Malësorët kërkojnë status tjetër për Tuzin

October 28, 2010   | Rajoni / Region

Tuz, 28 tetor – Subjektet politike nacionale shqiptare vazhdojnë të angazhohen për avancimin e Tuzit në komunë me kapacitete të plota, ashtu siç janë 21 komunat tjera në Mal të Zi.

Kryetari i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi /LD në MZ/, dega në Malësi, Nikollë Camaj, sipas KosovaLive, vlerëson se duhet të formohet komisioni në të cilin përfaqësuesit e Qeverisë, të kryeqytetit dhe të komunave urbane të propozojnë ndryshime cilësore të Ligjit mbi kryeqytetin- Podgoricën. Pikërisht, ndryshimet e këtij ligji ndodhen në procedurën kuvendare edhe pritet se si do të reagimi katër deputetët shqiptarë.

Në LD në MZ mendohet se është koha e duhur që të bëhen ndryshime në Ligjin mbi kryeqytetin që Komuna urbane e Tuzit dhe simotrat e saj në Mal të Zi, të jenë në funksion të qytetarëve, ashtu siç janë komunat në rajon.

“Duke ushtruar detyrën e kryetarit të Kuvendit të Komunës Urbane të Tuzit kam pasur rastin të vërej anomalitë e Ligjit mbi kryeqytetin, të cilat mund të përmirësohen lehtë, duke mos vënë në pyetje konceptin e kryeqytetit, për territorin e Malësisë, si zgjidhje e përkohshme”, thotë ish-kreu i Kuvendit të Komunës Urbane të Tuzit, Nikollë Camaj.

Sipas tij, nëse nuk do të ketë ndërhyrje thelbësore në këtë ligj, korrigjimet e paralajmëruara Camaj i sheh të panevojshme dhe të parëndësishme.

Koha Net