Shumica e partive pa vendim përfundimtar

September 20, 2010   | Lajmet / Vijesti

Ulqin – Një javë para mbylljes së afatit për dorëzimin e listave zgjedhore për zgjedhjet e përsëritura lokale në komunën e Ulqinit, shumica e partive politike nuk kanë vendosur akoma mbi mënyrën e pjesëmarrjes në këto zgjedhje. Deri tani dihet se PDS do të marrë pjesë e vetme në zgjedhje, ndërsa gjashtë parti opozitare – Partia Socialiste Popullore, Demokracia e Re Serbe, Lëvizja për Ndryshime, Qendra Demokratike, Partia e Pensionistëve dhe koalicioni “Boshnjakët dhe myslimanët – së bashku, një” kanë nënshkruar koalicion parazgjedhor për pjesëmarrje të përbashkët në këto zgjedhje. Kryetari i Këshillit komunal të PDS-së në Ulqin, Luigj Shkrela, ka rikonfirmuar pjesëmarrjen si subjekt në vete të kësaj partie në zgjedhjet lokale të 17 tetorit. “Këshilli Komunal i PDS-së ka vendosur në mënyrë unanime për daljen në mënyrë të pavarur në zgjedhjet e përsëritura lokale. Koalicioni parazgjedhor nuk vjen në shprehje, por duam të japim kontribut në konsolidimin e skenës politike në komunën e Ulqinit”, ka thënë ai. Ditëve të kaluara janë zhvilluar bisedime ndërmjet partive të ndryshme për formimin e koalicioneve parazgjedhore. Kështu Forca e Re Demokratike i ka ftuar partitë e tjera opozitare shqiptare në komunën e Ulqinit për pjesëmarrje të përbashkët në këto zgjedhje. Kjo parti ka zhvilluar bisedime me LD në MZ, Lëvizjen Qytetare “Perspektiva” dhe disa subjekte të tjera shqiptare, por deri tani nuk është arritur asgjë konkrete. Nënkryetari i Forcës së Re Demokratike, Genci Nimanbegu, ka pohuar se krahas përgatitjeve për zgjedhje të jashtëzakonshme për kuvendin e Komunës së Ulqinit kjo parti po vazhdon përgatitjet që skena politike shqiptare të bashkohet rreth një programi. “Së shpejti do të marrim qëndrim përfundimtar se në çfarë mënyre do të dalim në zgjedhje, në koalicion parazgjedhor apo si forcë e pavarur”, ka theksuar ai. Edhe kryetari i Partisë së Prosperitetit Demokratik, Ali Rexha, thotë se kjo forcë politike nuk ka marrë akoma vendim përfundimtar mbi mënyrën e pjesëmarrjes në zgjedhjet lokale në Ulqin. “Ne jemi ende duke biseduar dhe akoma nuk kemi arritur një përfundim. Deri në fund të javës do të vendosim se në çfarë mënyre do të dalim në zgjedhje”, thotë ai, duke konfirmuar se po bisedojnë me UDSH, forca politike dhe individë të tjerë lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhje. Afati për dorëzimin e listave zgjedhore Komisionit Zgjedhor Komunal ka filluar më 5 shtator dhe përfundon më 22 shtator 2010. Në zgjedhjet lokale të mbajtura më 23 maj, koalicioni “Për Ulqinin Evropian”, i përbërë nga UDSH dhe PDS ka fituar 14 këshilltarë, Forca e Re Demokratike 11 këshilltarë, koalicioni “Ulqini më i mirë – Mali i Zi më i mirë”, Partia Socialdemokrate dhe PPD nga dy këshilltarë, ndërsa Lëvizja Qytetare “Perspektiva” dhe koalicioni LDMZ – BDSHMZ nga një këshilltar. Në këto zgjedhje kanë konkurruar gjithsej nëntë lista zgjedhore.

i.k.
Koha Javore
YouTube Preview Image

7