Bardhi: Çështja shqiptare në Malin e Zi ende e hapur

November 15, 2010   | Rajoni / Region

Ulqini, 15 nëntor – Është evidente se çështja shqiptare në Malin e Zi sot e kësaj dite ka mbetur e hapur dhe suprimimi i të drejtave të arritura do ta shtonte edhe më shumë pakënaqësinë, vlerëson kryetari i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi (LD në MZ), Mehmet Bardhi, deputet i saj në parlamentin e këtij shteti.

Ai angazhohet për një dialog sa më të shpejtë të të gjitha partive parlamentare për të gjetur kompromis mbi legjislaturën zgjedhore.

Ky kuadër ligjor tash katër herë dështon, dhe siç e citon KosovaLive Bardhin, krerët e të gjitha partive parlamentare duhet të takohen sa më parë.

Kryetari dhe deputeti i LD në MZ propozon që ndërmjetësues i këtyre takimeve do të mund të ishte kryeparlamentari malazias, Ranko Krivokapiq.

“Kjo është një çështje shumë e ndjeshme dhe imponon konsultime politike në nivelin më të lartë. Pushteti duhet ta marrë përgjegjësinë edhe të heq dorë nga përçarjet në Malin e Zi. Shihet qartë se struktura qeverisëse nuk e pranon propozimin e opozitës, por as opozita propozimin e Kodit të ri zgjedhor të ofruar nga partitë e koalicionit qeverisës, Partia Demokratike e Socialistëve dhe Partia Socialdemokratike”, shprehet Bardhi.

Sipas tij, me vite të tëra, subjektet relevante politike nuk arrijnë lehtë të merren vesh.

Kreu i LD në MZ nuk përmend me këtë rast përçarjet e partive parlamentare shqiptare, të cilat as klubin e deputetëve nuk arrijnë ta bëjnë, por as të formojnë pushtetin lokal në Ulqin, e lëre më të hartojnë një dokument të përbashkët që do të kontribuonte, pa dyshim, në lëvizjen e përmirësimit, pikërisht të çështjes shqiptare në këtë vend.

KOHA NET