Prof.dr.Ruzhdi Ushaku krijues i etnicitetit kombëtar

September 14, 2010   | Opinione

Përurimi i një libri është një proces, një mënyrë identifikimi, pasaportizimi i autorit dhe subtancës, i dy individualiteteve në një sintezë gjithëpërfshirëse: i një qyteti të stërlashtë, mbijetues, dhe i birit qytetar që e rishpirtëron historinë e këtij qyteti të famshëm. Libri i Ruzhdi Ushakut “ULQINI në përmasa kërkimi dhe frymëzimi” si botim i Fondacionit “Lika”, Ulqin 2010, është përpara nesh për të mos qenë i mbyllur, por përherë i hapur. Se s’ka si të ndodhë ndryshe!
Libri e ka një Parathënie dhe Hyrje “Mbi të kaluarën e Ulqinit”, si dhe dy pjesë: Pjesa e parë – “Gjuha” e monumenteve dhe Pjesa e dytë – Reflekse gjuhësore – artistike dhe finalizohet me një Shtojcë: Gjuhë e përmasa patronimike dhe Prof. dr. Ruzhdi Ushaku krijues i etnicitetit kombëtar. E pra, kjo hapësirë tipografike e artit grafik të librit, me referencat e pasura dhe ilustrimet tipologjike e ka një frymëzim të mrekullueshëm dhe të pashterrshëm dhe dendësi kohe afro gjysmë shekulli të njeriut hulumtues i një bibliografie shkencore dhe koleksioni mitesh, krijues, diturak, me një vëmendje të pakrahasueshme, me një akribi të admirueshme, me një koncentrim të kohërave kujtesore të Ulqinit dhe të hinterlandit, me një stil të gjallë, zhbirues, inteligjent, të ndritshëm, simbiologjik dhe semantik. Dijetari më i shquar i dalë nga Ulqini që nga origjinat e deri më sot, me një mbiemër admiralësh, por i specializuar në detarinë e shkrimit, Ruzhdi Ushaku, miku im i veçantë, i nderuar, e ka bërë këtë libër portretizues, që s’e ka bërë askush deri tani, pra, që e ka bërë substancialisht vetëm ai. Kjo nuk është pak, përkundrazi është shumë. Ky është një libër potencial me një cikël bërthamash subjektore, me mundësi shumëfishimesh të pambarimta, që janë grishje të brendshme, frymëzime të thella, dlirësuese, me estetika të ndërlikuara njohjeje shpirtërore, plot ripërtëritje të pashmangshme, ndërdisiplinore, polifonike. Ky libër e tregon Ushakun një dijetar sinkretik dhe mjeshtër sinkronik e diakronik, krahësimtar, filolog race, i dashuruar me arkeologjinë, kronikat, mitologjinë ilire, antikitetin, mesjetën, koreografinë, muzikën, skulpturën, grafikën, folklorin, për të prerë, skalitur, një profil të përveçëm të një antropologjie kulturore të Ulqinit historik. Se sa e mundimshme është të arrihet një gjë e tillë, këtë e di më mirë vetë ai; ne të tjerët e kemi më të lehtë ta lexojmë dhe ta kuptojmë. Kjo është paradigma! Pa këtë libër Ulqinit dhe kulturës shqiptare do t’i mungonte pafundësisht diçka e patjetërsueshme, sidomos në epokën e sotme globale, për të cilën filozofi Jean Baudrillard në librin e tij tronditës “Cool memories IV” profetizon edhe paradoksin e rrezikut të zbehjes së identiteteve kulturore të popujve të vegjël, për shkak të autoritarizmit të kulturave perandorake moderne. Përmenda detarinë e shkrimit. Librat janë anijet e “piratit” dhe zbulimtarit Ruzhdi Ushaku mbi dallgët e errëta të të panjohurave, në këtë kuptim metaforik ekuipazhi i tij janë lexuesit e tij. Së bashku lundrohet, jo veç e veç. Jashtë këtij kuptimi s’ka asnjë lundrim të vërtetë të njohjes dhe të dashurisë që nuk vdes. Thelbi i këtij lundrimi sinoptik është si kërkimi etimologjik i kuptimshmërisë dhe formimit të fjalëve. Ushaku kërkon “etimologjitë e pashkruara” të monumenteve, të misterit të malit të Sumës, të ublave që sfidojnë Bindin, të Gjirit të Nausikës, të “Gusharavelit” enigmatik dhe tharmit të valles pirrike, si dhe zbulimit të dimensionit muzikor, të alfabetit solfezhor për Ulqinin e tij dhe tonin. Kështu shumëdimensionaliteti njësohet! Ja si etimologjitë e fjalëve bëhen etimologji e sendeve, etimologjitë e të vdekurve bëhen etimologji e të gjallëve! Ky është sekreti, për të arritur një qetësi të ëndërruar!

Dr. Moikom Zeqo
Koha Javore
YouTube Preview Image