Mendimi i instrumentalizuar i gazetarëve

November 14, 2010   | Opinione

Koha kërkon një pozicionim alternativ të informimit duke mos vuajtur pikë së pari nga autocensurat e trashëguara të regjimit të cilat duket se prodhojnë hipnoza partiake dhe tifozllëk të pavetëdijshëm. Mendojmë se duhet të përkrahet thënia e kryeredaktorit të televizionit Top-channel i cili në simpoziumin e mbajtur në Ulqin tha se media në Shqipëri ka arritur një shkallë pavarësie dhe të jetë agresive ndaj pushtetit.
Diku pas publikimit të disa numrave të parë të “Kohës javore”, kryeredaktori i saj z. Salaj u kujtua për bukuri të hapë një faqe të gazetës të titulluar: pikëpamjet e shprehura në faqet Opinione, Vështrime nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht politikën redaksionale të Kohës javore. Duke qenë si opinion shumë i avancuar për kohën mendojmë që kjo faqe e gazetës mund të merret si gurëthemel i gazetarisë investiguese e cila i mungon informimit shqip në Mal të Zi. Edhe pse opinionet për kohën ishin diametralisht të ndara ekzistimi i kësaj faqeje ka bërë që ndoshta të jetë e vetmja në informimin buxhetor (publik) të Kohës në Mal të Zi. Pa dyshim që sot ky hap i kryeredaktorit duhet të çmohet megjithatë shpeshherë ndodhë që në faqet e kësaj gazete të mos gjejnë hapësirë shkrimet të cilët janë të ngritura mbi autocensurat e trashëguara të regjimit që shkoi. Mirëpo arsyeja për të bërë këtë reagim qëndron në mendimin e instrumentalizuar të disa gazetarëve që shkruajnë duke futur huti e duke krijuar opinione negative për dike pa të drejtë. Këtu po përmendim shkrimin e publikuar nga koha.net të titulluar dhjetë ditë pas zgjedhjeve të përsëritura lokale në komunën e Ulqinit pa negociata mes partive (të huazuar nga Koha javore). Andaj për këtë po shtojmë sa vijon: javën që shkoj në Ulqin u organizua një tryezë e rrumbullakët për mediat e shkruara në gjuhën shqipe në Mal të Zi për gazetarinë hulumtuese nga Këshilli Nacional i Shqiptarëve. Në këtë tryezë me të drejtë ligjëruesit u pajtuan se gazetaria hulumtuese është fare pak apo aspak e pranishme në media në gjuhën shqipe në Mal të Zi. Sipas nesh, mendojmë që kjo ndodhë përveç tjerash edhe si rezultat i mungesës së guximit intelektual po edhe atij profesional me të cilin ballafaqohen gazetarët. Edhe në këtë shkrim kontestues të përmendur më lartë duket se gazetari nuk është fare në ngjarje dhe në mënyrë telegrafike e me pasivitet bën një lajm i cili mendojmë se nuk është objektiv. Duke akuzuar në mënyrë indirekte mosnisjen e negociatave për bisedime, na duket se rasti flet qartë për mungesë të gazetarisë hulumtuese. Nuk është vështirë të hetohet që gazetari shtiret se nuk është në ngjarje kur thotë përveç tjerash: Nazif Cungu, lider i Forcës së Re Demokratike e cila u konfirmua edhe kësaj radhe se është partia më e madhe në skenën politike të Ulqinit (por bashkë me Bashkimin Demokratik dhe Aleancën e re të cilët mbi bazën e zgjedhjeve të kaluara parlamentare do të kishin 4 këshilltarë, vërejtja jonë), ekzistojnë disa iniciativa për negociata (pra sipas Forcës) të pazyrtarizuara . . . dhe pastaj vazhdon: kryetari i Këshillit komunal të PDS … Luigj Shkreli më heret ka deklaruar se përparësi në negociata për formimin e shumicës parlamentare ka partneri i vjetër i bashkëqeverisjes për “Ulqinin Europian”, Unioni Demokratik i Shqiptarëve (por harron si gazetar të përmend deklaratën e Shkrelit se rezultatet ende nuk janë zyrtare – vërejtja jonë)… i cili është në koalicion me PPD… por në këtë ndërlidhje nuk ka ende asnjë njoftim zyrtar… Shtrohet pyetja si mund të ketë njoftime për negociata kur nga komisioni zgjedhor komunal nuk kemi ende të dhëna zyrtare për rezultatet e zgjedhjeve. Gazetari harron të përmendi që subjektet e ndryshme që garuan në zgjedhje, i kontestuan ato dhe pritet të skadojë afati i ankesave në komisionin zgjedhor shtetëror dhe në Gjyqin kushtetues. Koha kërkon një pozicionim alternativ të informimit duke mos vuajtur pikë së pari nga autocensurat e trashëguara të regjimit të cilat duket se prodhojnë hipnoza partiake dhe tifozllëk të pavetëdijshëm. Mendojmë se duhet të përkrahet thënia e kryeredaktorit të televizionit Topchannel i cili në simpoziumin e mbajtur në Ulqin tha se media në Shqipëri ka arritur një shkallë pavarësie dhe të jetë agresive ndaj pushtetit. E në fund për rastin e përmendur në vijën e gazetarisë hulumtuese do të kishim shtuar thënien e kryeredaktorit Salaj kur tha: Nëse “nuk gërmohet në thellësi” atëherë të paktën “të gërvishtet sipërfaqja”.

Muhamet Nika
Koha Javore
YouTube Preview Image