Klubi i karatesë Ulqini më i miri

November 2, 2010   | Sporti / Sport

Klubi i karatesë “Ulqini” mori pjesë në turneun e v ndërkombëtar “Katana Open 2010”

Të shtunën, më 30 tetor 2010 në Gjilan të Kosovës u mbajt Turneu i 5-të ndërkombëtar i karatesë “Katana Open 2010”, në të cilin morën pjesë garues nga Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Bosnja e Hercegovina, Lugina e Preshevës, Kosova dhe ne nga Ulqini.
Turneu u organizua në një nivel të lartë nga klubi vendas i karatesë “Dardania”, ndërsa konkurrenca ishte mjaft e fortë.

Klubi i Karatesë “Ulqini” në këtë turne ndërkombëtar u shpall klubi më i mirë i turneut duke u renditur në vend të parë në renditjen e përgjithshme.

Klubi i Karatesë “Ulqini” mori pjesë me 20 garues, të cilët triumfuan në të gjitha disiplinat ku morën pjesë. Ata u kurorëzuan me gjithsej 25 medalje: 16 të arta, 3 të argjendta, 6 të bronzta dhe 11 kupa. Të gjithë garuesit e këtij klubi që morën pjesë në turne u kurorëzuan me medalje, çka dëshmon për përgatitjen dhe nivelin e lartë të tyre.

Garuesit më të mirë të klubit në këtë turne ishin Albion Duraku dhe Diellëza Rama, të cilët u kurorëzuan me nga dy medalje të arta. Garuesi më atraktiv ishte Ensar Marshiq, i cili fitoi 4 luftëra, duke qenë garuesi më i mirë në luftëra dhe më atraktiv i klubit në këtë garë. Për të shfaqën interesim edhe mediat e pranishme në garë, të cilat edhe e intervistuan.

Në disiplinat individuale me medalje dhe kupa u kurorëzuan: Diellëza Rama – dy medalje të arta dhe dy kupa , Eliza Salihu, Ensar Marshiq, Xhemale Elezi, Gentiana Kuqi, Antigona Rama dhe Albion Duraku – nga një të artë dhe një kupë; nga një medalje të artë në luftërat ekipore fituan  Xhenis Rexhepi, Behlul Peroviq, Edin Kraja, Albion Duraku të gjeneratës 1996, 1995, 1994, ndërsa në gjeneratën e seniorëve me medalje të arta u kurorëzuan Kreshnik Tahiri, Viktor Curoviq, Dardan Ceka dhe Allmir Hajdari. Me disa medalje të argjendta dhe të bronzta u shpërblyen edhe Lavdim Tula, Mark Daboviq, Admir Luka, Jeton Luka, Hantie Ibroçi dhe Nderim Cuca.

Në këtë garë ishin të pranishëm edhe anëtarët e Kryesisë së klubit Nexhat Sukaliqi, Muzafer Salihu, Skender Tahiri, si dhe trajnerët Kujtim Sukaliqi dhe Ruzhdi Rama. Të gjithë nuk e fshehin kënaqësinë për rezultatet e arrituara.

-Jemi më se të kënaqur me rezultatin e arritur dhe me këtë përfaqësim të denjë të qytetit tonë në këtë turne ndërkombëtar të një niveli të lartë. Shpresojmë se ky rezultat do të shërbejë si apel për të gjithë qytetarët dhe institucionet që të ndihmohet sporti, sepse reklama më e mirë e qytetit bëhet me sport dhe kulturë.

Trajnerët e KK “Ulqini” falënderojnë  sponsorët që mundësuan pjesëmarrjen e klubit në Turneun “Katana Open 2010” – restorantin “Corona”, burektoren “Pelivan”, udhëheqësinë e Klubit, e posaçërisht kryetarin e klubit zotëri Loro Nrekiqin dhe trajnerin më të vjetër në komunën tonë, mësuesin tonë të karatesë Gjergj Daboviqin, të cilët në vazhdimësi po japin kontributin e tyre për zhvillimin e klubit dhe të sportit të karatesë në përgjithësi në komunën e Ulqinit e më gjërë.
Ata falënderojnë po ashtu organizatorin Maliq Maliqi për mikpritjen e veçantë që i bëri ekipit të KK “Ulqini” në Gjilan.

Shërbimi informativ i klubit të karatesë “Ulqini”


1