Bardhi: Pushteti manipulon me votat e shqiptarëve në Ulqin

October 11, 2010   | Shtypi / Mediji

Ulqin, 11 tetor – Kryetari i partisë më të vjetër shqiptare në Mal të Zi, Lidhjes Demokratike, Mehmet Bardhi, kandidat për këshilltar, mendon se asnjëherë gjatë pluralizmit 20 vjeçar shqiptarët nuk kanë qenë kaq të manipuluar sikur në këtë fushatë elektorale të zgjedhjeve vendore në Ulqin, të cilat do të mbahen të dielën e ardhshme.

“Partitë në pushtet nuk janë duke zgjedhur mjete për manipulime të ndryshme vetëm për ta siguruar votën, qoftë edhe duke harxhuar një thes çimento për gurthemelin e urës mbi Portmilenë”, citon KosovaLive kryetarin eLidhjes Demokratike në Mal të Zi, Mehmet Bardhi.

“Shqiptarët nuk do të kenë harruar se qeveria malazeze që nga viti 1990, tentoi të na çoi në luftë në Bosnjë e Kroaci, na ka rrëmbyer të mirat detare, ka kolonizuar Ulqinin shqiptar, ka bërë centralizim të paparë të pushtetit. Partia Demokratike e Socialistëve /PDS/ po përçan shqiptarët”, ka theksuar politikani më i vjetër shqiptar në Malin e Zi, Mehmet Bardhi.

Sipas tij, në këto zgjedhje, shihet qartë se kemi korrupsion të paparë të votës. Shqiptarët mashtrohen se do t’ i punësojnë. A ka absurditet më të madh se sa gjendja aktuale në administratën komunale, ku zotëron një mbipopullim i të punësuarve pa asnjë kriter, por mbi bazat partiake, familjare dhe fisnore! – pyet Bardhi.

“LD në MZ u garanton zgjedhësve shqiptarë, se nëse është pjesë e pushtetit, do të mbrojë dinjitetin e votës së zgjedhësve, të drejtën e identitetit kombëtar, angazhimin për kthimin e ingerencave të pushtetit vendor të Ulqinit, të cilat ia ka rrëmbyer PDS-ja, punësimin proporcional në nivelin lokal dhe qendror”, shprehet Bardhi.

Sipas tij, pushteti për të coptuar trupin votues shqiptar, nxit individë që të formojnë parti, duke komprometuar kështu organizimin politik shqiptar në Ulqin.

KOHA NET

17