Sinani dhe Seldi realizojnë këngë së bashku, por e mbajnë të fshehtë

October 19, 2010   | Lajmet / Vijesti

Dy personazhet më të përfolur këto kohë në faqet e shtypit rozë, këngëtari i muzikës popullore Sinan Hoxha dhe këngëtari e ish-konkurrenti i “Big Brother 3” në “Top Channel”, Seldi Qalliu, janë duke përfunduar një duet interesant, që pritet ta publikojnë së shpejti. Edhe pse dy këngëtarët janë duke punuar dhe duke shqyrtuar shumë variante për të dalë më një këngë të goditur që pretendojnë ta bëjnë “hit”, ata po përpiqen ta mbajnë të fshehtë deri në momentin e publikimit. Kjo për arsyen se nuk duan që të vazhdojnë të përfliten në lidhje me miqësinë mes tyre. Ideja për këtë duet u ka lindur duke marrë shkas nga zhurma mediatike, ku u përfolën për prirjet e tyre seksuale dhe një lidhje mes tyre që shkon përtej miqësisë.

Ata kanë vendosur të realizojnë një këngë të veçantë, ku të tregojnë atë çfarë ndodhi me ta, por edhe që t’i japin vetes mundësi ta thonë në një mënyrë tjetër të vërtetën e miqësisë së tyre. Në këtë këngë do të ruajnë secili zhanrin e vet në muzikë, pra Sinani do të këndojë në ritmin popullor, ndërsa Seldi në atë modern, një tendencë kjo e këngëtarëve shqiptare kohët e fundit për të realizuar duete duke ndërthurur rryma të ndryshme muzikore si për shembull; Linda Halimi me Remzie Osmanin, apo  Valbona Halili me Vagabondin etj. Seldi dhe Sinani do të sjellin një këngë ritmike me vargje të vërteta, bazuar në gjithçka ndodhi lidhur me komentet për miqësinë e tyre në faqet e shtypit pas deklaratës së Domenikës, për atë që ajo kishte konstatuar, se mes të dashurit të saj Seldi dhe Sinanit ekzistonte diçka më shumë. Dy këngëtarët, të cilët thuhet se kanë qenë bashkë dhe në koncerte të ndryshme jashtë vendit këtë verë, kanë disa javë që po punojnë për realizimin e këngës më të re, të cilën do ta bëjnë dhe klip.

Kënga është një ide e Sinanit, i cili në këtë rast i ka bërë ftesë Seldit për bashkëpunim, ndërsa ka marrë përsipër të gjitha kostot goxha të kripura të realizimit të këngës. Nuk dihet sesi do të pritet në publik kjo këngë dhe sa nota autobiografike të jetës së dy këngëtarëve do të dëgjojmë në vargjet e saj. Ata po punojnë që në prag dimri të godasin me një këngë që ngjall kuriozitet, sidomos në këtë moment kur artikujt me personazhe Sinanin dhe Seldin kanë qenë të shumta në media. Pas komenteve ata e mohuan vazhdimisht homoseksualitetin e supozuar të tyre, duke e konsideruar deklaratën e Domenikës, një intrigë për të justifikuar ndarjen nga Seldi.
Tashmë pritet me kuriozitet nëse pjesë e fabulës së këngës do të jetë edhe Domenika, e cila direkt pas ndarjes, dhe pushimit nga puna në “Top Albania Radio”, vendosi ta lërë Shqipërinë dhe të rinisë jetën në Itali. Këngët me vargje autobiografike janë një tjetër tendencë në muzikën shqiptare të viteve të fundit. Vetëm në këtë edicion të ri të “Kënga Magjike 2010”, janë prezantuar deri tani në spektaklin e “E diela Shqiptare” disa këngë me fabula të tilla, ku më të përfoluarat kanë qenë; “Sa e shite zemrën” kënduar nga Juliana Pasha e Luiz Ejlli, dhe “Budallaçkë e vogël” kënduar nga Rezarta Shkurta. Të dyja këngët janë shkruar nga Pirro Çako. Të parën kompozitori ia ka dedikur ish-bashkëshortes Inva Mula, ndërsa këngën e dytë Rezarta ia kushton ish-mikeshës së saj. Ndërkaq thuhet se Sinani dhe Seldi, për ta bërë këngën e tyre sa më vërtetë kanë menduar t’i shkruajnë vetë vargjet e këngës.

YouTube Preview Image
1