Rekordi pozitiv i qytetareve dhe rekordet negative te qeveritareve

September 17, 2010   | Politika

Botuar tek Koha Javore.

Me  rastin e mbylljes së sezonit të suksesshëm të turizmit qeveritarët e Komunës së Ulqinit u ngutën për të përfituar nga rasti dhe për të përvetësuar meritën për këtë arritje të qytetarëve mikpritës të Ulqinit. Në fakt ky sezon ishte vetëm dhe vetëm meritë e biznesmenëve dhe qytetarëve ulqinak të cilët kanë ringjallur shpresën për të ardhmen e Ulqinit.

Sikurse edhe Forca e Re Demokratike e ka deklaruar gjithmonë  qoftë në programin e saj e qoftë nëpërmjet deklaratëve Ulqini ka një potencial të madh për t’u zhvilluar, mirëpo qeverisja e ka penguar shfrytëzimin në maksimum të këtij potenciali. Sezoni i kaluar e dëshmoi këtë fakt. Nëse nga një anë qytetarët e Ulqinit korrën sukses, nga ana tjetër qeverisja e Komunës së Ulqinit ka arritur rekordet e saja më të këqija. Pra, fatkeqësisht ky vit nuk ka qenë vetëm i një rekordi të mirë, siç ishte ai i numrit të turistëve. Por ka qenë edhe vit i rekordeve të këqia që vijnë si pasojë e paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë së pushtetit aktual. Ky vit ka qenë rekord i papastërtisë, me deponi të përhapura anembanë komunës së Ulqinit duke rrezikuar seriozisht shëndetin e qytetarëve dhe pushuesve. Ky vit ka qenë rekord sepse si asnjehërë të dy kolektorët e derdhjes së ujërave të zeza nuk kanë funksionuar edhe pse pompat janë të reja të sjella nga donatorë të huaj, tubacionet kanë qenë të bllokuara dhe derdhjet janë bërë në breg duke sjelljë një ndotje serioze afër zonave turistike. Rasti më flagrant i papastërtisë dhe i indiferencës së drejtuesve të Komunës së Ulqinit është ai i Porto-Milenës që vazhdon të jetë një bombë ekologjike. është tragjik fakti që hoteli i vetëm me pesë yje në Ulqin, Hotel Iberostar Otrant, u mbajt mbyllur pikërisht prej ndotjes. Jo vetëm që është lejuar përkeqësimi i gjendjes në Porto Milenë por edhe deponia e Hijës është shndërruar në një bombë të tillë për bregdetin tonë dhe përpos kësaj janë toleruar deponi të egra si ajo e Primorjes apo e të tjerave lokacioneve duke e shndërruar Komunën e Ulqinit në një territor me ndotje të krahasueshme vetëm me vendet afrikane.  është veccanërisht e turpshme që Komuna e Ulqinit është shndërruar në një kosh plehrash për mbeturinat e tivarit.

Ky vit ka qenë gjithashtu rekord edhe i mos-furnizimit me ujë të pishëm, duke patur ndërprerje të panumërta dhe duke patur presion të ujit jashtëzakonisht të ulët. Qendrat e mëdha turistike janë lënë të pafurnizuara dhe madje Ada Bojana është detyruar që ta gjej vetë një furnizim alternativ dhe e ka ndërprerë furnizimin nga ujësjellësi publik. Nga njëra anë furnizimi ka qenë jashtëzakonisht i dobët por nga ana tjetër uji në Komunë e Ulqinit ka  një çmim rekord të lartë. Nëse fal punës dhe aftësive të qytetarëve të Ulqinit ne kemi pasur rekord me turistë, komuna ka thyer vecc rekorde negative sepse mes të tjerave ky ka qenë viti më trafikun më të keq automobilistik në Ulqin. Në momente të caktuara të sezonit janë dashur edhe orë për të shkuar nga Plazhi i Madh në qytetin e Ulqinit ose për të gjetur një vend parkimi.

Ky është gjithashtu edhe viti me nivelin rekord të borxheve të Komunës, viti me nivelin më të ulët të shërbimeve publike e kështu me radhë duke treguar një kontrast jashtëzakonisht të madh midis shërbimeve të  qytetarëve që tërhoqën gjithë këta vizitorë dhe shërbimeve të qeveritarëve që thyen rekorde negative gjatë këtij viti. Prandaj  është e pafalshme dhe e papranueshme që qeveritarët të pretendojnë së kanë kontribut në sezonin e mirë turistik dhe t’ua grabisin meritën qytetarëve të Ulqinit, në kushtet kur ata vetëm i kanë penguar këtij sezoni. Sezoni i suksesshëm ka ardhur si rrjedhojë vetëm, dhe vetëm e punës së palodhur, talentit, aftësive dhe mikëpritjes tradicionale të qytetarëve të Ulqinit të cilët ia kanë dalë të tërheqin vizitore pavarsisht nga keq-qeverisja e pushtetit komunal. Ky pushtet jo vetëm që nuk ka ndihmuar në këtë sezon, por ka qenë një pengesë serioze me rekordet negative që ka shkelur këtë vit.

Megjithatë duhet ritheksuar se sezoni i suksesshëm duhet të rikthejë në sytë e qytetarëve tanë shpresën për të ardhmen që mund të kemi në Komunën tonë. Imagjinoni se çfarë sezoni të begatë do të kishte pasur Ulqini nëse pushteti komunal do të bënte punën siç duhet!  Prandaj duke patur parasysh këtë potencial të lartë të zhvillimit qytetarët e Ulqinit duhet t’i japin fund emigracionit dhe të përpiqen të gjithë së bashku për të ndërtuar një jetë më të bukur në trojet tona. Nëse qeveriset sicc duhet Komuna e Ulqinit ka aq potencial të madh zhvillimi sa jo vetëm të frenojë largimin në emigracion të qytetarëve që kanë ngelur, por edhe të nxis rikthimin e shumë individëve të diasporës sonë.

Ulqin me 17.09.2010

Nazif Cungu
YouTube Preview Image

47