Mal i Zi-Shqipëri, projekt për lëvizjen e lirë me anë të kartave të identitetit

September 23, 2010   | Rajoni / Region

Shqipëria dhe Mali i Zi po shqyrtojnë mundësitë për të realizuar lëvizjen e lirë për shtetasit e të dyja vendeve me anë të kartave të identitetit. Lajmi është bërë i ditur nga takimi që ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto ka zhvilluar dje në New York me homologun e tij malazez, Milan Rocen. Gjatë takimit, i cili u zhvillua në një frymë shumë të përzemërt e miqësore, u diskutua mbi forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të bashkëpunimit mes dy vendeve, si në kuadrin dypalësh, ashtu edhe në kuadrin e nismave rajonale dhe të procesit të përbashkët të integrimit evropian e euroatlantik. Dy ministrat vlerësuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe shprehën vendosmërinë për ecjen përpara me projektet e bashkëpunimit në fushat me interes reciprok, veçanërisht në infrastrukturë, transport, bashkëpunim kufitar dhe energji. Në këtë të fundit u theksua nevoja e lëvizjes së lirë të qytetarëve në të dy anët e kufirit me karta biometrike identiteti, deri në arritjen e saj si një akt i plotë për të gjithë qytetarët e të dy vendeve. Në mënyrë të veçantë, ministri Rocen shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer të Shqipërisë për procesin e anëtarësimit të vendit të tij në strukturat euroatlantike si një kontribut në stabilitetin e Malit të Zi e rajonit në përgjithësi.


BOTA SOT