Në Ulqin u përurua “Libri për Ulqinin dhe Ulqinakët” i Hajro Ulqinakut

September 24, 2010   | Kulturë / Kultura

Në bibliotekën e qytetit në Ulqin u përurua “Libri për Ulqinin dhe Ulqinakët” i Hajro Ulqinakut
Thellim i studimeve mbi historinë e detarisë së Ulqinit

“Në këtë libër, Hajro Ulqinaku ka treguar se ulqinakët kanë krijuar me djersën dhe mendjen e vet, historinë dhe kulturën vetjake, origjinale, autoktone, të brumosur gjatë shekujve, në kushte të caktuara historike, në të cilat kanë jetuar dhe janë zhvilluar”, tha redaktori i librit, dr. Maksut Haxhibrahimi. Shkrimtari Hajro Ulqinaku ka vazhduar me botimin e librave që në qendër të vëmendjes kanë Ulqinin, detin dhe detarinë e këtij qyteti. Pak kohë më parë u botua “Libri për Ulqinin dhe ulqinakët”, përurimi i të cilit u bë të martën në Bibliotekën e Qytetit në Ulqin. Redaktori i librit, dr. Maksut Haxhibrahimi tha se ky botim është vazhdim i thellimit të mëtejshëm të studimeve dhe hulumtimeve të Hajro Ulqinakut, të bëra më parë mbi historinë e detarisë së Ulqinit. Sipas tij, ky libër ka për qëllim të përmbushë një zbraztësi të ndjeshme në fushën e studimeve mbi çështjet e historisë së detarisë së Ulqinit. “Në këtë libër, Hajro Ulqinaku ka treguar se ulqinakët kanë krijuar me djersën dhe mendjen e vet, historinë dhe kulturën vetjake, origjinale, autoktone, të brumosur gjatë shekujve, në kushte të caktuara historike, në të cilat kanë jetuar dhe janë zhvilluar”, tha Haxhibrahimi. Recensentja e librit, mësimdhënësja e hisorisë Fatbardha Katana, tha se “kush don të dijë për Ulqinin dhe ulqinakët, për emrin dhe historinë e tij të lashtë, e për rrjedhat e jetës e të veprimtarisë historike e kulturore të ulqinakëve deri në ditët e sotme, kush ka dëshirë të dijë e të hulumtojë më tej vlerat e traditat etnokulturore dhe gjuhësore të ulqinakëve, kujt t’i interesojë në mënyrë të veçantë historia e detarisë, peshkatarisë, barkëtarisë, leksikologjia e ulqinakëve në lëmin e veprimtarisë detaro — tregtare, të artit, folklorit, veprimtarisë pedagogjike etj., do të gjejë shumëçka të vlefshme në librin e Hajro Ulqinakut.” Ajo tha se ky libër mbështetet në materialin e gjerë dokumentar të grumbulluar në Ulqin. “Ky dokumentacion ka lejuar që studimi i Hajro Ulqinakut të shtrojë mbi një bazë të mjaftueshme të dhënash, probleme të tipologjisë së saj në kohë, kur në Ulqin ishte e zhvilluar detaria, peshkataria dhe barkëtaria, si dhe veprimtaritë e ndryshme ekonomike, e posaçërisht veprimtaria detaro — tregtare e Ulqinit dhe ulqinakëve”, tha Katana. Autori i librit Hajro Ulqinaku tregoi se libri është krijuar në kohën kur ka punuar në revistën “Kronika” në Ulqin dhe se ka pritur disa vjet që të botohet. “Libri është një lloj albumi i figurave të veçanta të Ulqinit, njerëzve të cilët kanë qenë shenjë e Ulqinit”, tha ai. Ulqinaku theksoi se çdo person që është përmendur në libër “ka diçka të veçantë, ka bërë diçka në jetën e tij që e meriton të jetë i shënuar dhe të mos harrohet.” Në emër të organizatorit përshëndetën Ardita Rama, drejtuese e Bibliotekës së Qytetit në Ulqin, prim. Dr. Gani Karamanaga, drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin dhe kryetari i Asociacionit “Ulqini”, Gazmend Çitaku.

i.k.

Vazhdim i ciklit për Ulqinin dhe detin “Libri për Ulqinin dhe ulqinakët” është përmbledhje e artikujve të botuar që nga viti 1995 deri në vitin 2006, në gazetat dhe revistat “Okarina”, “Kronika”, “Rilindja”, “Iliria Post” dhe “Koha javore”. Libri është i ndarë në katër kapituj: në kapitullin e parë të titulluar “Pak histori për Ulqinin”, janë përfshirë shkrime mbi dijetarët dhe udhëpërshkruesit e ndryshëm që kanë shkruar për Ulqinin, si Simon Semeonis, Arnold von Harfi, Servantesi, Sabetaj Cevi, Evlia Çelebia dhe Sami Frashëri. Kapitulli i dytë titullohet “Detarë, peshkatarë”, kapitulli i tretë “Kënga ulqinake”, kurse kapitulli i katërt “Figura, gjurmë”. Libri është vazhdim i ciklit të krijimtarisë së Hajro Ulqinakut kushtuar Ulqinit dhe detit. Në këtë kuadër ai më parë ka botuar librat: “Deti, detarët e Ulqinit”, “Detarë, peshkatarë ulqinakë”, “Detaria, detarë, dokumente”, “Glosar” (fjalor i detarisë), “Thesar popullor” dhe “Ulqin, ti det” (Poetët për Ulqinin). “Libri për Ulqinin dhe ulqinakët” përbëhet nga 216 faqe. Ai është botuar nga Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi dhe Asociacioni “Ulqini” me mbështetjen e Komunës së Ulqinit në kuadër të konkursit për organizatat joqeveritare.

Koha Javore


YouTube Preview Image