Emir Dervishi, nga Ulqini për suksese evropiane

September 23, 2010   | Sporti / Sport

Kik-boksieri, Emir Dervish në saje të përgatitjeve intensive ka shpresa të mëdha që nga Kampionati Evropian, që do të mbahet gjatë këtij vitit në Azerbajxhan, nuk do të kthehet duarthatë. Vitin e ardhshëm, Dervishi ka në plan që në Gjermani të organizojë një meqë profesional në kik-boks dhe pas kësaj kalojë në profesionizëm

Pas suksesit të arritur në ringjet e Malit të zi, Shqipërisë, Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit, kikboksieri Emir Dervishi është duke u përgatitor për sfida më të mëdha në qytetin e vendlindjes në Ulqin.

Në bazë të suksesit, 23 vjeçari ka arritur të bëhet pjesë e reprezentacionit të Malit të Zi. Dervishi është fitues i shumë medaljeve të arta, mirënjohjeve, kupave, “Dorëzës së artë 2009” dhe shpërblimeve të tjera.

Ajo çka më së shumti e inkurajon këtë sportist janë rezultatet dhe sukseset që i arriti si anëtar i klubit “Albulena” të Ulqinit, në reprezentacionin e Mali të Zi dhe në turnirët ballkanikë dhe ata ndërkombëtarë.

Këto suksese jo vetëm Dervishin por edhe shqiptarët e Malit të Zi, qytetarët e Ulqini e familjen e tij i bëjnë edhe më krenarë.

“Klubi i kikboksit, Albulena në Ulqin pas vetëm dy viteve punë intensive ka arritur suksese të mëdha në nivel të të Republikës së Malit të Zi. Ne e arritëm shumë shpejt atë që e dëshironim”, tha Dervishi.

Në kampionatit e Malit të Zi, i cili u mbajt në Rozhajë, askush prej ekipeve pjesëmarrëse nga qytetet e ndryshme nuk pritën që ekipi i kik-boksit “Albulena” do të prezantohet si konkurrent i fortë, i suksesshëm, i rezultateve dhe i befasive. Në këtë turne në një konkurrencë mjaft të fortë kikboksierët ulqinak arritën t’i fitojnë tri medalje të arta dhe dy të argjendta. Dervishi, u shpall boksieri më i mirë i turnirit. Edhe në turnetë e tjera ndërkombëtarë në Shqipëri, në Kosovë dhe në Podgoricë e në Nikshiq, talent i kik-boksit shënoi rezultate inkurajuese – fitoi shumë medalje të arta, mirënjohje dhe shpërblime të tjera.

Dervishi në turneun Ballkanik në Sofje të Bullgarisë, në kategorinë e seniorëve në peshën deri tetëdhjetë e një kilogramë, në një luftë të ashpër sfidoi kampionin e botës, të cilit iu desh shumë për të mposhtur atë. Edhe në turnirin ndërkombëtar profesional të kik-boksit në Bjellopolje të Malit të Zi, Dervishi arriti ta mund kroatin Ivan Stupallo (3:0), i cili në karrierën e tij kishte zhvilluar pesëdhjetë meçe. Edhe në këtë turne profesionale boksieri ulqinak u shpall boksieri më i mirë.

Kampioni 23 vjeçar kohët e fundit ai është duke stërvitur pandërprerë që të përgatitet sa më mirë për kampionatin Evropian të kik-boksit, i cili gjatë këtij viti do të mbahet në Azerbajxhan. Ai ka shpresa të mëdha, në saje të përgatitjeve intensive dhe profesionale që është duke i bërë, se edhe nga ky kampionat evropian nuk do të kthehet pa ndonjë medalje.

Teknika në ring dhe shpejtësia, janë ato që e dallojnë më së shumti këtë sportist, të njohur jo vetëm në Ulqin apo Mal të zi. Pas eksperiencës së krijuar ai kërkon të sprovohet në ringjet më të njohura të kontinentit të vjetër, madje duke filluar nga viti i ardhshëm. Shqiptarët në sportin e ashpër të kikboksit tashmë janë të njohur në mbarë botë, kjo shihet edhe si një lehtësi dhe përparësi për zhvillim më të shpejtë të karrierës së tij për Dervishin.

“Duke u bazuar në kushtet dhe në perspektivën jo të volitshme në Ulqin dhe në Mal të Zi, kam në plan që vitin e ardhshëm, të organizojë në Gjermani një duel profesional të kik-boksit dhe pas kësaj perspektiva mund të jetë duke kaluar në kik-boksin profesional – e kjo është dëshira e tij e vetme për të ardhmen”, tha në fund Dervishi.

Hasan Hasanramaj
BOTA SOT
YouTube Preview Image

1