Nora Istrefi: “Nuk arrij ta besoj që na kanë përjashtuar”

November 20, 2010   | Lajmet / Vijesti

Të njëjtën atmosferë zhgënjimi dhe trishtimi na përcjell edhe këngëtarja Nora Istrefi, e cila këndonte së bashku me Linda Halimin dhe Big D këngën “All mine”. Ajo nuk arrin akoma ta besojë që nuk do të prekë skenën e “Këngës Magjike” dhe se si mund të penalizohet këngëtari për një gjë të tillë si dhe ndjen keqardhje për performancën e munguar që ajo e cilëson shumë të arrirë.

Ja çfarë na thotë ajo në një pronocim të shkurtër: “E tërë dita e djeshme, ishte si një ëndërr e keqe për mua dhe kolegët e mi. Për 30 minuta vonesë në prova, Ardit Gjebrea na largoi nga festivali. As nuk e mori në konsideratë rrugën e gjatë e të mundimshme, për shkak të mjegullës dhe shiut që hasëm teksa vinim nga Kosova. Minutat e fundit i humbëm në qendër të Tiranës, ku njoftuam Arditin se ishim shumë afër, e që nuk kishim mundësi të lëviznim nga trafiku i dendur.

Më dhemb një gjë, që kënga është jashtëzakonisht e mirë, e pëlqyer dhe e votuar shumë. Jemi mirëpritur shumë në paraqitjen e parë në Tiranë. Mendoj që është një humbje për publikun shqiptar, një këngë dhe një performancë e shkëlqyer, me koreografi profesionale, që i kemi kushtuar ditë të tëra. Dhe e gjitha kjo të mos ketë shansin të performohet në skenën e “Këngës Magjike” më duket një mëkat dhe absurditet”, përfundon Nora Istrefi.

YouTube Preview Image