Botime të Art Klub-it Ulqin 2010

September 21, 2010   | Shoqëria / Društvo

(Haxhi Shabani, Jam ai që nuk jam, Art Klub, Ulqin,2010)

(Anton Gojçaj, Ndërmjet kapakëve, Art Klub, Ulqin, 2010)

Ditëve të fundit nga edicioni botues i Shoqatës “Art Klub” dolën dy libra të rinj: përmbledhja me poezi e poetit Haxhi Shabani me titullin “Jam ai që nuk jam” dhe përmbledhja me tregime e shkrimtarit Anton Gojçaj “Midis kapakëve”. Libri me poezi të zgjedhura i Haxhi Shabanit është hartuar nga dy pëmbledhjet e tij të mëparme “Të kërkoj” e “Natë e portokalltë” dhe nga dorëshkrimi i pabotuar “Vibrimi i venave”. Këtë vëllim poetik e ka zgjedhur studiuesi Ndue Ukaj, i cili në fillim të kësaj vepra ka shkruar edhe studimin me titullin “Tipologjia e poezisë së Haxhi Shabanit”. Ndërkaq, libri me prozat e shkurtra të Anton Gojçajt me titullin “Midis kapakëve” është i hartuar me tregime të zgjedhura nga krijimtaria e autorit. Studimin për librin e shkrimtarit Anton Gojçaj me titullin “Tregimi si ekzemplar narrativ” e ka bërë studiuesi Ramadan Musliu, i cili edha ka realizuar zgjedhjen e tregimeve të këtij libri. Këto dy libra janë pjesë e një kolane që përfshin botimin e nga një vepre të zgjedhur të pesë shkrimtarëve shqiptarë në Mal të Zi. Vitin e kaluar në kuadër të kësaj kolane janë botuar libri i zgjedhur i Asllan Bishës “Ankthi i pritjes”, i Ibrahim Berjashit “Ora e Rumisë” dhe i Fran Camajt “Rruga e pamëshirshme”. Nga Shoqata “Art Klub” e cila këtë vit kremton 20-vjetorin e themelimit, kanë njoftuar se së shpejti pritet që të përgatitet për shtyp një zgjedhje e këtyre pesë autorëve në gjuhën malazeze.

(Kohapress)
YouTube Preview Image