Shoqata “Ana e Malit” në mëngjes pune me biznesmenë, pronarë, profesionistë dhe studentë

November 6, 2010   | Intervista / Intervju, Lajmet / Vijesti

Nga Këze Kozeta Sulo
Botuar në gazetën “Illyria” NO.1998

Në një ditë vjeshte me gjethe të kuqërremta tetori në Staten Island shoqata shqiptaro amerikane “Ana e Malit”, mblodhi në një mëngjes pune pronarë, bizmesmenë, profesionistë dhe studentë.

Ishte pervjetori i pare që kjo shoqatë organizonte në restorantin “Vanderbilt” në Staten Island.

Aktivitetin e ka drejtuar zonjusha simpatike Maida Llolla me origjinë nga Ana e Malit. Pasi iu ka uruar gjithë pjesëmarrësve dhe organizatorëve punë të mbarë për këtë tubim, ajo ka ftuar në skenë z.Nikë Palkola zëvendës kryetar i shoqatës “Ana e Malit”.

Z.Palkola një aktivist i devotshëm i komunitetit dhe themelues i Forumit Demokratik të Shqiptarëve në Mal të Zi, foli me dashuri për vendlindjen e tij dhe Kombin Shqiptar.

Ai u zotua se do të punojë edhe më shumë në të ardhmen për të ndihmuar në çështjen shqiptare.

Fjala e tij është përcjellë me duartrokitje nga pjesëmarrësit pasi humori i tij i hollë i përdorur gjatë fjalimit i ka dhënë dhe më shumë bukuri tubimit në atë mëngjes pune dhe kulture.

Pas z.Palkola fjalën e ka marrë avokati shqiptar z.Gencian Gjoni, i punësuar në firmën e njohur “Raffael Son”. Z.Gjoni foli plot kulturë dhe mirësi, për çështjen kombëtare, për bashkimin e popullit shqiptar si dhe për këtë tubim kaq të rëndësishëm organizuar nga shoqata “Ana e Malit”.

Ai u angazhua se do të punojë më tej dhe do të marri pjesë gjithmonë në këto aktivitete kaq të rëndësishme për Kombin shqiptar.

Ndërsa e dëgjoja me vëmendje këtë djalë të ri që posedon të drejtën e avokatisë në të gjitha gjykatat e New Yorkut dhe të New Jerseyt, më shtohej dhe më shumë respekti dhe mirënjohja për të atin e tij avokatin e mirënjohur të sa e sa shqiptarëve z.Sabri Gjoni, i cili i ka zyrat në Manhattan.

Fjala e tij u prit me duartrokitje të fuqishme veçanërisht kur solli një detaj gjatë studimeve të tij, se si në këtë profesion kaq të vështirë ishte ndihmuar dhe frymëzuar, kur kishte takuar bashkatdhetarin e tij që e fliste aq bukur gjuhën e ëmbël shqipe.

Më vonë znj.Llolla ka prezantuar para publikut zonjën Shpresa Sukalic Hopper e cila punon pranë Fondacionit Bloomberg në New York. Vajza e re e ardhur nga Ulqini në vitin 1992 në program të shkëmbimit të studenteve të huaj ka arritur sukses tepër të kënaqshëm me vullnetin e saj dhe dashurinë për punën.

Ajo foli me krenari që punonte pranë Kryetarit të Bashkisë së New Yorkut.bilionerit Bloomberg.

Znj. Sukalic kishte ardhur në këtë aktivitet së bashku me bashkëshortin e saj, një amerikan i pamshëm dhe fisnik, z.Hopper.

Në fjalën e saj ajo ndau me bashkatdhetarët se çfarë ka mësuar nga Bloombergu i cili ka thënë: “Të gjithë duhet ta ushtrojnë me ndershmëri detyrën e tyre, dhe gjatë kohës së votimeve duhet të ngrenë fondet për të mbështetur çështjet që kanë rëndësi për komunitetin e tyre dhe Amerikën. Gjithmonë në raste zgjedhjesh numërohen votat e komuniteteve dhe për këtë ka rëndësi sensibilizimi i komuniteteve etnike që të marrin pjesë në votime, dhe nga pjesëmarrja e tyre jepet dhe ndihma nga Bashkia”.

Mesazhi i saj ishte i qartë pasi ne si shqiptarë duhet të jemi të bashkuar dhe të marrim pjesë në votime, ndryshe nuk ka si numërohet popullsia shqiptare. Duke e dëgjuar kujtoja punën e madhe dhe të jashtëzakonshme që ka bërë z.Ilir Hysa, Ph.candidate, përfaqësuesi i shtetit amerikan në numërimin e popullsisë që u bë këtë vit në Amerikë.

Ai frymëzoi shqiptarët që të plotësonin formularët dhe të tregonin kombësinë shqiptare, pasi është tepër e rëndësishme për të marrë fonde nga shteti amerikan, në se ata e shikojnë që ne jemi popullsi e madhe në numër dhe përhapim kulturën dhe traditat e lashta shqiptare, pasi në statistikat e mëparshme fatkeqësisht popullsia shqiptare ishte regjistruar 100 e ca mijë shqiptarë dhe pse kemi arritur një million në Amerikë.

Imagjinoni tha znj.Sukalic Hooper në se i vendosim detyrë vetes si komunitet që në zgjedhjet e ardhshme të votojmë së bashku dhe të zgjedhim përfaqësuesin tonë të denjë në zyrat e Bashkisë së New Yorkut apo dhe më gjerë.

Znj. Sukalic Hooper solli me emocion vizitën e saj në Kosovë së bashku me Bloombergun, punën e madhe dhe mbështetjen që i ka bërë ai çështjes së Kosovës si amerikan dhe si udhëheqës.

Këtë aktivitet e përshëndeti dhe z.Nail Lolla, president i fondacionit “Dom Simon Filipaj”, i cili po punon me përkushtim të madh për të ndihmuar vendlindjen dhe njerëzit e vobekët.

Me mjaft competencë dhe profesionalizëm ka folur biznesmeni dhe aktivisti i shquar i çështjes shqiptare z.Cafo Boga. Ai ka shfaqur në ekran tokat shqiptare në Mal të Zi dhe oportunitetet që kanë shqiptaro-amerikanët për të hapur bizenese dhe për të ushtruar veprimtari të ndryshme, pasi kështu e ndihmojmë dhe më shumë vendlindjen tonë.

Ndërkohë ai ka prezantuar dhe lidhjet që ka Ulqini me shumë qytete shqiptare duke filluar me Shkodrën, Lezhën etj…

Ulqini është një vend magjepsës dhe mjaft tërheqës për turistët, pasi ky qytet ka një natyrë të mrekullueshme dhe të begatë, do të vazhdonte z.Boga në prezantimin që iu bëri të pranishmëve dhe oportunitetin që afronte Ana e Malit për investime të ndryshme në Atdhe.

Fjala e z.Boga u përshëndet me duartrokitje çka tregonte për isnpirimin që iu kishte dhënë bizenesmenëve për të investuar në Mëmëdhe.

Pas prezantimit dinjitoz të z.Boga në skenë është thirrur z.Qemal Zylo, i cili si themelues i shkollës Shqipe në Staten Island ka ftuar të gjithë pjesëmarrësit të sjellin fëmijët e tyre në shkollën shqipe për të mësuar gjuhën tonë, pasi siç dihet tha ai ka mjaft fëmijë që po lindin këtu dhe fatkeqësisht po e humbasin gjuhën e nënës, të cilën e kanë zëvendësuar me anglisht. Sillini fëmijët sa më parë, tha z.Zylo, pasi ata janë e ardhmja e Diasporës sonë.

Me mjaft interes ishte prezantimi për websitin e Anës së Malit nga z.Zaim Halili, i cili tha se është një website me shumë vlera pasi pasqyron gjithçka për kulturën shqiptare dhe traditat e bukura të Anës sëMalit.

Aktiviteti është mbyllur me fjalën përshëndetëse të z.Naser Çobo, kryetar i shoqatës “Ana e Malit”, i cili ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit dhe i ka ftuar për një bashkëpunim dhe më të frytshëm në të ardhmen.

Gjatë takimit pati dhe pyetje dhe sugjerime të ndryshme nga salla, si psh nga znj.Limona Gjoni e cila me një mirësi dhe plot elegancë në të folur sugjeroi që mos t’ua lemë tokat tona t’jua shesim të huajve, por ajo ju bëri thirrje biznesmenëve që ta ruajmë këtë pasuri që na e lanë të parët tanë.

Pas ceremonisë aktiviteteti ka vazhduar me biseda të lira dhe takime midis miqsh.

Pas kaq vitesh aty takuam mikun e mirë të shqiptarëve, biznesmenin e suksesshëm z.Kadri Capri, i cili foli për rëndësinë e këtij aktiviteti dhe do të punojë për më tej për të mbështetur çështjen kombëtare dhe për të investuar në vendlindje. Po ashtu aty takuam dhe z.Amir Shaba dhe z.Fatmir Kallaba djem patriotë të cilët po vazhdojë të japin kontributin e tyre me dashurinë dhe ndjenjën e përgjegjësisë për Kombin shqiptar.

Aktiviteti është filmuar nga z.Amir Suka drejtori i programit të TV ALBA LIFE në New York.

U ndamë me miqtë e Anës së Malit si vëllezër shqiptarë dhe me një shije të mirë për atë aktivitet të dobishëm, dhe ndërkohë në mendje më mbeti fjala impresionuese e znj.Shpresa Sukalic Hooper e cila me të drejtë e vlerësoi kryetarin e kësaj shoqate qysh në momentin e parë të fjalës së saj:

“Unë nuk kishja zgjidhje tjetër për sot, duhej të vija medoemos, pasi vëllai im Amir, më këshilloi, se në se ka aktitivitete shqiptarësh, me siguri unë duhet të shkoj pranë Anës së Malit, pasi kjo shoqatë ka një lider të shkëlqyer si Naser Coba”.

Tetor 2010Staten
Island, New York

Tribuna Shqiptare



YouTube Preview Image

2