Aurela Hoxha: Surprizat e Albanians next top model

November 6, 2010   | Lajmet / Vijesti

“Albanians next top model” starton më 7 dhjetor në kanalin T në Digitalb. Një “show” me famë botërore prej 120 minutash dhe një “reality show” i përditshëm ku do të shohim “live” bashkëjetesën e vajzave modele në garë për të sfiduar njëra-tjetrën.

Show-n që organizohet për herë të parë në Shqipëri me protagoniste 39 vajzat e përzgjedhura, do ta moderojë 25-vjeçarja Aurela Hoxha. Ajo zbulon surprizat e spektaklit dhe përjetimet si prezatuesja e parë në Shqipëri e një spektakli vetëm me modele:
“Albanian’s next top model” organizohet për herë të parë në Shqipëri.

Çfarë është ky “show”?

Po, ky është një format mjaft i njohur në botë edhe pse organizohet për herë të parë në Shqipëri. Spektakli starton më 7 dhjetor në kanalin T në Digitalb me një show prej 120 min dhe më pas çdo ditë mund të ndiqni aktivitetin ditor të vajzave dhe bashkëjetesën e tyre po në të njëjtin kanal televiziv. Është një show ndryshe.

Si do të shfaqesh ti në këtë eksperiencë të re televizive vetëm me modele?


Duke qenë se unë do të jem moderatorja e parë që e sjell këtë format në kanalet shqiptare,  them se do të shfaqem shumë ndryshe nga çfarë pritet. Kam menduar të mbërrij tek publiku si një prezantuese që nuk niset nga skenari për të drejtuar spektaklin, por që bazohem tek informacioni dhe eksperienca ime për t’u dhënë një shembull të mirë dhe konkurrentëve që ëndërrojnë botën e modës. Unë investoj dhe punoj prej vitesh që të ndryshoj diçka në mentalitetin shqiptar, përsa i përket konceptit “fashion” dhe të bërit modë.

Modelet janë përzgjedhur nëpërmjet një audicioni. Sa modele janë zgjedhur deri tani dhe si proçedohet në logjikën e këtij spektakli më tej?

Deri tani janë 100 aplikuese, por vetëm 39 prej tyre do të  përzgjidhen për t’u bërë pjesë e “Albania’s next topModel”. Përzgjedhja po bëhet nga një panel me ekspertë mode si; fotografë, fashion-editor, baletmaestër, stilistë, të cilët do të jenë përkrah meje edhe gjatë transmetimit të programit.

Për çfarë je kujdesur më shumë në daljen tënde në ekran dhe si është bërë përshtatja e patentës ndërkombëtare për publikun shqiptar?

Pozicionimi im në program do

të jetë jo vetëm si drejtuese e spektaklit, por dhe pjesë e panelit vlerësues. Mendoj që logjika do jetë e njëjtë me realitity-t që organizohen në të gjithë botën me këtë emër, por duhet të theksoj që formati është përshtatur mjaft mirë me shijet e publikut shqiptar dhe realitetin tonë.

Nuk do mungojnë surpriza të jashtëzakonshme që do mbajnë publikun të gozhduar para ekranit. Vajzat do të kalojnë prova shumë të vështira dhe interesante për të fituar votën e panelit për të vazhduar garën për “Albanias next top model”. Kështu që çdo javë do ketë nga një eleminim ose më shumë, të cilat vlerësohem kryesisht nga prova javore e fotografisë.

Si do të shpallet fituesja dhe çfarë përfiton modelja fituese?

Çdo javë gjatë spektaklit javor do kemi një fituese, e cila përfiton një dhuratë gjithmonë lidhur me botën e modës dhe një eleminim ose më shumë që lënë aty garën për çmimin e madh “Albanias next top model”. Jo vetëm fituesja, por të gjitha finalistet e javës së fundit përfitojnë kontrata pune dhe imazhe të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë, sigurisht dhe çmime të tjera surprizë që do zbulohen gjatë spektaklit.

Vlen për t’u theksuar që pjesë të panelit vlerësues do kemi herë pas here fotografin e njohur Fadil Berisha, i cili do ketë oferta të ndryshme për vajzat fituese e mbi të gjitha për “Albania’s next top model”, që do na përfaqësojë me këtë emër në botë.

Dimë që studimet ia ke kushtuar Mjekësisë dhe Juridikut. Do të jenë këto profesione pjesë e së ardhmes tënde?

Fakultetet e mia, siç e kam thënë dhe më parë, nuk besoj të jenë profesioni im, duke qenë se jam kaq shumë e lidhur me botën e modës dhe televizionit. Megjithatë janë pasuria ime.