UDSH-ja dhe PPD-ja,optimistë për sukses

September 30, 2010   | Politika

Ulqin – Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Partia e Prosperitetit Demokratik do të marrin pjesë në koalicion në zgjedhjet e përsëritura lokale në komunën e Ulqinit, të cilat do të mbahen më 17 tetor. Nënkryetari i UDSH-së, Mehmed Zenka, dhe kryetari i PPD-së, Ali Rexha, duke bërë publik vendimin e dy partive, janë shprehur optimistë për suksesin e këtij koalicioni në zgjedhje. “Optimizmi qëndron në radhët tona dhe presim që edhe në këto zgjedhje të korrim sukses, ashtu siç kemi korrur në zgjedhjet e kaluara”, ka thënë nënkryetari i UDSH-së. Zenka e ka quajtur reale deklaratën e tij të mëparshme se pret që ky koalicion të fitojë 13 këshilltarë dhe të jetë lista zgjedhore më e fortë në kuvendin e Komunës së Ulqinit. “Sa i përket 13 këshilltarëve, ky është një optimizëm real. Si edhe deri tani do të jetë lista më e fortë sa i përket Ulqinit”, ka thënë ai. Kryetari i PPD-së, Ali Rexha, ka sqaruar se vendimi për krijimin e koalicionit parazgjedhor me UDSH-në është marrë njëzëri në organet partiake të PPD-së dhe se marrja e tij ka qenë e lehtë duke qenë se dy partitë i kanë shumë të ngjashme programet partiake si dhe vizionet për zhvillimin e Ulqinit. Ai ka thënë se lista e Koalicionit “UDSH – PPD – Së bashku” do të jetë listë fituese. Bartës i listës së Koalicionit UDSH – PPD do të jetë kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga. Në zgjedhjet e kaluara lokale të mbajtura më 23 maj, UDSH ka marrë pjesë në koalicion me PDS-në dhe kanë fituar së bashku 14 këshilltarë, kurse PPD ka marrë pjesë si subjekt më vete dhe ka fituar dy këshilltarë.

i.k.
Koha  Javore

25