Sezoni turistik veror 2010 po vazhdon

September 20, 2010   | Ekonomia / Ekonomija

Sezoni turistik veror 2010 po vazhdon akoma, ndonëse me intensitet të zvogëluar, gjë që është normale për këtë periudhë të vitit. Ky sezon veror, në saje të shumë parametrave, mund të konsiderohet si sezon tejet i suksesshëm, një nga sezonet më të sukseshëm të viteve të fundit.

Këtë e dëshmojnë shumë parametra duke filluar nga numri i musafirëve ku edhe skeptikët e kritikët më të mëdhenj, e pranojnë se ky sezon ka qenë ndër më të mirët e viteve të fundit. Statistikat zyrtare për 8 muajt e këtij viti japin të dhëna mbi këtë sukses siç është numri i mysafirëve që kalon mbi 100 mijë e deri tek numri i bujtjeve që është afër 70 mijë. Sipas këtyre të dhënave, në Ulqin kemi pasur një rritje prej 10% më shumë krahasuar me vitin e kaluar dhe 3% më shumë se në nivelin e Malit të Zi. Në kuadër të strukturës se mysafirëve është ruajtur tregu tradicional nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria, (71.4%) nga Mali i Zi (12%) dhe njëkohësisht kemi kthimin e mysafirëve nga rajoni, Bosnja, Serbia, dhe nga Evropa Lindore e Qendrore, Çekia, Sllovakia, Polonia, Hungaria, Rumania, Rusia. Shihet edhe rritja e numrit të mysafirëve dikur shumë prezent e të mirëseardhur në Ulqin – nga Gjermania dhe shtet e tjera te Evropës Perëndimore, në përqindje 16.6%. Tregues tjetër është edhe niveli jashtëzakonisht i lartë i ruajtjes së qetësisë, të rendit dhe të sigurisë, asaj fizike dhe materiale të çdo mysafiri, (qoftë në plazhe, në akomodime, në qytet, në lokalet e natës dhe kudo) gjë që reflektohet pozitivisht në mirëvajtjen, në zgjatjen e sezonit turistik, e mbi të gjitha, edhe në afirmimin e Ulqinit si destinacion i sigurt dhe i preferuar). Parametri tjetër i cili tregon suksesin e sezonit turistik, është edhe kohëzgjatja e tij. Sezoni i sivjetshëm veror, pas disa vitesh, për herë të parë u zgjat prej 30 ditësh apo 1 muaji në 90 ditë apo 3 muaj, tanimë po hyhet edhe në të 4-të. Kjo na lë të besojmë se me angazhimin e mëtejshëm, me një planifikim të detajuar, me pasurimin e ofertës sonë turistike, mund të kemi edhe nje parasezon dhe një passezon të mirë. Suksesi që u arrit behet edhe më i madh, duke patur parasysh se sezoni u zhvillua në një kohë kur kriza financiare ka kapluar gjithë botën dhe fushata për të tërhequr çdo mysafir ishte dhe është më e ashpër dhe përballohet me konkurrencë mjaft të madhe në rajon dhe më gjerë. S’ka dyshim që rezultati i sezonit është reflektuar pozitivisht edhe në mirëqenien financiare të popullatës e cila merret drejtpërsëdrejti me veprimtarinë e turizmit si dhe të asaj pjese e cila turizmin e ka si degë komplimentare (shtesë), kuptohet që kjo pastaj ka ndikuar pozitivisht edhe në buxhetin komunal, dhe në atë shtetëror. Suksesin e sezonit e vërteton edhe anketa e zhvilluar në bashkpunim të OT me OJQ ZID, e përbëre nga 9 anketues të huaj dhe 4 vendas, të cilët kanë anketuar mysafirët në territor të Ulqinit. Sipas përgjigjeve të marra nga afro 1800 mysafirë të anketuar lidhur me kualitetin e ofertës turistike dhe shërbimeve që ofrojnë të punësuarit në turizëm dhe në objektet në territorin e Komunes se Ulqinit, del se 67.6% e mysafirëve të intervistuar janë tejet të kënaqur me ofertën e përgjithshme dhe planifikojnë të vizitojnë Ulqinin përsëri. Sipas po kësaj ankete, nota më e lartë i është dhënë mikpritjes ulqinake.

Mangësitë

Ky sezon, ashtu si edhe sezonet e mëparshme i kanë të përbashkëta disa mangësi të cilat përsëriten, e disa prej tyre kanë qenë edhe më të theksuara se viteve të kaluara: Vështirësi në qarkullimin e komunikacionit, me kolona të dendura, të gjata gjatë intervaleve të caktuara kohore… që dmth se infrastruktura rrugore nuk ishte në mundësi të përpinte numrin e madh të automjeteve.. (Port Milena pika me e ngusht e këtij rrjeti rrugor – e cila me ndërtimin e urës do të përmirësohet dukshëm)… Mungesa e parkingjeve Mungesat e herëpashershme në furnizimin e rregullt dhe të mjaftushem me energji elektrike, me ujë, kryesisht për shkak të mbingarkesës që ka shkaktuar prishje. Mungesa e kapaciteteve hoteliere të kualitetit të lartë, si dhe kapaciteti hoteljer në përgjithësi, ndonëse sivjet janë hapur edhe gjashtë hotele, duke rritur numrin e përgjithshëm të hoteleve në 19. Hoteli më luksoz, OTRANT IBERO STAR, këtë vit nuk ka funksionuar aspak, gjë që ka dobësuar dukshëm ofertën hoteliere të Ulqinit. Niveli i pakënaqshëm i pastërtisë në vende apo zona të caktuar të qytetit, shpesh jo për faj të Ndërmarrjes Komunale, e cila ka punuar parreshtur, por për shkak të papërgjegjësisë së përgjithshme dhe mungesës të një infrastrukture e cila do të përbinte një mbingarkesë të këtyre përmasave. Këtu mund të veçohet prapavija e Plazhit të Madh, e cila në disa pjesë u shndërrua në deponi të egra sanitare, në aksin rrugor për në Bunë ku edhe përkundër intervenimeve të shpeshta e të rregullta të NKP mbeturinat gjithmonë ishin prezente. Shkaku mund të kërkohet në mbingarkimin, mosrespektimi i orareve për hedhjen e mbeturinave etj etj. Kurse në zonat e ngushta të qytetit, apo në Kalanë e Ulqinit pastërtia mbetet problem për shkak të rrugëve të ngushta ku kamioni i JKP-s nuk mund të depërtojë sepse automjetet parkohen edhe në vendet ku parkimi është i ndaluar, e Ulqini nuk disponon me shërbimin e “marimangës” për të menjanuar këto automjete.
Aksi rrugor Shkodër – Ulqin ka kohë që nuk plotëson standardet e një rruge ndërkombëtare, as bile përkah mirëmbajtja themelore. Rruga është tejet e ngushtë për të përmbushur kërkesat për një numër kaq të madh të automjeteve të cilat frekuentojnë në këtë rrugë. Edhe sivjet, edhe pse më pak se vitet e kaluara, numri i stërshitsve të dhomave nëpër rrugë e vështirsojnë konkurrencën lojale të të ushtruarit të veprimtarise së dhënies së dhomave me qira. Kjo dukuri jo vetëm që dëmton imazhin e turizmit të Ulqinit, por edhe krijon anomazitete, bezdis turistët deri në frikësimin e tyre…. Kjo si dukuri është shumë vështirë të mbahet nën kontroll ndonëse Inspeksionet Turistike janë përpjekur me intervenime të rregullta të zbusin këtë fenomen të dëmshëm!

(Autori është drejtor i Organizatës Turistike në Ulqin)

Ali Rexha
Koha Javore
YouTube Preview Image