Intervistë ekskluzive me kryetarin e PPD-së z.Ali Rexha

October 19, 2010   | Intervista / Intervju

Rexha: Koha për unitet politik dhe progres shoqëror
Koha javore: Z. Rexha, Partia për Prosperitet Demokratik vazhdon të mbetet në skenën politike me nje elektorat solid, megjithasë ende nuk mund të themi se është një forcë potencialisht determinantë?

A. Rexha: Ky është përceptim shikuar së jashtmi. Në politikë duhet patur kujdes që të mos humbësh busullën orientuese. Fatmirësisht ne i kemi orientimet dhe përcaktimet e qarta qysh me krijimin e partisë së Prosperitet Demokratik. Për rrjedhojë PPD-ja gjatë gjithë kohës mbetet faktor determinant në skenën politike të Malit të Zi. Ju siguroj se PPD-ja ka patur dhe vazhdon të ketë njerëz të përkushtuar, të devotshëm, të ndershëm dhe të aftë. Të mos harrojmë se një gjeneratë e tërë ka kaluar në shkollën politike të PPD-së Pra, shikuar nga konteksti historik, forca jonë politike ka doktrinën dhe filozofinë e saj e cila është kryekëput e bazuar në interesat nacionale të shqiptareve për barazi qytetare dhe integrime evropiane. Në këtë kuptim, gjykoj se PPD-ja, ndonëse ka patur uljet dhe ngritjet e saj në skenën politike, gjithsesi është më rëndësi të potencojmë rolin konstruktiv në proceset demokratike. Marrë në tërësi, mendoj se PPDja ka arritur rezultate të kënaqshme në elektorat. Them të kënaqshme ngaqë ne si parti politike shpesh jemi anatemuar dhe paragjykuar padrejtësisht. Për rrjedhojë PPD-ja është ballafaquar me shumë sfida të cilat shpesh kanë qenë tepër të vështira. Imputimi i logjikës lokaliste nga ana e disa subjekteve politike është një element tejet i rrezikshëm dhe brengosës jo thjesht për vazhdimësinë e misionit të partisë sonë, por edhe për shkapërderdhjen e elektoratit shqiptar në Mal të Zi. Gjykuar nga ky aspekt, them se PPD-ja ka shërbyer në skenën politike si mekanizëm shumë i rëndësishëm për komunikime intensive mes elektoratit që buron nga qyteti dhe atij që vjen nga zonat rurale. Krahas misionit politik, PPD-ja i ka kanalizuar energjitë dhe potencialet e saj në funksion të unifikimit të elektoratit shqiptar. Nga kjo pikëpamje mendoj se subjekti që unë drejtoj nuk ka thjesht një elektorat solid, por një përkrahje në rritje si në zonat urbane, po ashtu edhe ne hapësirat rurale. Tashmë është koha për unitetit politik dhe progres shoqëror. Duke marrë shkak nga ky realitet objektiv, kam bindjen se zgjedhjet lokale të datës 17 tetor do të çertefikojnë jo thjesht fitoren e kualicionit PPD-UDSH, por edhe shumimin e elektoratit të partisë.

Koha javore: Sërish jeni në koalicion me UDSH, ky bashkëpunim është thjesht pragmatist, apo fryt i përcaktimeve të përbashkëta?

A. Rexha: PPD-ja nuk vuan nga sindromi i delirit për pushtet. Natyrisht çdo subjekt politik në pistën demokratike niset për të arritur finishin, pushtetin. Por ne jemi racionalë dhe bindjet tona së pari udhëhiqen nga sensi i arsyes. Për rrjedhojë parimet tona dalin nga statusi, platforma dhe programi i partisë, kjo qasje krijon mozaikun e strategjisë së veprimit në skenën politike, qoftë dhe në marrëveshjet për koalicionin. Në këtë kontekst koalicioni me UDSH-në është vazhdimësi e një marrëveshjeje nga zgjedhjet e kaluara. Neve nuk na bashkon etja për pushtet,por misioni dhe vizioni që janë pothuajse të përbashkëta. PPD-ja ruan konsideratë për partnerin tonë në koalicion ngaqë ata i janë përmbajtur marrëveshjes. Jo vetëm kaq. Investimi politik i UDSH-së në insitucionet e sistemit dhe në skenën politike në Mal të Zi është vlerësuar nga kryesia e PPD-së si pozitiv në dobi të interesave të shqiptarëve, të shoqërisë dhe të ndërtimit të shtetit demokratik. Marr të drejtën të pohoj që partneriteti gjatë kësaj periudhe është forcuar së tepërmi. Këtë e dëshmon edhe dalja së bashku në zgjedhjet lokale. Fundja është një partneritet mirëkuptimi, bashkëpunimi që synojmë së bashku Evropën.

Koha javore: Më lart thatë se keni bindje që koalicioni juaj do të ngadhënjejë në këto zgjedhje, ku e bazoni këtë optimizëm?

A. Rexha: Optimizmi buron nga dy aspekte: së pari nga përkrahja masive e elektoratit dhe së dyti alternativa jonë është më e mira. Pa dashur të merrem me oponentin kryesor politik në këto zgjedhje, gjithsesi e shoh të udhës ta them se ata shfaqin komplekse ngaqë prioritetet dhe vizionet tona janë tërësisht më të avancuara. Nga ana tjetër më lejoni të bëj një retrospektivë të punës tonë gjatë qeverisjes së pushtetit lokal. Është fakt që komuna e qytetit të Ulqinit e drejtuar nga z. Hajdinaga ka shumë tregues pozitivë në ushtrimin e pushtetit: investime publike, rrugë, hapësira të gjelbërta, ambient të pastër, ndriçim, trotuare, ura, zhvillim të hovshëm të turizmit, investime në kanalizime, restaurim i kulteve fetare, rritje pagash për punonjësit, stimulim dhe mbështetje financiare për nxënës, studentë dhe sportistë të dalluar, shndërrimin e Ulqinit në ozazë të bashkimit shpirtëror të shqiptarëve, panairi i librit, manifestime dhe tryeza të përbashkëta për të harmonizuar ide, etj. Vlen të theksohet një investim kolosal, ai i ndërtimit të urës e cila bashkon qytetin me Plazhin e Madh. Kjo urë shënon pikënisjen e një mandati tjetër të suksesshëm. Marrë në tërësi, optimizmi ynë për fitore në këto zgjedhje buron nga puna, përkushtimi, përgjegjshmëria, vizioni, alternativat dhe prioritetet. Ne së bashku synojmë Evropën. Ky slogan ka domethënie të madhe.

Koha javore: Gjithësesi nga ana e tyre oponentët politikë kanë bindjen se këtë radhë ata do ta fitojnë bindshëm betejën elektorale.

A. Rexha: Personalisht kam një dallim esencial nga krerët e Forcës së Re Demokratike. Iracionalitetit të tyre i përgjigjem me qetësi, maturi dhe durim. Pra nuk dua të merrem me euforizmin e tyre dhe as me përllogaritjet që ata bëjnë përmes teorive të konspiracionit. Koalicioni UDSH- PPD në këto zgjedhje garon me logjikën e prioriteteve, ndërkaq kundërsharët tanë me manirët e një propagandë farse. Fatmirësisht kam patur fatin të qëndroj për një periudhë të gjatë në SHBA, sikundër puna me ka detyruar të udhëtoj në shumë vende të botës. Nga ky këndvështrim, dallimi i koalicionit tonë me oponentët politikë është substancial: ata e ushtrojnë aktivitetin e tyre propagandues duke fyer inteligjencinë e ulqinakëve, ndërsa koalicioni PPD-UDSH ka si udhërrëfyes respektin ndaj sovranit-popullit. Me dhimbje e them, por oponenti ynë vazhdon të ndjekë një politikë të cilën e kam hasur në vendet e botës së tretë. Kjo mënyrë e të bërit politikë është e papranueshme ngaqë qytetarët e Ulqinit, historikisht shquhen si njerëz të mençur me vlera të larta qytetarie. Nuk mund të bindësh një komunitet e t’i thuash që nuk është investuar asgjë. Kundërshtarët tanë gabojnë taktikisht sepse qytetarët i ndiejnë, prekin dhe i shijojnë të arriturat tona. Së dyti oponenti politik përmes propagandës, akuzave të pabazuara dhe retorikës shterpe, kërkon të uzurpojë votën e elektoratit jo për të përmisuar standartin e jetës së tyre, por për të krijuar një lloj oligarkie financiare dhe bisnezi, por e kanë gabim. Ulqinakët në mënyrë civilizuese do t’i thonë Jo, opsionit të përfitimeve personale dhe grupore të një grushti njerëzish. E ritheksoj se jam tërësisht i bindur që elektorati do të votojë pa hezitim koalicionin PPD-UDSH. Ne ofrojmë vision, alternativë dhe progres.

Koha javore: Cili është mesazhi juaj drejtuar elektoratin në prag të zgjedhjeve lokale?

A. Rexha: Të votojnë pa asnjë hezitim koalicionit PPD-UDSH sepse është e vetmja alternativë politike e progresit që i çon proceset përpara. Të votojnë opsionin tonë politik, ofertën dhe vizionin tonë ngaqë ne dimë t’i kanalizojmë dhe t’i vëmë në zbatim prioritetet e qytetarëve. Ne kemi dëshmuar se krijojmëplanifikojmë, zbatojmë dhe menaxhojmë projekte që janë në funksion të qytetit dhe qytetarëve. Duke votuar koalicionin tonë, qytetarët votojnë për Ulqinin evropian. Nga ana tjetër, më lejoni që t’u drejtohem qytetarëve të dalin sa më masivisht në votime. Ditët e mbetura të fushatës, ata të tregojnë maturi dhe pjekuri, pra të mos bien pre e propagandës dhe e provokimeve të kundështarëve tanë politikë. Si përfundim, duke votuar koalicionin PPD-UDSH, qytetarët votojnë për të ardhmen , perspektivën, progresin dhe unitetin.

Intervistoi: Ylber Lili
Koha Javore