Sinishtaj: Kundër standardeve të dyfishta

October 23, 2010   | Opinione

Letër e hapur zotit Leopold Maurer
Zoti Maurer, Si njeri relativisht i ri (53) vjeç, për fat të keq jam dëshmitar i krijimit të tri shteteve në këto hapësira dhe se kam lindur në të katërtin (ish-RSFJ), e që shqiptarët nuk kanë pasur kurrë shansin e barabartë dhe mundësitë e barabarta sikurse popujt e tjerë. Një politikë e tillë pati për pasojë që sot nga Mali i Zi janë shpërngulur më shumë shqiptarë seç kemi sot në vatrat e tyre shekullore. Problemi i ligjit zgjedhor në Mal të Zi, siç tha në një deklaratë të vet prof. dr. Gjorgjije Blazhiq, nuk është problem që nuk mund të kapërcehet nëse ekziston vullneti politik i shumicës. Problemi qëndron në faktin që mazhoranca e Kuvendit, sipas inercisë së vjetër, përpiqet të miratojë ligjin sipas masës së partive, e jo në interesin e qytetarëve. Përndryshe, në Mal të Zi, nuk thuhet pa arsye se “fitimi i veseve është një dert kurse heqja e tyre njëqind derte”. Së këndejmi, si pjesëtar i pakicës kombëtare shqiptare, si pjesëtar i popullit i cili është në pakicë por edhe është autokton dhe i cili shekuj me radhë jeton në vatrat e veta, dua të theksoj si vijon: Qytetarët e kombësisë shqiptare me vullnetin e vet të shfaqur në referendumin e mbajtur me 21.05.2006 dhanë kontributin e vet të plotë gjatë marrjes së vendimit për pavarësimmin e Malit të Zi edhe përkundër faktit se vazhdimisht kanë qenë të diskriminuar dhe se disa herë deri tani kanë qenë të mashtruar me nënshkrimin e marrëveshjeve të ndryshme politike dhe kanë pasur parasysh edhe mesazhin e keq të këtij pushteti kur ai nuk tregoi gatishmërinë që të përmbushë kërkesën dhe shpresimin tonë për themelimin e Komunës së plotë të Malësisë – Tuzit. Ju me siguri bëni pyetjen logjike: çka i ka shtyrë qytetarët e kombësisë shqiptare që edhe përkundër këtyre fakteve me votën e vet i thanë Po nevojës së formimit të shtetit të pavarur të Malit të Zi? Për këtë ekzistojnë disa arsye, por do të përpiqem të sqaroj ato më të rëndësishmet, ndonëse jam plotësisht i bindur se të gjitha këto elemente tashmë i keni të njohura. 1. Pikësëpari, pavarësia e Malit të Zi ka qenë edhe kërkesë edhe shpresim edhe i vetë Bashkimit Europian si edhe i vetë administratës amerikane. Këtë politikë e mbështetën fuqimisht edhe Tirana dhe Prishtina zyrtare. 2. Me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, në radhë të parë me angazhimin e OSBE-së, Kuvendi Federativ i Bashkësisë shtetërore Serbi dhe Mali i Zi me datë 28 . 02. 2003 miratoi vendimin për shpalljen e Kartës mbi të drejtat e njeriut dhe të pakicave dhe liritë qytetare, e që për ne ka qenë sinjal i parë i përcaktimit të shtetit për demokraci, paqe, tolerancë, respektim të të drejtave të njeriut, sundim të së drejtës dhe drejtësisë sociale, e pastaj e njëjta Kartë u miratua edhe nga Kuvendi Popullor i Republikës së Serbisë, Kuvendi i Republikës së Malit të Zi dhe Kuvendi Federativ. 3. Vetëm dhjetë ditë para datës së mbajtjes së Referendumit për statusin shtetëror në Kuvendin e Malit të Zi u miratua dhe u nxor njëzëri Ligji mbi të drejtat dhe liritë e pakicave, për të cilin përsëri dha një kontribut të madh OSBE-ja. Ndërkaq pas shpalljes së rezultateve të votimit në Referendum, Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi, me vendimin e vet shfuqizon dy dispozitat më të rëndësishme nga Ligji mbi të drejtat dhe liritë e pakicave të cilat drejtpërsëdrejti u përkasin të drejtave të pakicave përmes legjislacionit zgjedhor dhe parimit të aksionit afirmativ. (Nenet 23 dhe 24 të Ligjit në fjalë). Edhe përkundër premtimit të fortë të pushtetit që këto dy dispozita të shfuqizuara do të rikthehen, deri në ditën e sotme kjo nuk është bërë. Përkundrazi, ekzistojnë përpjekjet që të shmanget ky detyrim, e kjo do të thoshte se pakicat edhe njëherë janë mashtruar në jetën politike të Malit të Zi. 4. Nga viti 1992 e deri më sot për pakicën nacionale shqiptare para datës së mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, Kuvendi i Malit të Zi miratoi vendimin me të cilin përcaktoi qendrat e votimit aty ku shqiptarët përbënin shumicën apo numër të konsiderueshëm të popullsisë dhe përcaktoi numrin e deputetëve – përfaqësuesve të pakicës shqiptare. Pikërisht një zgjidhje të këtillë ligjore, ndër të tjera, pushteti e shfrytëzoi si mënyrë të “grabitjes” së një apo më shumë mandateve tona, sepse nuk u respektua parimi i përfaqësimit të drejtpërdrejtë as parimi i aksionit afirmativ. Mund të pritej që kjo e drejtë do të shqyrtohet më vonë në mënyrë që mandatet e pakicave do t’u takonin vetëm listave të pakicave, grupit të qytetarëve të pakicës përkatëse apo kandidatit të pavarur të pakicës së caktuar. Dhe ndodhi përsëri mashtrimi i radhës. 5. Arsyeja e fundit, natyrisht pas pavarësimit të Malit të Zi, është ajo që unë si deputet i Kuvendit Konstitucional nënshkrova dokumentin me të cilin Këshilli i Evropës përcaktoi shtatë parime që duhej të inkorporoheshin në tekstin e ri të Kushtetutës së Malit të Zi. Pikërisht pika e katërt e këtij dokumenti u referohej të drejtave dhe lirive të pakicave, kurse në minimum duhej të përcaktohej me kushtetutë ajo që përmbante Karta mbi të drejtat e njeriut dhe pakicave dhe liritë qytetare. Mirëpo, teksti i ri i Kushtetutës së Malit të Zi me dispozitat e veta nuk parashikon minimumin e kërkuar nga Këshilli i Europës. Kësaj radhe jemi mashtruar të gjithë së bashku, edhe ne edhe Këshilli i Europës. Gjithashtu, Kushtetuta nuk ka dispozitë me të cilën garantohen të drejtat e fituara e as nuk përcaktohet mënyra se si interpretohen të drejtat e pakicave. Midis tjerash edhe kjo më përcaktoi që të mos votoj për tekstin e tanishëm të Kushtetutës dhe më duhet të Ju rikujtoi edhe faktin që për Kushtetutën e Malit të Zi nuk ka votuar asnjë deputet nga Lista Nacionale Shqiptare, që natyrisht nuk do të thotë se nuk i respektojmë dispozitat e saj. Përkundrazi, Kushtetutën nuk e respekton mazhoranca e Kuvendit, kurse do të ishte e logjikshme që ata të cilët kanë votuar Kushtetutën të kenë detyrim më të madh edhe ta respektojnë atë. Kjo aq më parë kur dimë se dispozitat kushtetuese asnjëherë nuk interpretohen, ato vetëm zbatohen. Por, si duket, në Mal të Zi nuk është problem të miratohet Kushtetuta, ligjet dhe aktet nënligjore, por është problem implementimi, zbatimi i tyre e kjo, duhet të pajtohemi, te ne shkon mjaft vështirë. Thënë me fjalën e urtë të popullit, askush nuk don të sharrojë degën mbi të cilën qëndron, kurse problem akoma më i madh është që ky pushtet ende nuk është i gatshëm t’I pranojë standardet ndërkombëtare nga kjo sferë as t’i respektojë detyrimet tashmë të marra përsipër nga dokumentet e nënshkruara, kurse sqarimi për të gjitha këto është që Mali i Zi është shtet qytetar. Ju pyes Juve, a mund të jetë shtet qytetar nëse nuk respekton Kushtetutën dhe ligjet, nëse gjuha amtare dhe shkrimi nuk mund të përdoren lirisht; nëse në organet shtetërore, në organet e administratës lokale, në ndërmarrjet publike dhe në institucionet publike jemi të punësuar gjithsej rreth 0.3%, kurse në numrin e përgjithshëm të banorëve të Malit të Zi marrin pjesë me rreth 7%, nëse në polici (polici lokale nuk kemi) jemi në numër të papërfillshëm, kurse në gjyqësi dhe në prokurori pothuajse nuk gjendemi pothuajse fare; nëse për 12.500 banorë të Malësisë me qendër vendore Tuzin nuk mund të sigurohet e drejta e garantuar me Kushtetutë – e drejta në vetëqeverisje lokale, përkatësisht komuna e plotë sikurse të gjitha komunat e tjera në Mal të Zi, nëse abrogohen të drejtat tashmë të fituara; nëse pushteti synon t’ua heqë shtetësinë edhe atyre që janë të lindur në Mal të Zi, kanë kryer shërbimin ushtarak si rekrutë të Republikës së Malit të Zi dhe mjaft prej tyre kanë votuar në Referendumin mbi pavarësinë dhe nëse, dhe nëse… Z. Maurer Për këto dhe probleme të ngjashme nuk guxojmë të heshtim, sepse në raste të caktuara heshtja është bashkëfajësi. I vetëdishëm për faktin se kompetenca Juaj nuk është që t’i zgjidhni problemet tona, por duke ditur se jemi vend në tranzicion dhe se i ndiqni me vëmendje lëvizjet shoqërore dhe lëvizjet e gjithmbarshme në Mal të Zi, e ndjeva të nevojshme të ju dërgoj këtë letër të hapur dhe të Ju sugjeroj për disa probleme që na mundojnë e që nuk mund t’i zgjidhim vetë, sepse korrupsioni politik dhe benefitet që sjell ai janë në një shkallë të lartë. Prandaj pres që të hasë në mirëkuptimin tuaj, aq më parë që Ju, në emër të Bashkimit Europian, luftoni kundër standardeve të dyfishta, e standarde të dyfishta për mua janë për shembull që serbët në Kosovë nuk i njohin institucionet e sistemit dhe bojkotojnë zgjedhjet, kurse në minimum i kanë të siguruar dhjetë mandate të deputetëve dhe 5 komuna të reja, apo kur malazezët ( rreth 3 mijë sish, gjithashtu në Kosovë, kërkojnë që t’u garantohet një mandat deputeti, kurse neve shqiptarëve në Mal të Zi ( që jemi rreth 42 mijë) na abrogohen të drejtat tashmë të fituara (5 mandate të deputetëve dhe qendrat e përcaktuara të votimit dhe na refuzohet me këmbëngulje kërkesa për themelimin e komunës së plotë të Malësisë – Tuzit) edhe përkundër faktit se i respektojmë institucionet e sistemit dhe nuk i bojkotojmë zgjedhjet. Z. Ambasador Teksti i propozuar i Ligjit mbi zgjedhjen e këshilltarëve dhe të deputetëve (ndryshimet dhe plotësimet) nuk përmban as atë që është e garantuar me Kushtetutë – të drejtën e përfaqësimit autentik të pjesëtarëve të pakicave në Kuvendin e Malit të Zi dhe në kuvendet e njësive të vetëqeverisjet lokale në të cilat pakicat përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, në përputhje me parimin e aksionit afirmativ (neni 79 paragrafi 1, pika 9 të Kushtetutës së Malit të Zi). Së këndejmi presim që të hasim në mirëkuptimin tuaj për përmbushjen e kërkesave tona, pikësëpari të intervenohet në drejtim të respektimit të Kushtetutës, pastaj ligjet të miratohen brenda afatit të përcaktuar me ligjin kushtetues dhe që të njëjtit të jenë në përputhje me Kushtetutën, të garantohen të drejtat e fituara dhe ato të avancohen, e kurrsesi të mos zvogëlohen apo të abrogohen. Këto janë parimet që ne i presim e këto standarde i kanë kaherë vendet demokratike europiane. Gjithashtu Ju pyes: përse këto të drejta nuk mund t’i realizojmë në Malin e Zi dhe përse na abrogohen të drejtat tashmë të fituara, pikërisht në sytë e Bashkësisë Ndërkombëtare?

Vasel Sinishtaj

(autori është këshilltar i Iniciativës Qytetare në Tuz dhe Deputet i Kuvendit të Malit të Zi me gjysmë mandati)