Ulqin, asnjë negociatë për koalicionin qeverisës

November 1, 2010   | Politika

Më shumë se dhjetë ditë kanë kaluar nga zgjedhjet e përsëritura lokale në Ulqin dhe ende nuk ka asnjë shenjë për negociata mes partive që të themelohet qeverisja vendore. Derisa Nazif Cungu, lideri i Forcës së Re Demokratike, e cila u konfirmua edhe kësaj radhe se është partia më e madhe në skenën politike të Ulqinit, thotë se ekzistojnë disa iniciativa për negociata, por të pazyrtarizuara. “Ne, menjëherë pas zgjedhjeve kemi deklaruar para gazetarëve se jemi të hapur për të krijuar një qeverisje të përgjegjshme të Ulqinit”, thekson kreu i opozitës së Ulqinit. Kryetari i Partisë Demokratike të Socialistëve (PDS) të Kryeministrit Milo Gjukanoviç, Luigj Shkreli, më herët ka deklaruar se përparësi në negociata për formimin e shumicës parlamentare ka partneri i vjetër i bashkëqeverisjes “Për Ulqinin europian”, Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH), i cili është në koalicion me Partinë e Prosperitetit Demokratik (PPD), që ka siguruar 10 këshilltarë. Por, në këtë ndërlidhje nuk ka ende asnjë njoftim zyrtar. Është pritur se këshilli qendror i PDS, në pasditen e së hënës, do të publikojë do të zhvillojë negociata për të qenë pjesë e qeverisjes lokale në Ulqin. Ndërkaq, ky organ më i lartë i PDS-së ka shprehur kënaqësinë me rezultatet e arritura në zgjedhjet e përsëritura të 17 tetorit në Ulqin, ku ka siguruar 7 këshilltarë. Autoritetet e PDS-së, edhe gjatë fushatës elektorale, kanë deklaruar se kësaj radhe pretendojnë më shumë pushtet në qeverisjen lokale në Ulqin se sa në mandatin e kaluar katërvjeçar. Analistët nuk shohin ndonjë marrëveshje të shpejtë të themelimit të qeverisjes vendore. Pas zgjedhjeve të rregullta vendore të 23 majit të këtij viti, afro tre muaj kanë zgjatur negociatat, por pa sukses. Kjo gjendje prodhoi zgjedhjet e përsëritura.

Gazeta SHQIP
ZMADHO FLETËN E ZGJEDHJEVE LOKALE NË ULQIN

17