Sinishtaj pohon se shqiptarëve në Malin e Zi u mohohen të drejtat

October 13, 2010   | Anketë / Anketa

Tuz, 12 tetor – Deputeti shqiptar në Kuvendin e Malit të Zi, Vasel Sinishtaj, këshilltar i Iniciativës qytetare në Kuvendin e Komunës Urbane të Tuzit, nëpërmjet një letre të hapur, dërguar shefit të Misionit të Bashkimit Evropian në Podgoricë, Leopold Maurer, kërkon nga ai që të intervenojë në Malin e Zi sepse “nuk po përfillet Kushtetuta, nuk nxirren ligje mbi bazat e saj dhe shqiptarëve nuk u garantohen të drejtat e arritura”.

Sinishtaj pyet autoritetin evropian se si mund të quhet ky shtet qytetar derisa në të nuk zbatohet akti më i lartë juridik, derisa shqiptarët nuk mund të përdorin gjuhën amtare dhe alfabetin e tyre, raporton KosovaLive nga Tuzi.

“Serbët në Kosovë, edhe pse nuk i njohin institucionet e sistemit dhe bojkotojnë zgjedhjet, i kanë të siguruara së paku dhjetë mandate në Kuvendin e Kosovës dhe pesë komuna të reja, ose malaziasit, rreth 3 mijë sish në Kosovë, kërkojnë t’u sigurohet një mandat.

Ndërkaq, ne 42 mijë shqiptarë, ose mbi 7 për qind sa jemi në Mal të Zi, po na rrëmbehen të drejtat e arritura – pesë vende në Parlament, na refuzohet kërkesa për themelimin e komunës së plotë të Malësisë/Tuzit, edhe përkundër faktit se respektojmë institucionet e sistemit dhe nuk i bojkotojmë zgjedhjet malazeze”, – nënvizon Sinishtaj.

”Një politikë e këtillë, ka ndikuar që sot nga viset e tyre etnike në Malin e Zi të ketë më shumë shqiptarë të shpërngulur se sa në vatrat e tyre mijëvjeçare”, i shkruan ndër të tjera deputeti Sinishtaj shefit të Misionit të Bashkimit Evropian në Podgoricë, Leopold Maurer.

Koha Net

1