Stresi: E vërteta e marrëdhënies me Enxhin e “Big Brother Albania 3”

October 10, 2010   | Lajmet / Vijesti

Arkimed Lusha (Stresi) / Rrëfen jetën e tij të momentit. Përplasjet me Noizy-n, aventurat e fëmijërisë, marrëdhëniet me femrat, prindërit dhe pasionin për muzikën.

Arkimed Lusha me pseudonimin “Stresi” nuk e mohon aspak faktin që shkakton “Stres”. Sot për sot është një ndër emrat më të lakuar, jo më shumë në fushën e muzikës ku ai lëvron, por edhe atë të aksioneve të policisë dhe kronikave të zeza në faqet e gazetave. Përplasja me një grup tjetër muzikor që këndojnë në zhanrin e hip-hop-it, ka bërë që shpesh në orët e vona të darkës të ketë përplasje fizike mes liderëve të grupit të Stresit (TBA) dhe atij të Noizy-t (OTR). Në një rrëfim “alla-Stresi” për “Sh2”-in, ai nuk e mohon urrejtjen që ka për liderin e grupit rival dhe shpjegon se kjo urrejtje është vetëm për çështje personale dhe aspak për konkurrencë. Rrëfen se dy fansa të tyre janë sot e kësaj ditë në gjendje kome në spital dhe se nuk ka shpresa për një pajtim të mundshëm mes tyre. Stresi duket si i sigurt në ato që thotë dhe në hapat që hedh. Ka një marrëdhënie të ngushtë me armën, sidomos me ato pa zhurme. Nuk do të falte kurrë atë që e shkel në besë. Pikë të dobët ka familjen. Është nga ata djem që i ka shkaktuar jo pak probleme asaj, por, kohët e fundit tregon se ka ndryshuar shumë. Jam në drejtimin e duhur, thotë ai. Ky është një rrëfim special i tropojanit më të përfolur të kryeqytetit…

Stresi, ju sa po keni marrë pjesë te “Kënga magjike” si konkurrent, është hera e parë që merrni pjesë në festivale?
Jo, është hera e dytë, me këtë këngë ka punuar producenti Big Basta. Ne pavarësisht se jemi në 2010-ën, po unë jam në 2021-in në atë këngë, jam përpara më kohën.

Pretendoni të merrni çmim?
Nuk është puna e çmimit. Për mua nuk ka rëndësi kjo. Rëndësi kanë ato zemrat e publikut që i bën për vete.

Ju e ndjeni që jeni i pëlqyer nga publiku?
Po, sigurisht, dhe këtë më shumë e ndjej nga adoleshentët. E vë re gjithandej që në momentin kur dal në mëngjes në rrugë, në lokal, kur pi një kafe, në koncerte. Kur bën diçka më shpirt do t’i marrësh edhe këto fryte, se nuk është se po luaj blofin.

Je i pëlqyer më shumë nga femrat apo nga meshkujt?
Të them të drejtën vë re se më shumë i pëlqyer jam nga meshkujt. Këta i kam fansa më të zjarrtë. Ata më frymëzojnë më shumë për të vazhduar e për të krijuar këngë.

Pse ky pseudonim, “Stresi”?
Më ka ngelur që nga fëmijëria, sepse kam qenë fëmijë rrugaç, i keq. Kam qenë fëmijë i papërgjegjshëm. Bëja shumë prapësi. Kam ikur nga shtëpia për një muaj më radhë dhe kam fjetur jashtë, ku ka stres më të madh se kaq për familjen, dhe më shumë këtë pseudonim ma ka ngjitur mami.

Po tani jeton vetëm apo me familjen?
Jo, me të shtëpisë, nuk ndahem dot nga familja.

Emblemat tuaja, si e juaj (TBA) dhe e grupit rivalë (OTR) Noizy, janë të shkruara vazhdimisht në mure, pse kjo tendencë?
Grafitet në mur kudo ndodhin, kjo më shumë vjen nga fansat. Po nga grupi jonë nuk ka shumë të tilla, ata që kanë qejf të jenë në qendër të vëmendjes i shkruajnë.

Të njëjtën gjë thonë edhe ata, që ju doni të jeni në qendër të vëmendje?
Se çfarë thonë ata është çështje tjetër, nuk na intereson.

A keni ju inat me njëri-tjetrin?
Inat thua? Deri në vdekje.

Pse ka ardhur kjo urrejtje mes jush?
Kjo nuk ka ardhur nga përplasjet në muzikë, siç është përfolur, se ne nuk bëjmë dhe nuk mund të imitojmë hip-hopin amerikan, kjo ka ardhur për çështje personale dhe që mbetet personale. Nuk ka lidhje me konkurrencën, secili ka hapat e vet, madje më pëlqen të kem rivalitet, është gjë e mirë.

Para disa muajsh Noizy-n e qëlluan me armë në Durrës, kishit lidhje ju me këtë?
Jo, aspak. Ai ishte si tip atentati. Atë ditë kur e kam marrë vesh atë kam qenë në drekë me familjen dhe nuk ka pas lidhje me mua.

Si ka nisur urrejtja me ju?
Kjo gjë ka tre vjet dhe është një çështje personale. Shpresoj të përfundojë si të jetë më mirë për të dy palët.

Ju vazhdoni të sulmoni?
Jo.

Provokoni?
Absolutisht.

Natyra juaj hakmarrëse ka të bëjë me origjinën tuaj, pasi ju jeni nga veriu, nga Tropoja, apo nuk ka lidhje?
Aspak, unë jam shumë liberal si tip, jam djalë që vij nga Evropa. Kam disa vite që kam ardhur në Shqipëri. Kam jetuar disa vite në Belgjikë, kam qenë me familjen, ku kam kaluar edhe adoleshencën. Aty ka qenë shumë geto, më keq se Shqipëria, aty kam mësuar edhe hip-hop-in. Në 2005-ën, jam kthyer. Muzikën nuk e bëj për të fituar, e bëj për qejf.

Ky do të jetë profesioni juaj në të ardhmen?
Unë kam shumë profesione, çfarë të dua, mund të bëj. E kam jetën me tollona nuk e kam me lek.

Për shembull, çfarë profesioni?
Çfarë të dua, mund të bëj. Nuk bazohem tek ajo formula, ja do të vazhdoj shkollën, do të marr diplomën, pastaj do të filloj punë. Kam një mami dhe babi që mendojnë për mua. Më kanë lënë një pasuri të madhe dhe as nuk dua t’ia di për të tjerat.

Kur ka qenë përballja e fundit me Noizy-n?
Në “Top-Fest”, mos gaboj.

Aty vërtetë keni tentuar ta vritni?
Dëgjoni, të kesh një armë në dorë është e lehtë ta shkrepësh, mjafton gishti dhe… ka qenë moment. Një ditë më parë kishim pas një tip incidenti bashkë. Unë kam një shoqëri që bëjmë shumë për njëri-tjetrin. Jemi shumë gjak nxehtë. Ajo ndodhi pasi kishte ardhur momenti dhe ishte mbushur kupa, dhe ndodhi ajo që ndodhi. Qëlluam drejt dhe në ajër, pak rëndësi ka, sepse u rrezikua jeta e shumë njerëzve aty, shyqyr që doli me sukses dhe nuk u vra askush.

Keni tentuar ndonjëherë që t’i sheshoni të gjitha konfliktet që keni dhe të bëni paqe?
Është shumë e vështirë. Kemi tre vjet rresht dhe kemi shtënë shumë herë e kemi rrezikuar jetën, gjithmonë në orët e vona, dhe janë lënduar shumë njerëz, edhe fansa me njëri- tjetrin. Dy të rinj janë ende në spital në gjendje kome për sherret që kanë ndodhur mes nesh.

Në një emision televiziv keni qenë bashkë?
Ai emision është bërë për fansat, se në atë kohë ishte një krizë nëpër shkolla, realisht një fans i imi shumë i zjarrtë është në gjendje kome ende. Uroj të zgjidhet për mirë.

Sa këngë keni bërë deri tani?
Shumë, 60 këngë. Albumi i parë që kam nxjerrë rezultoi shumë i suksesshëm për kaq pak sa jam unë në treg, ka 16 këngë dhe jam shumë i kënaqur me ecjen e tij. Që të vlerësohet një album, maksimumi duhet të ketë katër hite, dhe unë i kam realizuar ato katër hite.

Çfarë mendimi keni për hip-hop-in në Shqipëri?
Në Shqipëri nuk ka pas hip-hop, po ka ecur shumë kohët e fundit.

E ndjeni konkurrencën?
E ndjej, të jesh në treg e ndjen. Të kesh konkurrencë është gjë e mirë se të shtyn më tepër.
Tematikat e këngëve të hip-hop-it janë të dhunshme, ju ecni me këtë stil?
Kjo varet shumë nga rrepisti. Hip-hop-i që bëj unë është realitet, çfarë mund të bëj tani e kthej në këngë. Nuk para frymëzohem nga muzika jashtë, ndjek më shumë këtë shqiptaren.

Kohët e fundit, mes teje dhe Noizy-t, është vendosur një femër dhe kjo nuk është pak e njohur, por është Enxhi i “Big Brother”, si janë marrëdhëniet tuaja me të?
Enxhi për mua është engjëll mbrojtës, është shumë unike. Për mua është shumë person i shtrenjtë. Kemi vite që njihemi dhe shkojmë shumë mirë me njëri-tjetrin. Zihemi, grindemi, por kemi shumë gjëra të përbashkëta.

Ajo u bë mike me Noizy-n, të preku kjo gjë?
Jo s’më preku. Unë arrij ta kuptoj një femër. Kam besim tek ajo. Me pak fjalë, është shumë shpirt njeriu.

Si ndodhi më pas që ju komunikuat bashkë?
Thjesht jemi tipa të njëjtë. Ajo ka disa momente të vetat kur mendon, dhe unë kam disa të mijat, dhe kemi telepati me njeri-tjetrin.

Midis jush ka një lidhje dashurie momentalisht?
Jooo.

Mund të ketë në të ardhmen?
Mund të kem 5 fëmijë, mund ta kem grua, vëlla, motër, shok, gjithçka.

E takoni shpesh Enxhin?
12 orë të ditës po.

Çfarë pretendoni të arrini në muzikë?
Dua të futem aty ku ka mosrealitet dhe të futem, qoftë edhe me zor. Nuk mund të vendos unë drejtësi në hip-hop. Muzikën e kam për qejf, sepse e kam pasur që i vogël ëndërr dhe tani po e realizoj.

Ju bezdis fakti që jeni kaq i njohur dhe i përfolur?
Aspak, sado që të flasim keq, apo mirë, apo me intriga. Rëndësi ka që të përflitem.

Çfarë nuk do të falnit?
Mund të falja çdo gjë, por nuk do të falja kurrë të më prisnin në besë.

Ju nuk e lini gjakun “pa marrë”?
As nuk bëhet fjalë, në mos në këtë botë, në botën tjetër e sigurt.

Tregoheni i rezervuar kur flisni?
Po, shumë.

Stresi, ju afrohen apo largohen femrat më shumë?
Marrëdhëniet me femrat i kam pasur gjithmonë të mira. Janë shumë tip i thjeshtë, komunikoj me to, madje ua jap dhe numrin e telefonit dhe ulem në kafe. Kjo është ajo që i afron më shumë, është një lloj stresi i lezetshëm.

Marrëdhënia më e gjatë me një femër?
Kam pas marrëdhënie shumë të shkurtra. Kanë qenë më shumë aventura.

Po të kishit një fëmijë, çfarë do t’i mësonit për hip-hop-in?
Do t’i mësoja disa sekrete që të hynte shumë shpejt në muzikë. Do t’i këshilloja që këngëtarin që do të ishte në top listë ta sulmonte nga ana artistike.

Çfarë marrëdhënie keni me armën?
I pëlqej shumë, i adhuroj.

Pëlqeni ato të ftohtat apo…?
Armët pa zhurmë. Të pjekin byrek ato.

Çfarë marrëdhënie keni me mamin?
Mami është personi më i shtrenjtë që kam në jetë. Nuk kam fjalë ta komentoj. Tani kohët e fundit e ka parë Stresin disi ndryshe, të angazhuar, e ka parë shumë aktiv, duke lënë pas shumë budallaqe. Për këto ajo ndihet mirë.

Po me babin?
Babin e kam si shok. Nuk flas shumë me të, por më ndihmon shumë për çfarëdo lloj gjëje, është i gatshëm gjithmonë.

Edhe kur ju arreston policia?
Shumë, shumë, mos të kisha atë babë, kush e di ku mund të isha tani. Kjo është familja.

E mendoni veten një ditë me familje?
Pse jo, e mendoj.

Keni në plan një album të dytë? Na thoni diçka për këngët…
Albumi i dytë do të jetë shumë bombë, po përgatis klipet për qejf të qejfit. Dhe albumi i dytë do të sjellë shumë ndryshime tek unë.

Çfarë ka ndryshuar në jetën tuaj këto vite?
E shoh veten në linjë të drejtë, si në muzikë, në marrëdhënie me familjen, në marrëdhënie me femrat. Lezetshëm.

Do të bëmi ndonjë këngë për jetën?
Po, është nisur ajo këngë. Sikur t’ia nis nga fillimi thuhet… po tashmë është vonë.

YouTube Preview Image