Shkreli: Pushteti në Ulqin vetëm në bashkëqeverisje

September 16, 2010   | Shtypi / Mediji

Ulqin, 16 shtator – Partitë politike relevante në Ulqin, të cilat pretendojnë të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme lokale më 17 tetor, pohojnë se në këto zgjedhje asnjë parti nuk do të arrijë të marrë vetëm pushtetin vendor.

Kryetari i Këshillit Komunal të Partisë Demokratike të Socialistëve (PDS) në pushtet, Luigj Shkreli pranon se as partia e tij nuk mund të marrë pushtetin absolut në Ulqin pa hyrë në koalicion, raporton KosovaLive.

“Ne në nivelin lokal tash disa vjet jemi partnerë me Unionin Demokratik të Shqiptarëve. Me vendimin që PDS të dalë vetëm në zgjedhjet në Ulqin, nuk do të thotë edhe shpërbërje e koalicionit me askënd”, thotë Shkreli.

Ai nuk anashkalon asnjë parti me opsion të njejtë për bashkërenditje për të stabilizuar skenën politike në Ulqin dhe valorizimin e të gjitha potenciale natyrore, sidomos të Plazhit të Madh, të Grykës së lumit Buna dhe ishullit Ada.

Shkreli, i cili nga viti 2006 kryeson koalicionin “Për Ulqinin evropian” që ushtron pushtetin lokal, pranon se infrastruktura rrugore nuk është në nivelin që meriton Ulqini, duke e ditur se gjatë stinës së verës pushojnë deri në 120 mijë turistë ditor.

Partitë opozitare shqiptare që kryesohen nga Forca e Re Demokratike nuk japin asnjë të dhënë lidhur me negociatat e filluara në Shkodër rreth koalicionit eventual për zgjedhjet e ardhshme lokale të 17 tetorit.

Karshi tyre, shtatë partitë proserbe dhe një myslimane kanë nënshkruar marrëveshje për të dalë me një listë “për të përmbysur pushtetin lokal në Ulqin.”

KOHA NET