Ulqinakët e Durrësit, ura më e mirë e bashkëpunimit mes dy qyteteve

October 4, 2010   | Rajoni / Region

Program 1-vjeçar bashkëpunimi në kulturë, art dhe sport me Ulqinin

Gjatë takimit në mjediset e bashkisë së Ulqinit, grupet e drejtuara nga kryetarët Gëzim Hajdinaga dhe Vangjush Dako, vlerësuan se komuniteti me prejardhje nga Ulqini që banon në Durrës përbën urën më të mirë të komunikimit për të ardhmen.
– Bashkia e Durrësit dhe komuna e Ulqinit (Mali i Zi) kanë firmosur të shtunën një Program konkret Bashkëpunimi me afat 1-vjeçar në fushat e kulturës, artit dhe sportit.

Gjatë takimit në mjediset e bashkisë së Ulqinit, grupet e drejtuara nga kryetarët Gëzim Hajdinaga dhe Vangjush Dako, vlerësuan se komuniteti me prejardhje nga Ulqini që banon në Durrës përbën urën më të mirë të komunikimit për të ardhmen.

Kryetari i komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, pas prezantimit të shkurtër të zhvillimeve të fundit në qytet, tha se “pavaresisht nga kriza globale dhe konkurenca me qytete të tjera të Malit të Zi, gjatë verës 2010 ka patur një shtim të numrit të pushuesve, ndërsa sezoni turistik është zgjatur edhe përtej muajit gusht. Lëvizja pa barriera e qytetarëve të dy vendeve tona është meritë e qeverive përkatëse dhe duhet shfrytëzuar pozitivisht”.

Kryebashkiaku Dako falenderoi për mikpritjen e komunës së Ulqinit, duke nënvizuar se Marrëvëshja e Bashkëpunimit që u arrit më 10 korrik në Durrës po jep frutet e para. Sipas Dakos, “dy qytetet tona bregdetare kanë resurse të mëdha turistike dhe bashkëpunimi mes tyre veçanërisht në këtë fushë do të mundësojë shkëmbime të ndërsjellta shumëplanëshe”. “Shoqata “Ulqini” që po kontribuon në Durrës për evidentimin e figurave dhe traditave ulqinake do të jetë partneri i përbashkët në bashkëpunimin tonë”, shpreh kryebashkiaku i Durrësit.

Kryetari i këshillit të qarkut te Durresit, Seid Kërtusha, pjesmarrës në takim, e quajti Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit një mjedis tjetër të mundshëm për bashkëpunimet dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e administrimit lokal sipas standarteve evropiane.

“Deti Adriatik është ura që na lidh dhe presioni pozitiv mbi institucionet dhe kompanitë detare për të vendosur një linjë lundrimi mes dy qyteteve do të ishte një hap i mirë në marrëdhëniet tona”, u shpreh kryetari i shoqatës “Ulqini”, Zihni Beqiraj.

Programi 1-vjeçar i Bashkëpunimit u nënshkrua nga drejtorët e Departamenteve të kulturës Ardian Gurra (Durrës) dhe Sadik Pelinku (Ulqin).

Sipas këtij Programi, brenda muajit dhjetor të këtij viti në Ulqin do të organizohen ekspozita të piktorëve durrsakë si dhe shfaqje të trupës teatrore dhe të orkestrës së harqeve “Aleksandër Moisiu”, ndërsa në Durrës do të hapet një ekspozitë e përbashkët etnografike dhe e arteve pamore të autorëve ulqinakë.

Ndër aktivitetet e vitit 2011 në Durrës një rëndësi të veçantë do të ketë Sesioni shkencor me temë: “Ulqini dhe historia e tij”, që do të zhvillohet në muajin prill. Në Program janë parashikuar një sërë takimesh të artistëve dhe shkrimtarëve të të dy qyteteve si dhe veprimtari artistike, shkencore e sportive të përbashkëta. Festës tradicionale të Detit që kremtohet më 22 qershor në Durrës vitin e ardhshëm do t’i bashkëngjitet edhe kontributi kulturor i qytetit të Ulqinit.

Vizitat e ndërsjellta të nxënësve shkollarë janë një tjetër fushë, e cila do të nxisë turizmin në të dy qytetet sipas Programit të nënshkruar të shtunën. Në takimin morrën pjesë edhe ish-kryetari i bashkisë së Durrësit, Miri Hoti, drejtues të Departamenteve të Bashkisë si dhe një grup përfaqësuesish të shoqatës “Ulqini”.

Ulqini, qytet turistik me 23 mijë banorë në pjesën jugperëndimore të Malit të Zi, banohet nga shumica dërmuese shqiptare.


Gezim Kabashi

Yllpress
YouTube Preview Image