteve të kësaj komune, stina e sivjetme turistike është më e suksesshmja e njëzet vjetëve të fundit, raporton KosovaLive.

Rivierën e këtij qyteti bregdetar sivjet e kanë zgjedhur për pushime verore 100.512 turistë të regjistruar, të cilët kanë realizuar 684.412 bujtje.

Ndonëse tash shumë të rrallë, autobusët dhe makinat nga Republika e Kosovës, të cilat kanë hyrë nëpërmjet pikës kufitare të Kullës për në Ulqin, sivjet nuk janë qëlluar më me gurë sikur më parë.

“Është konstatim i përgjithshëm, jo vetëm i yni si pushtet lokal, por edhe i përfaqësuesve të hoteleve, plazheve, biznesit, i vetë pushuesve, si dhe i njohësve të rrethanave turistike se sezoni i këtij viti cilësohet si sezoni më i suksesshëm në dy dekadat e fundit,” thotë kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga.

Hajdinaga si element pozitiv përmend shtimin e numrit të pushuesve nga vendet e huaja, ndonëse “është kohë e krizës universale, ata Ulqinin e kanë zgjedhur si destinacion të tyrin”.

Kryetari i Komunës së Ulqinit falënderon Elektrodistribucionin, Ndërmarjen Publike Komunale, Shtëpinë e Shëndetit, Shërbimin e Zjarrfikësve, policinë dhe drejtuesit e tyre që kanë kontribuar në mbarëvajtjen dhe suksesin e këtij sezoni.

Edhe drejtori i Organizatës Turistike Komunale, Ali Rexha thotë se struktura e mysafirëve tregon se është ruajtur tregu tradicional nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria të cilët përbëjnë 71.4 për qind të pushuesve si dhe nga Mali i Zi me 12 për qind.

Ai nënvizon se kanë kthyer mysafirë nga rajonet e afërta – Bosnja, Serbia, si dhe nga Evropa Lindore e Qendrore.

Autoritetet e pushtetit vendor të Ulqinit vlerësojnë se rezultati i këtij sezoni turistik nuk ka qenë i rastësishëm, por është fryt i aktiviteteve të planifikuara dhe të realizuara mirë në përgatitjen e sezonit turistik të cilat kanë filluar që në shtator të vitit të kaluar.

KOHA NET

YouTube Preview Image
1