Komisioni Evropian nesër publikon Pakon e zgjerimit 2010

November 8, 2010   | Rajoni / Region

Bruksel, 8 nëntor – Komisioni Evropian nesër pritet ta miratojë Pakon e Zgjerimit 2010, që do të përbëhet nga një dokument strategjik, Opinionet në lidhje me kërkesat për anëtarësim të dorëzuara nga Mali i Zi dhe Shqipëria dhe shtatë Raportet e Progresit për vendet e tjera kandidate dhe kandidate potenciale, përfshirë Kosovën.

Gjatë gjysmë shekulli, Bashkimi Evropian ka ndjekur integrimin gjithnjë e më të thellë njëkohësisht me pranimin e anëtarëve të rinj. Këto dy procese në të shumtën e kohës kanë ndodhur paralelisht. Rritja e anëtarësisë ka qenë pjesë e zhvillimit të integrimeve evropiane që nga fillimi. BE-ja e sotme, me 27 Shtete Anëtare dhe me një popullatë afër 500 milionëshe, është më e sigurt, më e fuqishme dhe më me ndikim se sa Komuniteti fillestar Ekonomik Evropian 50 vite më herët që kishte 6 anëtarë dhe popullatë më pak se 200 milionëshe.

Në vitin 2006, qeveritë e Shteteve Anëtare të BE-së në Këshillin Evropian kanë ripërtërirë konsensusin për politikën e Zgjerimit dhe kanë rikonfirmuar perspektivën e BE-së për vendet tjera në Evropën Juglindore – Kroaci, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi, Kosovë sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Turqi.

Procesi i zgjerimit, siç raporton KosovaLive, ka ecur përpara gjatë vitit të kaluar. Negociatat me Kroacinë kanë hyrë në fazën finale, dhe ka pasur progres për çështjet bilaterale. Serbia ka dorëzuar kërkesën për anëtarësim. Komisioni është në prag të lëshimit të opinionit për kërkesat e Malit të Zi dhe Shqipërisë. Islanda ka filluar negociatat për aderim në korrik. Në negociatat me Turqinë janë hapur kapituj të rinj dhe vendi ka bërë një revidim të gjerë të kushtetutës që ka sjellë afër standardeve evropiane.

KOHA NET
http://video1.top-channel.tv/18754796/flv/kronika/FSHATISHENGEN0.flv