Enver Eno Mollabeqiri: Me filxhanin e kafesë

September 25, 2010   | Rajoni / Region

Po rrija në njërën nga kafeteritë e shumta në Ranë.Pija kafenë e pasdites. Mora gazetën e sotme dhe e hapa.Shkruanin që në Ulqin do të mbahen zgjedhje të reja komunale. Subjektët politik në skenën e Ulqinit nuk mundën të merren vesh dhe të formojnë shumicën në Kuvendin Komunal. Andaj zgjedhjet e reja janë mënyra e vetme që të zgjidhet ky ngërç politik në komunën tonë. Ndoshta ashtu është edhe më mirë. Le të dalin të gjithë dhe ta dëgjojnë edhe një herë verdiktin e sovranit të quajtur popull.
Ulqini po jetonte ditët e fundit të një sezoni të suksesshëm turistik, siç thonin shumë nga banorët.Unë pija kafenë dhe duke shijuar shijen e papërsëritshme të këtij lëngu,mendoja për Ulqinin, duke shetitur në mendje prej Kalasë në Ranë,në Mahallë të Re,në Mera, në Shtoj, në Bunë dhe në Anë të Malit.Sikur duke shijuar shijen e lëngut çudibërës e përshkova tërë sipërfaqen e Ulqinit tim të dashur. Më vinin në mëndje ndërmarrjet e shkatërruara që u shitën në shpejtësi dhe me një ngutësi të paparë njerëzit mbetën pa punë dhe tani quhen të papunë.Më erdhën në mëndje fshatrat e shumta të Anës së Malit, të cilët presin që produktet e tyre të valorizohen drejt dhe t’i shesin diku, si në vend, ashtu edhe jashtë vendit, pse jo? Këtu do të ishte mirë të shikohet mundësia e zgjidhjes së prodhimtarisë sonë bujqësore me anë të kredive të buta, me normë të ulët të interesit, të cilat do të përdoreshin për ringjalljen e bujqësisë në Anë të Malit, me çka shumë probleme të cilat ndërlidhen dhe që pasojnë nga kjo problematikë, ndoshta do të zbuten, edhepse nuk do të munden të zgjidhen plotësisht.Këtu shfaqet edhe mundësia e hapjes së ndërmarrjeve të cilat do të merreshin me përpunimin e produkteve bujqësore, çka do ta lehtësonte plasmanin e produkteve vendase,por edhe do të ndikojë në punësimin e fuqisë punëtore vendase, dhe si pasojë do të vinte deri te zvogëlimi i papunësisë në këto anë. Prezente dhe mjaft irrituese për banorët e Ulqinit është edhe zvogëlimi i kapaciteteve turistike hoteliere në qytetin tonë. Derisa gjithkah përreth ndërtohen hotele të reja, te ne shkatërrohen objektet egzistuese, duke i lënë në gërmadha, ose mbahen objektet gjysëm të shkatërruara si kapacitete turistike, apo ato që mund të punojnë mbahen nën dry në vlugun e sezonit turistik.
Po të mos egzistonin kapacitetet turistike private të qytetarëve të Ulqinit, vështirë se do të mund ta quanim qytetin tonë vend turistik dhe vështirë do ta kishim përballuar këtë fluks kaq të madh vizitorësh. Po ashtu është egzistues problemi i valorizimit turistik të Plazhit të Madh dhe të Shtojit i cili vështirë se mund të bëhet pa investime kapitale në infrastrukturë ( uji dhe kanalizimi ) si dhe pjesërisht ndriçimi. Këtu është ende aktual ndërtimi i urës në Portomilenë, e cila do të ishte një lehtësim i madh në shkurtimin dhe lehtësim rrugëtimit për në Shtoj. Kur erdhëm këtu nuk mundet e të mos përmendet vetë Portomilena, e cila në këtë gjendje që është, është me të vërtetë një bombë ekologjike dhe burim eventual i sëmundjeve, nëse në mënyrë sa më të shpejtë nuk i qasemi rregullimit të këtij problemi. Normalisht kjo nuk mund të bëhet pa mbështetjen e organeve shtetërore dhe të organizatave ndërkombëtare financiare dhe profesionale nga kjo lëmi. Duke shkuar përtej Plazhit të Madh në Shtoj, nëpër mëndje më silleshin një numër i madh shtëpiash, të palegalizuara, poseduesit e të cilave janë jashtë Ulqinit dhe për të cilat nuk vjelet tatimi adekuat. Andaj duhet sa më parë të bëhet legalizimi i këtyre shtëpive në mënyrë që buxheti i komunës të jetë më i realizuar dhe në mënyrë që këto shtëpia të tatoheshin në mënyrë të barabartë si edhe shtëpiat në qytet, apo sikerse qiradhënësit në qytet, pasi që pronarët e këtyre shtëpitë janë gjithashtu qiradhënës dhe gjatë sezonit turistik janë të mbushura me mysafirë si shtëpitë në qytet. Këtu nuk duhet lënë anash edhe legalizimin e të gjitha ndërtimeve në krejt komunën. Në këtë mënyrë do të vinim deri te mjetet e konsiderueshme financiare për realizimin e buxhetit të komunës. E afrova edhe një herë filxhanin e kafesë dhe piva edhe një gëllënjkë kafe. Shikoja në sipërfaqen e detit dhe pastaj më shkoi syri tek bregu aqë magjepsës i Ulqinit. Më shkuan në mëndje të ,,Mirat detare,, dhe të ,,mirat,, financiare të saja në raport me Ulqinin. Shumë merrë e shumë pak jepë, do të thoshte populli. E vërtetë. Bile me këtë ligj mbi 50 % të bregdetit të përfshirë në të ,,Mirat detare,,i përkasin bregdetit të Ulqinit. Vërtetë një nonsens i cili nuk mund të haset tek komunat tjera bregdetare, edhepse edhe ato janë kundër këtij ligji kontestues.Më shkoi syri pastaj te Kalaja dhe te ndërtimet pa vend dhe pa mend brenda mureve të saja. Jashtë standardeve të parapara për kësi objektesh të historisë dhe të kulturës, e le më nëse flasim për mospërfilljen e politikanëve tanë kërkesës për ta vënë nën ombrellën e UNESKO- së këtë kala të moçme mijëravjeçare e cila aqë shumë dëshmon, por njëkohësisht edhe akuzon.Andaj edhe politikanët tanë, nëse nuk i ledhatojnë me sytë e veta, me dashuri këto gurë të moçëm dhe të lëmuet të kalasë sonë, nuk mundemi të presim diçka më mirë edhe më tej.Politikanët e Ulqinit duhet ti kthehen qytetarit, Ulqinit, ulqinakëve, anamalasve, shtojakëve dhe të gjithëve atyre të cilët aqë shumë e duan këtë vend, të cilin e ka bekuar vetë Zoti.Vetëm atëherë politikanët tanë do të jenë vetëvehtja, do të jenë të Ulqinit, të popullit të Ulqinit dhe të prosperitetit të tijë në të gjitha lëmitë.Vetëm atëherë Ulqini do të lulëzojë prap, do të ringjallet dhe do të jetë prap vërtetë perla e Adriatikut dhe mburrje për banorët dhe për vizitorët e shumtë të tijë.E piva gëllënjkën e fundit të kafesë dhe dola nga kafeteria. Duke shetitur nëpër Ranë e ndjeve vehten më të çliruar. Sikur diçka që më shtrëngonte fort në gjoks, doli si vullkan dhe shpërtheu gjithkah. Isha tashti i qetësuar me shpresë se do të bëhet më mirë. Dhe isha i bindur në këtë, në të mirë të Ulqinit dhe të ulqinakëve.

Enver Eno Mollabeqiri
Koha Javore
YouTube Preview Image