Rozana Radi, puthja e parë në publik me të dashurin britanik

October 30, 2010   | Lajmet / Vijesti

Një javë më parë, në skenën e të “Dielës shqiptare” kërceu “Valsin e tradhtisë” e veshur si nuse, në duet me këngëtarin e mrekullueshëm kosovar, Ramadan Krasniqi. E ndërsa në këngë ajo interpretonte një vuajtje dashurie, paçka se shkëlqente me veshje nuseje, në të vërtetë, Rozanën, tjetër kërcim e priste në darkë. Ai do të ishte kërcimi i dashurisë, jo i tradhtisë. Pasi mori të gjitha duartrokitjet e publikut për një këngë shumë të bukur të kompozuar nga Adrian Hila, Rozana kishte planifikuar të dilte në lokalet e natës së Tiranës me një djalë që nuk ka shumë kohë që e frekuenton. Sipas miqve të saj, ai është në të njëjtën moshë me Rozin, 31 vjeç dhe është i huaj, më saktë nga Anglia.

Duke punuar si sipërmarrës, impenjimet e biznesit e kanë sjellë edhe në Tiranë ku në një ambient miqsh të përbashkët është njohur me Rozanën. Ai e ka pëlqyer menjëherë vajzën bjonde, të cilës i ka kërkuar që të dilnin edhe herë të tjera së bashku që të njiheshin më mirë. Rozi, e cila njihet për shije disi të vështira, që nuk e ka të lehtë të vendosë për partnerin e saj, duket se kësaj here është “dorëzuar”. Djali që kishte përballë e goditi me xhentilesën dhe elegancën e tij prej britaniku të sofistikuar.

Kështu ata kanë dalë disa herë duke u kujdesur që kjo lidhje, e cila ishte vetëm në fillimet e saj, të mos mediatizohet. Rozi është shprehur në media që paparacët e kanë kapur shpesh me djem të ndryshëm, të cilët më pas janë komentuar si të dashur të saj, por e vërteta është se ajo ka qenë shumë e kujdeshme që të mos shfaqë në publik atë të vërtetin me të cilin frekuentohej. Por kësaj radhe nuk ka mundur të na shpëtojë dhe mbi të gjitha nuk mund të thotë se djali i gjatë me të cilin e kapi paparaci ynë ,është thjesht një shok. Kjo pasi fotot flasin qartë, ata po kërcejnë dhe po puthen në buzë. Madje një mikja e ngushtë e saj, të cilës ia treguam paraprakisht fotot për të mësuar më shumë mbi identitetin e djalit, u çudit kur pa puthjet e tyre duke deklaruar e sigurtë se kjo është puthja e tyre e parë, pasi gjatë gjithë kohës kanë preferuar që të njihen mirë pa u përfshirë emocionalisht e mbi të gjitha Rozi betohej se nuk do t’ia lejonte vetes të binte në dashuri me të pa e njohur akoma si duhet.

Por mesa duket ndjenja ka qenë më e fortë se planet e saj racionale dhe ja ku i shohim të dorëzuar në krahët e njëri-tjetrit. Tani na mbetet të marrim konfirmimin nga këngëtarja nëse kjo është zgjedhja e saj e zemrës dhe çfarë do të ndodhë më pas. Ndërkohë ne po shijojmë “Valsin e tradhtisë”, një këngë shumë e bukur me të cilën Rozi ka suprizuar fansat e saj, duke i uruar që një vals të tillë të mos e kërcejë asnjeherë në jetën e saj reale, aq më pak me britanikun elegant.

1